Home KRYESORE Lajm i mirë për të gjithë mjekët e infermierët…

Lajm i mirë për të gjithë mjekët e infermierët…

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se drejtorët e spitaleve rajonale universitare dhe atyre bashkiake do t’i nënshtrohen një konkursi, teksa premtoi se mjekët dhe infermierët do të kenë rritje rroge deri në 40% në fund të mandatit.

“Ashtu siç ishte rritja e pagave për mjekët dhe infermierët në vitin 2017 me 10%, ashtu është parashikuar të ketë rritje page deri në 40% në fund të mandatit, pra në vitin 2021”, tha ministrja e ftuar në Dritare me Rudinën.

“Është shpallur konkursi për të gjitha spitalet rajonale dhe universitare, të cilat janë 16 dhe 24 spitaleve bashkiake, për pozicionin e drejtorit. Konkursi, i cili do të jetë i hapur dhe transparent, do të zhvillohet në fund të tetorit dhe në nëntor të gjitha spitalet do të kenë drejtorët e rinj. Ne duam njerëzit më profesionistë, të përgjegjshëm dhe të aftë në krye të spitaleve dhe për këtë arsye konkursi i spitaleve rajonale dhe universitare do të vlerësohet nga mjekë të dëgjuar, menaxherë dhe ekspertë të specializuar, jo vetëm shqiptarë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të menaxhimi të spitaleve nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë. Do të jetë një konkurs i paanshëm, jo në baza partiake apo nepotike, pasi me shëndetin nuk bëhet shaka dhe në kërkojmë menaxherët më të mirë”, tha Manastirliu e cila më tej foli edhe për procedurat e lehtësuara për marrjen e një KEMP-i.

Ajo tha se procedura e deritanishme abuzive do të eliminohet dhe po punohet për një skemë të re rivlerësimi, për eliminimin e burokracive.

“Me skemën e re, qytetarët për të marrë KEMP-in do të shkojnë në spital vetëm për të marrë vlerësimin, pra do të shtrohen në spital vetëm për të marrë vlerësimin nga mjekët. Ndërsa pjesën tjetër do ta bëjë administrata e institucioneve. Qytetari do të marrë vetëm njoftimin, nëse është pjesë e KEMP-it dhe çfarë mase i takon nga pagesa e paaftësisë. Qytetarët nuk do të jenë më pjesë e sorollatjeve, dhe puna e tyre do të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër”, tha Manastirliu.

Share: