Home KRYESORE Kush është Arta Marku dhe a po e heton ajo Adriatik Llallën?

Kush është Arta Marku dhe a po e heton ajo Adriatik Llallën?

Arta Marku prej tre muajsh ndodhet në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, detyrë për të cilën është betuar në një situatë jo të zakontë. Mes tymueseve me ngjyra, kaosit dhe protestës së opozitës, Arta Marku u zgjodh Kryeprokurore e përkohshme. Por kush është Arta Marku?

Në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, Prokurorja e Përgjithshme ka rrëfyer momente nga fëmijëria e saj, si dhe ka folur për jetën personale.

Vij nga një familje e thjeshtë si shumica e familjeve shqiptare me dy prindër të thjeshtë. Babai im ka qenë teknik i mesëm miniere. Ka mbaruar ndër të parët Politeknikumin “7 Nëntori” që është quajtur atëherë, ndërsa mamaja ime ka qenë e papunë për pjesën më të madhe të kohës deri pas viteve 1990, ku si shumica e shqiptarëve filloi me një tregti të vogël, ndihmuar dhe nga vëllai im. Kjo është familja ime e origjinës. Kam dhe një vëlla dhe një motër, më të vegjël se vetja. Familja ime e re përbëhet nga unë, bashkëshorti dhe dy vajzat e mija, njëra është 8 vjeçe, në klasë të dytë dhe tjetra është 14 muajshe.”

Sokol Balla: Sa e vështirë është për një nënë të re të shpërngulesh nga qyteti ku keni jetuar për shumë e shumë vite me radhë dhe të vini në mes të një rrëmuje të madhe siç është Tirana, ku nuk është vetëm një rrëmujë politike është dhe rrëmujë urbane. Sa të vështirë e keni pasur të ambientoheni me terrenin e ri?

Arta Marku: Në fakt, kjo ka qenë vështirësia më e madhe e momentit dhe unë kam vonuar shpërnguljen për 2 muaj, pasi e kisha shumë të vështirë. Tirana është një qytet i zhurmshëm dhe i papastër, krahasuar më Shkodrën.  Mbase unë e kam dobësi Shkodrën, por e pata shumë të vështirë, jo vetëm unë por edhe familja ime. Tashmë kemi ardhur dhe shpresojmë që do përshtatemi për aq kohë sa do jemi.

Sokol Balla: Në fakt ka shumë dilema se përsa kohë ju do jeni në Tiranë, megjithatë të flasim pak për origjinën. Është e vërtetë që shumica e shqiptarëve vijnë nga familje të thjeshta pasi kjo ka qenë dhe struktura shoqërore e Shqipërisë, por është përfolur shumë që ju vini  nga një familje e persekutuar. Është e vërtetë kjo?

Arta Marku: Po. Mamaja ime e ka ndjerë persekutimin në kurriz. Xhaxhai i saj ka qenë i dënuar politik për disa vite dhe pikërisht për shkak të atij persekutimi, mamaja ime ka mbetur pa shkollë, pavarësisht rezultateve që i ka pasur të shkëlqyera por fal Zotit, për ne gjërat ndryshuan dhe nuk e ndjemë persekutimin, pasi në ato vite që ndryshuan gjërat, në ato vite ishte koha për të filluar shkollën ne.

Sokol Balla: Pra, është e sigurt që nëse ju do kishit kërkuar të hynit në shkollë të lartë përpara vitit 90, me siguri nuk do ta kishit marrë?

Arta Marku: Me siguri. Po ju them një episod që mbase do ju duket qesharak. E kam ndjerë shumë pak persekutimin. Siç ka qenë  në atë kohë që kur vinte dikush nga udhëheqja,  nxënësi më i mirë caktohej të jepte tufën me lule. Pavarësisht se isha nxënësja më e mirë në atë kohë, nuk u lejova të jap tufën me lule.

Sokol Balla: Ndryshimi i regjimit si ju gjeti?

Arta Marku: Isha e vogël. I mbaj mend të gjitha por përjetime të rralla nuk mbaj mend që të kem pasur.

Sokol Balla: Në fakt nga eksponent të Partisë Demokratike, jo të linjës zyrtare, por deputet dhe ish-deputet të cilët kanë folur me shumë respekt për ju dhe familjen tuaj. Ndër të tjera dhe ish-deputetja Albina Deda, më të cilën thuhet se ju keni një lidhje familjare apo jo?

Arta Marku: Kam lidhje të afërt me Albinën, më saktë më bashkëshortin e Albinës. Ai është djali i xhaxhait i mamasë sime kështu që kemi një lidhje goxha të afërt.

Sokol Balla: Si e përjetuat faktin që u gjendët, ndoshta jo personalisht, e mbrojtur nga trashëgimtarët e asaj partie që dikur kishte persekutuar fisin tuaj?

Arta Marku: Nuk e kam parë në këtë prizëm, nuk e kam parë në këtë aspekt. Nuk jam ndjerë e mbrojtur apo e sulmuar prej askujt dhe isha e sigurt që asnjë gjë nuk kishte lidhje direkt me mua.

Sokol Balla: Pra, nuk kishte asgjë personale me ju?

Arta Marku: Jam e bindur për këtë.

Sokol Balla: Po me çfarë kishte lidhje?

Arta Marku: Secili ka kauzat e veta që përpiqet t’i mbrojë me çdo kusht. Unë mendoj që ishte diçka përtej personales. Kishte lidhje me politikën.

Sokol Balla: Cili është suksesi më i madh i Arta Markut që i atribuon karrierës së saj përpara se të hynte në këtë zyrë tepër të rëndësishme?

Arta Marku: Kam mbaruar shkollën e mesme në Fushë-Arrëz dhe menjëherë pas saj kam konkurruar për në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë ku dhe kam fituar. Mbas mbarimit të Fakultetit të Drejtësisë në vitin 1999 kam fituar konkursin në Shkollën e Magjistraturës, për profilin: Prokurore. Në vitin e tretë të shkollës që është dhe periudha e stazhit profesional jam caktuar në Prokurorinë e Rrethit Fier për të bërë stazhin profesional dhe emërimin e kam marr në tetor 2002 në Prokurorinë e Shkodrës, e cila në fakt nuk është një Prokurori e lehtë për të punuar, sidomos në ato vite, që ishin afër 1997 dhe 1998

Sokol Balla: Edhe sot mbetet një Qark i vështirë për të ushtruar këtë detyrë…

Arta Marku: Le të themi që po, por në ato vite kujtoj që ishte e vështirë. Që në fillimet e punës sime kam hetuar dhe kam përfaqësuar në gjykim çështje nga më të ndryshmet dhe më të vështirat, vrasje, rrëmbim personi, trafikim lëndësh plasëse. Në vitin 2009 jam caktuar si drejtuese e Task-Forcës së Shkodrës. Kjo Njësi e Përbashkët Hetimore u krijua bashkë me 5 Njësi në 5 rrethe të tjera, nën modelin e Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Tiranës. Kam pasur momente shumë të mira gjatë punës sime, edhe përpara së të caktohesha si drejtuese e Task-Forcës dhe mund të them që momente të forta gjatë ushtrimit të profesionit tim ka pasur pas suksesit të çdo dosjeje.

Sokol Balla: Kur thoni momente të forta, thoni tension, presion, kërcënim…

Arta Marku: Jo. Nuk kam pasur për asnjë moment presione dhe gjëra të kësaj natyre që ju përmendni, pavarësisht se Shkodra ka qenë një Qark mjaft i vështirë. Por mbase mënyra se si kam punuar, jam munduar me profesionalizëm, me dinjitet, pa u përzier.

Sokol Balla: Ju thoni që ka një mënyrë që të jeni korrekt në punën tuaj dhe t’ju mbajë larg rreziqeve. Si, nëse mund të na e shpjegoni, sepse duhet të jetë diçka e thjeshtë?

Arta Marku: Është shumë e thjeshtë. Nuk ka formula për këtë. Mjafton të mos përzihesh, të mos ndikohesh nga asgjë. Mbase fillimi është pak i vështirë sa të pozicionohet secili në vendin e tij.

Sokol Balla: Po si mund të ndodh kjo kur kolegët tuaj, vartës tuaj apo epror tuaj potencialisht janë të përzier qoftë me motivime politike apo me korrupsionin dhe krimin?

Arta Marku: Unë mund të flas për vete. Unë nuk kam ndjerë asnjëherë asnjë ndërhyrje dhe as kërcënime të asnjë lloj gjatë ushtrimit të detyrës sime.

Sokol Balla: Cili është ai moment që do ta ndanit në karrierën tuaj shumë vjeçare, qoftë i bukur apo i keq?

Arta Marku: Momentet e bukura të punës sime kanë qenë pas suksesit të çdo çështjeje që kam pasur. Sa herë është përmbyllur me sukses një çështje, unë jam ndjerë shumë mirë, shumë e motivuar, shumë e plotësuar. Mbase ngaqë e kam me pasion punën e prokurorit.

Sokol Balla: Cili është mendimi juaj për sistemin e drejtësisë, sepse shumica e shqiptarëve mendojnë që është i korruptuar. Një pjesë tjetër thotë që për shkak të korrupsionit ka sjell përzierje në punët e politikës, apo kompromise me botën e krimit. Keni dhe ju të njëjtin perceptim?

Arta Marku: Kam një perceptim timin në lidhje me sistemin e drejtësisë, pasi jam pjesë e tij prej shumë vitesh. Ajo që mund t’ju them është që sistemin e drejtësisë e kam parë të degradojë vit pas viti. Është e dhimbshme ta thuash, por unë kështu e kam ndjerë. Si prokuroria ashtu dhe gjykata nuk po e ushtronin më atë funksionin Kushtetues. Prokuroria për ndjekjen penale dhe Gjykata për  dhënien e drejtësisë. Edhe opinioni publik në të njëjtën formë e ka parë këtë gjë. Shumica e opinionit e perceptonte sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit, pra gjithë sistemin, si shumë të korruptuar. Mbase dhe presioni i opinionit publik ishte ajo që shtyu dhe politikën të konkludojë me Reformën në Drejtësi.

Sokol Balla: Ju vet gjatë përvojës tuaj mbi 15 vjeçare si prokurore, e keni thjesht me perceptim apo dhe me gjëra konkrete që provojnë faktin që ky sistem drejtësie është kaq shumë i kompromentuar, sa ne e perceptojmë?

Arta Marku: Unë kam qenë pjesë e sistemit, natyrisht që i kam parë gjërat nga afër, pavarësisht se nuk kam qenë kurrë pjesë e këtyre gjërave. I kam parë nga afër, i kam ndjerë në kurriz.

Sokol Balla: Keni reaguar ndonjëherë për këtë? Jeni përpjekur të ngrini një alarm apo e keni parë që ishte e kot?

Arta Marku: Kemi reaguar në mënyrat tona, duke mbrojtur punën tonë, secili që e ka parë në të njëjtën formë si unë. Reagime të tjera natyrisht që nuk kemi pasur, pasi sistemi ka qenë tërësisht i centralizuar dhe nuk ishte e lehtë.

Sokol Balla: Pra ju thoni që problemet gjithmonë kanë ardhur nga lart?

Arta Marku: Nuk mund ta them që kanë ardhur vetëm nga lart, por ka pasur shumë probleme dhe vazhdon të ketë përsa kohë që Reforma në Drejtësi akoma nuk është implementuar. Është në vazhdim.

Sokol Balla: Zonja Marku, paraardhësit tuaj shpesh janë ankuar dhe ka pasur gjithmonë një debat “Kush heton kë”, policia ja hidhte fajin prokurorisë, prokuroria policisë. Ju keni një mendim për këtë?

Arta Marku: Ka pasur momente që policia dhe prokuroria kanë bashkëpunuar në mënyrë perfekte me njëra-tjetrën si institucione, sidomos në fillimet e punës së Task-Forcave. Kemi pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm me ta. Kemi bërë çështje nga më të ndryshmet, por mund të them që bashkëpunimi erdhi duke u zbehur me kalimin e kohës.

Sokol Balla: Pse ka një perceptim të fortë mes profesionistëve të fushës suaj që pas vitit 2012, puna e Task-Forcave u dëmtua rëndë? Është ky perceptim i drejtë dhe mund të thoni pse ndodhi kjo?

Arta Marku: Ndoshta edhe më vonë ndodhi kjo. Një zbehje e punës, një shkrehje e punës mund të themi. Mbase në atë periudhë filloi të flitej që do ketë Reformë në Drejtësi, do ketë një Prokurori Speciale, Task-Forcat nuk do kenë më të njëjtin funksion si kishin. Ndoshta kjo ka ndikuar.

Sokol Balla: Kjo ndikoi në mënyrë direkte apo u përdor për të shkrehur punën e Task-Forcës në të gjithë vendin?

Arta Marku: Mendoi që ka ndikuar në mënyrë indirekte fillimisht, pastaj edhe në mënyrë direkte pasi ndryshuan shumë drejtues prokurorish. Lëvizën shumë prokuror nga njëra Task-Forcë në tjetrën, jo sipas rregullave që ishin përcaktuar fillimisht.

Sokol Balla: Po përse ndodhi kjo sipas jush?

Arta Marku: Mbase kishte hyrë në atë rrugë që ashtu duhet të ndodhte. Nuk ishte mirë që ndodhi por gjërat ashtu filluan të funksiononin.

Sokol Balla: Zonja Marku, ju thatë që një nga problemet e zbehjes së punës së prokurorëve, aty ku ju ishit në Shkodër, por besoj që kjo ka reflektuar në të gjithë vendin, ishte fakti që institucioni ishte i centralizuar. Pra kishte një piramidë vendimmarrje nga lart-poshtë. Ju tani që erdhët në majë të kësaj piramide, mund të na thoni si e gjetët institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, në çfarë gjendje?

Arta Marku: Unë nuk mund të flas vetëm për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, por mund t’ju jap një opinion për të gjithë sistemin e Prokurorisë. Nuk mund të them që nuk është punuar. Është punuar dhe ngarkesa ka qenë shumë e madhe e prokurorëve dhe gjej rastin t’i përgëzoj për ngarkesën e madhe, si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore pavarësisht situatës, pavarësisht momentit që po kalojmë të gjithë në sistemin e drejtësisë. Është punuar, por ka pasur dhe shumë probleme që unë i kam konstatuar gjatë analizave të punës së gjithë secilës prokurori. Problemet kanë qenë të shumta. Ka pasur zvarritje të hetimeve, ka pasur çështje që ishin bllokuar. Nuk mund të them arsyet se pse kishte ndodhur një gjë e tillë por pavarësisht punës së madhe që ishte bërë, kishte dhe çështje që mund të ishte punuar dhe e gjithë kjo është mbajtur parasysh në këshillat që unë i kam dhënë prokurorëve gjatë analizave vjetore. Jam përpjekur që t’i motivoj dhe t’i shtyj që të merren jo vetëm me çështjet e reja që kanë në duar, por edhe më çështjet që janë pezulluar për një arsye apo një tjetër. Të bashkëpunojnë fortë më Policinë e Shtetit dhe me të gjitha institucionet ligjzbatuese.

Sokol Balla: Cilat janë problemet kryesore që ka Prokuroria sot, pasi pak më herët ju thatë që puna e Task-Forcës u shkatërrua nga lëvizje të shumta të prokurorëve nëpër rrethe. Por duhet thënë që dhe ju nuk keni bërë pak lëvizje që nga momenti që keni ardhur në këtë zyrë dhe ju keni lëvizur drejtuesit e disa degëve të Prokurorisë më të rëndësishme në vend. Pse?

Arta Marku: Ju garantoj që lëvizjet kanë qenë të menduara mirë, nuk janë bërë në nxitim e sipër. Kanë qenë të menduara dhe të konsultuara me situatën. Është marrë parasysh edhe perceptimi i opinionit publik në ato prokurori ku janë bërë lëvizjet.

Sokol Balla: Në fakt bëhet fjalë për qarqet që kanë regjistruar dhe ngjarjet më të rënda gjatë vitit të kaluar, si Durrësi e Elbasani, por për koinçidencë ndoshta, shumica e këtyre drejtuesve që ju keni lëvizur edhe në rrethe edhe në Tiranë, janë perceptuar ose kanë qenë realisht njerëzit më të afërt të  paraardhësit tuaj. A ka një lidhje kjo gjë?

Arta Marku: Ju garantoj që nuk ka asnjë lidhje. Lëvizjet kanë qenë të menduara mirë, janë marrë informacione të mjaftueshme për të bërë lëvizje të kësaj natyre dhe nuk janë lëvizje vdekjeprurëse. Nga drejtues në prokuror. Një herë je drejtues, njëherë prokuror. Në fund të fundit të gjithë prokurorë jemi. Të qenit drejtues është i përkohshëm për këdo.

Sokol Balla: Siç për momentin jeni dhe ju…

Arta Marku: Patjetër.

Sokol Balla: Megjithatë do flasim nëse do jeni e përkohshme apo jo. Por, zonja Marku, ju jeni në një zyrë të rëndësishme ku ka pasur shumë persona përpara jush, por opinionet kanë qenë të ndara nga njëri personazh tek tjetri, por ama i ka bashkuar një gjë, fjala dështim. Ky institucion, përfshi edhe këtë zyrë kanë dështuar të kryejnë detyrën e tyre Kushtetuese, të hetojnë korrupsionin, të hetojnë krimin e organizuar, lidhjet e tyre me politikën. Ky institucion ka dështuar të hetojë zyrtarë të mëdhenj, ministra, ish-ministra, kryeministra, ish-kryeministra, president, ish-president. A keni ju një opinion për paraardhësit tuaj?

Arta Marku: Natyrisht që kam një opinion por nuk është në natyrën time, nuk është etike që unë të jap një opinion për ta.

Sokol Balla:  Sa herë ndërrohet një trajner, pyetet trajneri i ri se çfarë opinioni ka për trajnerin e mëparshëm. Keni ju një opinion tuajin për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, kryesisht profesional edhe për shkak të detyrës që ju ka lidhur me të?

Arta Marku: Kam natyrisht një opinion, por punën e tij e ka vlerësuar publiku. Është përfolur aq shumë sa nuk e gjej me vend të përsëris asgjë nga to.

Sokol Balla: Por e ndani të njëjtin opinion?

Arta Marku: Le të themi që po.

Sokol Balla: Ndaj zotit Llalla ka pasur dhe një situatë të paprecedentë, duke filluar nga viti 2016 kur atij ju revokua viza për një arsye personale deri tek vendimi i Departamentit te Shtetit që ia revokoi vizat, me një vendim të vet Sekretarit të Shtetit, tashmë ish-Sekretari Tillerson dhe shoqëruar me një motivacion, i cili në një farë mënyre na shokoi të gjithëve, për përfshirjen e tij në afera të rënda korruptive. Ju vetë si u ndjetë kur e dëgjuat këtë lajm.

Arta Marku: T’ju them të drejtën jam ndjerë shumë keq, ashtu siç është ndjerë çdo zyrtar i këtij shteti apo siç duhej të ndihej çdo zyrtar. Është një vendim i rëndë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-paraardhësin tim.

Sokol Balla: Apo për personin që duhet të hetojë aferat korruptive por ndërkohë akuzohet që është i përfshirë në to. Besoj që nuk duhet të jeni ndjerë mirë, por ama DASH në një reagim për mediat shqiptare, përfshi dhe Vizion Plus, tha që ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Prokurorinë nëse ajo do të hapte një hetim në këtë rast. Çfarë po ndodh? A po heton Kryeprokurorja ish-Kryeprokurorin, ose me saktë, Prokuroria ish-drejtuesin e saj për këtë çështje dhe për këto akuza?

Arta Marku: Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Shqipëri është treguar gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, për të përkrahur në hetimin e kujtdo zyrtari që është përfshirë në çështje korrupsioni dhe jo vetëm për rastin konkret. Natyrisht që dhe për rastin konkret janë treguar të gatshëm dhe unë gjej rastin t’i falenderoj.

Sokol Balla: Çfarë po bëni ju ishte pyetja. Ka një veprim konkret, ka një regjistrim çështje konkrete hetimore në këtë rast?

Arta Marku: Le të themi që Prokuroria ka marr përsipër përgjegjësitë e veta që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Më tepër unë nuk mund të flas rreth kësaj çështje.

Sokol Balla: Por mund të na thoni diçka më shumë edhe për një gjë tjetër e cila duket se ju bashkon me paraardhësit tuaj. Të gjithë Kryeprokurorët e dekadës së fundit kanë marrë një mbështetje totale dhe të fortë edhe nominale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht përmes Ambasadës këtu, por jo vetëm. Dhe dalim tek pyetja, kush loboi? A pati një lobim për Arta Markun që të vendosej në krye të Prokurorisë së Përgjithshme?

Arta Marku: Çfarë nënkuptoni me lobim?

Sokol Balla: Mbështetje. Dikush që ndoshta dhe ngacmoi interesin e Arta Markut për t’u futur në një garë të tillë, apo ishte iniciativa juaj?

Arta Marku: Unë kam më shumë se 15 vjet që ushtroj këtë profesion, e kam me shumë pasion punën e prokurorit. Dhe kur punon kaq gjatë në një institucion, fillon t’i ngarkosh vetes përgjegjësi përtej asaj që je për momentin. Fillon të mendosh si mund të përmirësohet institucioni, si mund të përmirësohet puna, si mund të shtyhet në drejtim të ligjshmërisë puna e institucionit. Kjo ka qenë ajo që më ka ngacmuar fillimisht kur mora vesh që do kishte një garë për Prokuror të Përgjithshëm. Ju garantoj që nuk është çështje ego apo ambicie për të ecur përpara në karrierën time. Kam menduar që i plotësoj kriteret, kam menduar që nëse do zgjidhem do bëj diçka më mirë për institucionin dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që unë kam marr pjesë në këtë garë.

Sokol Balla: Megjithatë duhet thënë që më 18 dhjetor ju u zgjodhët me 69 vota të një krahu dhe krahu tjetër protestoi apo reagoi ashpër ndaj zgjedhjes tuaj ditën e 18 dhjetorit. A mund të na thoni si e përjetuat atë ditë?

Arta Marku: T’ju them të drejtën nuk kam dëshirë ta kujtoj atë moment. Tashmë ka kaluar dhe sa herë që e kujtoj ndihem jo mirë. Unë e prisja një reagim nga pala tjetër, pasi ishte bërë publike qëndrimi i tyre, por e mendoja një reagim më institucional, më civil. Por nuk dua t’i kthehem.

Sokol Balla: Pyetja është e pashmangshme. Sa ndikon mënyra se si ju u zgjodhët në punën tuaj?

Arta Marku: Nuk do ketë asnjë ndikim në punën time. I kam idetë e qarta në këtë drejtim. Do vazhdoj të punoj ashtu siç kam punuar deri tani, për vite me radhë në profesionin tim, e pa u ndikuar nga askush nga asnjë rrethanë, në respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve.

Sokol Balla: Sa e vështirë është për një grua ta bëjë punën e vet si duhet në këtë zyrë? Precedentët nuk janë shumë entuziast.

Arta Marku: Natyrisht që është e vështirë për një femër që të bëjë një punë të tillë për shkak të angazhimeve që ka një femër, sidomos kur është nënë. Por të qenit nënë e bën të vështirë, por nga ana tjetër çdo femër është më e plotësuar kur ka familje, ka fëmijë kështu që unë ndihem shumë e motivuar për ta bërë punën time, pavarësisht nga vështirësitë.

Sokol Balla: Ndiheni vulnerabël për shkak se jeni nënë, për shkak se keni fëmijë, në një detyrë e cila potencialisht mund t’ju vërë përpara dilemave të forta dhe rreziqeve të mëdha, pasi përballja me korrupsionin apo krimin e organizuar, apo dhe lidhjeve të tyre me politikën, mund ta bëjnë ambientin dhe rrethanat ku ju punoni, pothuajse të pamundura?

Arta Marku: Nuk e kam një përjetim të tillë. Nuk kam probleme të kësaj natyre. Nuk ndihem keq. Mendoj se jam e zonja të përballoj çdo situatë që mund të më dalë.

Share: