Home KRYESORE Kush e futi në thes, Basha-Ramën apo Rama-Bashën? Nga Artur Zheji

Kush e futi në thes, Basha-Ramën apo Rama-Bashën? Nga Artur Zheji

Rama ia arriti të mbetej kryeministër, të shpërngulte Çadrën nga Bulevardi, të bënte “qe palla me Bashën” dhe të shpenzonte hapur mbi 7 orë bisedime kokë më kokë, në dy-tre seanca.

Kryeministri pra, shkon si kryeministër në Zgjedhjet Politike, ndërsa Opozita, do të hyjë si një partnere e Qeverisë, që shau, pështyu, mallkoi, kërcënoi dhe pshurri, 3 muaj rresht. Kuptohet që kur bëhesh pjesë e asaj që ke pështyrë e pshurrur, komentet e tjera bëhen të tepërta. Ky është njeri variant i këndvështrimit të asaj që ndodhi më Marrëveshjen e Natës së 18 Majit.

Këndvështrimi tjetër, është i përmbysur. Basha ia hodhi paq Ramës, duke bërë një front të pashpallur edhe me Lsi, për të pastruar Qeverinë Rama, nga mbi 70% e Ministrave të Rilindjes dhe pikërisht ata më “kamikazët” dhe më ramistët. Duke filluar nga simpatiku Saimir Tahiri, dhe pastaj rresht, Ilir Beqaj, Lindita Nikolla, Niko Peleshi, Blendi Klosi dhe të tjerë…

Pra, sipas këndvështrimit pozitivist dhe militant pro-Opozitë, Basha e futi në thes qeverinë Rama, duke e shpërbërë atë përpara zgjedhjeve, duke krijuar hutim dhe çoroditje në elektoratin e majtë. Basha pra, sipas këtij gjykimi, e nënshtroi arrogancën e Ramës dhe e detyroi atë, të merrte me shpulla gjysmën e Qeverisë së vet, duke i trajtuar Ministrat si ca kukulla lecke krejt pa vlerë dhe pa dinjitet. Duke krijuar kështu një optimizëm parazgjedhor për pd-istët e demoralizuar dhe duke rritur vetë Luli, profilin e tij personal, politik.

Nga ana tjetër, Rama do të duhet tu shpegojë të vetëve, se në të vërtetë është ai, që e ka futur në thes Bashën dhe Opozitën.

Se kjo Marrëveshje Rozë, si dashuria e Romeos-Rama për Zhuljetën-Basha, sipas emërtimit të Kryeministrit, ishte në të vërtetë çmimi që ai duhet të paguante, për të futur në Zgjedhje opozitën dhe që Zgjedhjet e Përgjithshme politike, të merrnin kësisoj një vlerë të vërtetë.

Kryeministri pra, që do të ketë nën hyqmin e vet, ministra të Pd, të Lsi dhe të Ps, po zbaton skemën e Berishës të vitit 2008, e cila për ironi është përsëri e muajit Maj të këtij viti, kur dhe bëri Marrëveshjen për Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor anti-Lsi.

Berisha, në Majin 2008, i bëri atëhere një qokë Ramës, duke i dhënë “kokën e Metës”, në një pjatancë të argjendtë, në këmbim të asaj që Rama, të futej si qingj në Zgjedhjet Politike. Dhe ashtu ndodhi, Rama u fut si qingj në zgjedhjet që nuk i fitoi as Pd dhe as Ps, dhe në vend të kokës së Metës, në vitin 2009, u therr “qingji Rama”, që pati edhe frymëzimin për të shkruar librin e tij plot marazëm dhe mllef “Kurbani”. Ku ay, Rama, rrëfeu se si dhe se pse, sipas tij, ishte bërë kurban, nga dyshja Berisha-Meta.

Mirëpo Rama, ka qenë që në rini të vet një nxënës shumë i mirë.

Pas 9 vitesh, ai po bën të njëjtën gjë me Lulëzim Bashën, siç bëri edhe Berisha me të, në Majin e vitit 2008, po e fut si qingj në zgjedhjet e përgjithshme politike.

Porse Rama, ka fituar edhe një pozicion të ri plus, ai, duke bërë një Marrëveshje kokë më kokë me Bashën dhe njëkohësisht përjashtuese për Ilir Metën, ka thelluar mosbesimin ndërmjet Metës dhe Bashës, në shkallë sipërore.

Pra, se kush e futi në të vërtetë në thes njeri tjetrin, Basha, Ramën apo Rama, Bashën, kjo do të shihet shpejt pas një muaji, e pra pas 25 Qershorit kur dhe do të dalin rezultatet e para zgjedhore.

Nuk është fare habi, sikur pas Zgjedhjeve Politike, të ripërtërihet Koalicioni Ps-Lsi, duke e lënë me shume lezet, opozitën në opozitë dhe me “standarte zgjedhore” të pranuara nga vetë opozita.

Duket se në këtë rast Berisha, e ka humbur disi nuhatjen e tij të dikurshme fantastike, ndërsa nuhatja e Bashës, do ende kohë të mprihet aq sa duhet, për të mbijetuar në xhunglën dinake dhe të pamëshirshme, të politikës shqiptare./360grade.al/

Share: