Home KRYESORE Kukësi, pensionon qeverinë, opozitën dhe oligarkët

Kukësi, pensionon qeverinë, opozitën dhe oligarkët

Nga Azem Parllaku

Ndërsa në Kukës janë kryer arrestime, në masë, në errësirë, dhe në heshtje të plotë, udhëheqësi i ndritur i shqiptarëve, i krahasueshëm vetëm me figurën e Skëndërbeut, pasi ka ndërruar çitjanet që i mbushi dje nga nga protestat në Rrugën e Kombit, sot me rastin e ditës  së gënjeshtrave nga ERTV-ja e tij, Edi Rama thotë se i është dukur e lartë pagesa e “Rrugës së Kombit”, kur është njohur fillimisht me të, e ndërkohë ka përjashtuar mundësinë që të hiqet kjo pagesë.

“Timonieri” që ka rrëmbyer e po e shqyen i vetëm “tepsinë” e Shqipërisë, stërbetohet se po punon për begatinë e kombit, por është i detyruar që ta vjedhë, e t’a marrë çdo qindarkë nga xhepi popullit të tij, dhe t’ia japë ato oligarkisë së majtë dhe të djathtë. Nëse Rruga e Kombit realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro.

Kjo shumë prej 13 milionë eurosh paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore, shtetas nga Kosova dhe biznese që tranzitojnë e eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Pagesa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën.

Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Lind pyetja! z.Kryeministër, ku i çon lekët e rrugëve që nuk i shpenzon për mirëmbajtjen e tyre? Me siguri lekët e taksave për mirëmbajtjen e rrugëve qeveria jote e votuar vetëm nga 20% e shqiptarëve i çon për konçesione dhe mirëmbajtjen e rrugëve i’a jep privatit, i cili vendosë tarifa shtesë 5-22.5 euro për çdo makinë.

z.Kryeministër, kuksianët, hasianët, malësorët e Gjakovës, shqiptarët e Kosovës, dhe të gjithë Shqipërisë, nuk do të lejojnë më t’u vendosësh në qafë gjithë kusarët e kriminelët. Teprimi me zullumin t’a dha një përgjigje popullore në Kukës. Një leksion jo vetëm për Ju, por edhe për Bashën dhe Kryemadhin e taborin e tyre, që po përpiqen të përfitojnë politikisht nga protesta qytetare e kuksianëve.

Terrori shtetëror nuk i ndal dot qytetarët e lirë të kërkojnë të drejtat dhe dinjitetin që meritojnë. Sot, Kryeprokurorja nuk duhet të kërcënojë popullin, por të rihapë hetimet për dyshen Berisha-Basha, të cilët zhvatën 500 milion euro nga ndërtimi i “Rrugës së Kombit”, gjithashtu me të njëjtën forcë të hetohet edhe kabineti Rama-Meta që miratoi këtë tarifë dhe e dhanë me koncesion abuziv.

Share: