Home KRYESORE Hotel Pagjumësia nga Charles Simic

Hotel Pagjumësia nga Charles Simic

Përktheu Elona Caslli

Më pëlqente qoshku im.
Nga dritarja shihja një mur me tulla.
Tek dera ngjitur kishte piano.
Dy ose tri herë në muaj , mbrëmjeve
një plak sakat luante
“My blue heaven”

Në përgjithësi ishte qetësi.
Çdo dhomë kishte nga një merimangë
veshur me pallto, që kapte mizën
në rrjetën me tym cigareje dhe ëndrra me sy hapur.

Në orën 5 të mëngjesit
tingulli i këmbëve të zbathura një kat më sipër.
Magjypi, ai fallxhori
që ka dyqanin tek cepi i rrugës,
po shkon të bëjë shurrën
pas një nate të nxehtë dashurie.

Një herë dëgjova edhe një fëmijë
që qante me dënesë.
E dëgjova tingullin
e atij ngashërimi.
E kisha aq pranë atë tingull,
sa për një çast
mendova se po qaja vetë.

Share: