Home KRYESORE Histori e trishtë: Nuk më japin urdhër mbrojtje se duan fakte…

Histori e trishtë: Nuk më japin urdhër mbrojtje se duan fakte…

Vrasja e gjykatës Fildes Hafizi në mes të Tiranës nga ish- bashkëshorti i saj u bë shkak që disa prej grave të dhunuara të ngrinin zërin dhe të tregonin historitë e tyre.

E tillë ka qenë edhe historia e një gruaje, e cila ka treguar gjatë emisionit “Tonight” historinë e saj të abuzimit nga ish-burri i alkoolizuar.

U njoha me shkuesi, ishte shumë i dhunshëm, pinte alkool dhe nuk më linte të dilja nga shtëpia. Kërkonte gjëra që nuk ishin sepse ai shpenzonte nëpër klube. Më rrihte, shante, nuk më linte të takoj familjaret. Nuk kisha guxim t’i thoja as familjes që të mos i përplas familjet bashkë. Dhe nga shteti nuk kisha besim, kisha frikë se kthehem prapë dhe ma bën dhe më keq. Jetova për 9 vite. Dy herë u shkëputa dhe ika tek familja ime, u ktheva prapë me shpresën se po ndryshon. Ai nuk ndryshoi dhe më keq ma bëri. Denoncimin e fundit që bëra ishte pas 9 vitesh. Nuk e duroja dot më. Filloi të rrihte dhe fëmijët, pinte alkool dhe vinte në shtëpi. E denoncova vetë”,- ka treguar gruaja.

Por edhe pse e denoncoi gruaja ende ka frikë për jetën e saj dhe të fëmijëve. Ajo ka treguar se vazhdimisht ka marrë kërcënime nga ish-bashkëshorti i saj.

Më lau në gjak, më rrahu fëmijët, i hodhi përtokë, bërtisnin kur më shihnin mua të larë në gjak. Në se nuk bënte gjë shteti do mbytesha në ujë, nuk kthehesha mbrapsht. Nuk kthesha të takohesha me të. Ika e gjakosur, fëmijët i lashë në shtëpi se kisha frikë që më del para dhe më mbyt mua dhe fëmijët .Mos ta kuptonte që ika unë. Shkova dhe denoncova në polici. Më panë dhe më çuan në spital, ku qepa kokën. U ktheva dhe u thashë të më çojnë tek fëmijët, kisha hall ku i lashë. Më sollën në shtëpi. Më shoqëruan policia. Pastaj e arrestuan”- ka treguar më tej ajo.
Edhe pse e denoncoi dhunuesi ka kryer vetëm tre muaj burg. Gruaja thotë se ai duhej të dënohej nga 3 deri në 6 vite.

Nga ana tjetër familja e bashkëshortit e nxori në mes të katër rrugëve me pretendimin se kishte kryer turp duke e futur burrin e saj në burg. Kalvari i saj i vuajtje ende nuk ka marrë fund sepse ish-bashkëshorti vazhdon ta kërcënoj ende.

Ajo thotë se ka kërkuar urdhër mbrojtjeje, por policia nuk ia ka dhënë.

Duan fakte, fakti i fortë ndoshta është kur të vdes, ose të më çajë kokën”,- thotë ajo me frikë.

Sa gra të tillë që kanë frikë për jetën e tyre dhe të fëmijëve ka në vendin?! Ato kanë nevojë për mbrojte sepse ashtu siç ka lënë të nënkuptohet gruaja e intervistuar nëse i çan kokën nuk do të jetë më e gjallë./360grade.al

Share: