Home KRYESORE “Greku” është po aq shqiptar sa edhe ne

“Greku” është po aq shqiptar sa edhe ne

Nga Altin Bamllari

Sot ka ditëlindjen një nga miqtë e mi më të ngushtë, Adrian Naco, profesor matematike dhe një djalë i shkëlqyer me origjinë greke që vitet e fundit po nderon Shqipërinë në Olimpiadat Ndërkombëtare të Matematikës, duke përgatitur e udhëhequr një brez talentesh nga shkollat e mesme.

Punë e madhe do të thoni ju…

Dhe vërtet, nuk ka ndonjë gjë tej të jashtëzakonshmes, përveç ndjesisë time të mirë në aspektin personal.

Por pikërisht sot, fare rastësisht, më zunë sytë në FB një postim që nxit urrejtjen ndaj vendit fqinj dhe gjithë grekëve në tërësi, përfshirë edhe mikun tim. Ndaj u ndjeva ligsht, sidoqë postime të tilla dhe histerikë të ngjashëm që japin likes ka edhe përtej kufirit.

Gjithmonë ia kam bërë vetes pyetjen pse kaq urrejtje?! Të urresh një komb, matematikisht i bie të urresh çdo pjesëtar të tij, ndërkohë që gjithkush e ka një mik nga pala tjetër. Ndërsa të mos jesh dakord me politikat shtetërore të një kombi tjetër është krejtësisht tjetër gjë.

Unë e kuptoj natyrën njerëzore, logjikën e marrëdhënieve ndërmjet komshinjve, antagonizmit, rivalitetit, xhelozisë, besimit, varfërisë, diktatit dhe nënshtrimit që më i forti i imponon më të dobtit. E njoh shumë mirë edhe historinë e kalit të Trojës, emigrimve, dëbimeve, pretendimeve, luftrave, traktateve, ndihmës reciproke dhe miqësisë. E kuptoj politikën, ideologjinë, trushpëlarjen, qëllimet dhe interesat.

Po a ia vlen urrejtja, qoftë edhe nëse gjen arsye?

Nuk di si e mendojnë të tjerët, por për mua të urresh do të thotë dobësi, është shprehje e kompleksit të inferioritetit, humbje kohe nga kënaqësitë e jetës dhe injorancë patriotike.

Adrian Naçon ne shpesh herë e thërrasim “greku”, por ai është po aq shqiptar sa edhe ne. Kjo për një arsye të vetme, sepse ai, njëlloj si ne, nuk e njeh urrejtjen. Kënaqem kur na sjell lajme të mira për matematikanët e rinj, por më shumë kur e shoh teksa valvit flamurin shqiptar.

Gëzuar ditëlindjen greku!

Share: