Home KRYESORE Gavrosh Levonja: Për Mero Bazen dhe Azem Hajdarin…

Gavrosh Levonja: Për Mero Bazen dhe Azem Hajdarin…

Nga Gavrosh Levonja

Vlerësimet ndaj figurës se Azem Hajdarit, të bëra nga Mero Baze, ndër të cilët dhe ajo që Hajdari konfliktin kryesor e kishte me partinë e tij, pra me Berishën, i cili nuk i ofroi në asnjë moment poste drejtuese në administratën e lartë gjatë kohës që ishte president, më sollën në mendje një episod të rreth 22 viteve më parë.

Në gazetën “Albania” një mbrëmje po zbardhej një intervistë e Azem Hajdarit e cila do të botohej në numrin e të nesërmes. Ndoshta për shkak se Kakuja, Kadrie Kadare, që ishte korrektore nuk i kuptonte shumë nga shprehjet me nuanca krahinore të Hajdarit detyrohej të kthente mbrapsh kasetën e diktofonit, duke bërë që zbardhja të merrte një kohë bajagi të gjatë dhe në shumë momente, në redaksi dëgjohej vetëm zëri i Hajdarit.

Ylli Rakipi, drejtori i gazetës, i cili shetiste nëpër redaksi nga një kompjuter tek tjetri duke hedhur batuta me humor, në një moment të tillë tha: “Akoma vazhdon të flasë ky budalla…” Nga ana tjetër Kadrija, e cila shpesh ishte e detyruar të kërkonte ndihmën e të tjerëve që të kuptonte Azemin, disa herë i thoshte Meros, i cili e kishte intervistuar atë: “Ore Mero kjo fjalia është pa logjikë…” ose “është pa lidhje” e “pa kuptim…” Mero i përgjigjej me qesëndi për “trashësinë” e Hajdarit “Nuk është fjali e imja Kadrije, është e Azem Hajdarit…”

Kjo ndodhte në një periudhë kur marrëdhënie e “marshallit” me Azemin ishin të mira. Por, disa muaj më vonë këto marrëdhënie do të prisheshin dhe gazeta “Albania” në cilësinë e “gazetës së presidentit” do të mbushej me shkrime ku denigrohej Azemi si “bashkëpuntor i sigurimit”, roli i tij në favor të PS dhe kundër PD-së, miqësia me ish-zyrtarë të regjimit komunist, etj. Shumica e artikujve kundër Azemit ashtu si dhe artikuj të tjerë të porositur nga presidenti Berisha, ishin firmosur ng Y. A.

Në të vërtetë, Mero, duke qenë një biçim korrieri që sillte çdo natë direktivat nga presidenca për shkrimet që duhej të botonte gazeta kryesisht kush duhej sulmuar apo demaskuar, madje, në shumicën e rasteve ishta ai që shndërronte në artikuj gazete idetë dhe mendimet e Berishës mund të kishte përmendur gjëra konkrete për të bërë të besueshme ato që thotë herë pas here kur flet për pëersekutimin që Sali Berisha i ka bërë Azem Hajdarit.

Mirëpo, të paktën në rastin e Azemit, kjo më duket e pamundur, pasi duke qenë në rolin e një “pushke” mediatike për të goditur këdo që nuk ishte në linjë me doktorin, mund të bëhen publikë dhe artikujt e shumtë të Meros kundër Azemit për të zbatuar porositë e doktorit pavarësisht se ishin me pseudonime apo me emrin e ndonjë gazetari të parëndësishëm të “Albania-s”.

Share: