Home KRYESORE “Lapsi”: Lexoni sa bukur fliste Rama kur e hoqi taksën e Biznesit...

“Lapsi”: Lexoni sa bukur fliste Rama kur e hoqi taksën e Biznesit te Vogel

Kur krahason premtimet e Edi Ramës në fushatë, me justifikimet që jep pasi vjen në pushtet, gjen perla. Për shembull, kur hoqi Taksën mbi Vlerën e Shtuar, apo TVSH për biznesin e vogël premtoi parajsën për tregtarët.

Në 2013, bridhte dyqan më dyqan duke iu qarë hallin shitësve që i ankoheshin për taksat e larta. I valëviste listat e borxheve nëpër ekranet e televizorit më shumë se flamujt e Rilindjes, dhe pastaj lëshonte premtime për të mirat që do të vinin bashkë me Rilindjen.

Sot tha prap se përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së nuk do të thotë rritje taksash. Të njëjtin mashtrim, që ofendon inteligjencën e atij që e dëgjon, e përsëriste edhe kur rriti taksat për naftën, edhe kur rriti çmimin e energjisë elektrike. Ideja është që sa më shumë të hidhet e të rihidhet grepi përmes fjalimeve dhe bisedave me njerëz që nuk e kundërshtojnë dot, aq më shumë peshq do binden se vërtet, rikthimi i TVSH-së nuk qenka rritje taksash.

Por lexoni një njoftim të shpërndarë nga Partia Socialiste në vitin 2012, kur Edi Rama ishte në opozitë dhe kishte nisur propagandën e fushatës për zgjedhjet e 2013.

Rama ka dalë një xhiro nëpër dyqanet e Durrësit dhe dëgjon hallet e tregtarëve.

NJOFTIMI I PLOTë I PS

Durrës, Rama: Do heqim taksën e biznesit të vogël
10 Sep 2012    

Partia Socialiste në qeveri, vetëm pas 10 muajsh, do heqë taksën e biznesit të vogël. Ka qenë ky një prej angazhimeve të rëndësishme që Edi Rama ka marrë përballë përfaqësuesve të biznesit të vogël në qytetin e Durrësit.

Kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga deputetë të zonës dhe ekspertët që po merren me detajimin e programit ekonomik të PS-së, ka zhvilluar një sërë takimesh me tregtarë të vegjël në këtë qytet, duke u interesuar për gjendjen që po kalon biznesi i tyre. Përfaqësuesit e biznesit të vogël kanë treguar hapur gjithë shqetësimet e tyre që nga rritja e çmimeve të mallrave bazë, rëndimi nga taksat e vazhdueshme dhe deri te pafuqia blerëse në rritje nga java në javë. Dëshmitë e atyre që tregtojnë mallra ushqimorë në qytetin e Durrësit janë rrëqethëse. Lista borxhesh që shkojnë deri në 900 mijë lekë. Tregtarët ngrenë duart dhe i dëshmojnë Edi Ramës pamundësinë e të vazhduar dhënien e ushqimeve pa para në duar. Madje dëshpërimi ka arritur deri aty sa tregtarët pohojnë se “biznesi i vogël është në dorë të Zotit”.

Një prej tregtarëve në tregun e këtij qyteti u shpreh: “Ne paguajmë tatime sa…100 mijë lekë mall janë të tëra dhe unë paguaj njësoj tatime me atë që ka 40 milionë apo 50 milionë lekë mall. Nuk ka asnjë lloj barazie për ne. Unë bëj, qameti, 3 milionë lekë të vjetra xhiro në vit dhe paguaj tatim njësoj me atë që bën 100 milionë lekë xhiro.”

Ndërsa një grua që menaxhon një dyqan ushqimor tregon këtë të vërtetë të rënies së fuqisë blerëse dhe se çka ndodh me listat e borxheve në biznesin e saj:

“Çmimet kanë rreth tre javë që po rriten me 10 lekë më shumë. Vaji për shembull nga 210 lekë është bërë 220 lekë, sheqeri nga 120 është bërë 140. Zarzavatet po nuk flitet. Cigaret na i kanë bllokuar, s’na furnizojnë fare se duan të bëjnë një ngritje të lehtë. Me listat mos e pyet. Në qoftë se biznesi i vogël falimenton prej ndonjë gjëje, ky është falimentimi prej listave. Ka rënë fuqia blerëse, në përgjithësi ka rënë leku. Unë kam 20 vjet në këtë dyqan, ata klientë kemi, nuk ikin klientët, por nuk kanë me se të blejnë. Unë për vete jam shitëse e vjetër dhe i njoh, nuk mund ta kthej klientin, kur  vjen të lutet tjetri për një kafshatë bukë. Çfarë do i thuash, ka fëmijën pa bukë. Jemi prindër, jam nënë.

Në listë nuk janë shifra të vogla dhe janë shifra reale. Nuk janë me nga 10 mijë e 20 mijë lekë, por janë me nga 150 e 200 mijë lekë. Ka dhe me nga 900 mijë lekë. Këto më falimentojnë mua”.

Në një prej bareve të qytetit bregdetar Edi Rama do të dëgjonte nga pronarja e tij përsëri rënien drastike të fuqisë blerëse: “Njerëzit marrin vetëm gjëra 50 lekëshe. Lokali brenda bosh. Energjia elektrike në kupë të qiellit. Çmimet rriten. Ne nuk luajmë dot as edhe një 10 lekësh, se qytetari shkon mbas 10 lekëshit, deri aty ka shkuar. Unë ta bëj kafen 60 lekë nuk e bëj dot. Jam e detyruar ta mbaj 50 lekë. Nuk ka fuqi blerëse. Nga këto pijet e shtrenjta nuk bëhet fjalë. Vetëm kafja konsumohet, ajo ka ngelur. Unë kam fat, se e kam lokalin tim, kurse këta të tjerët që mund të jenë me qera nuk e di si ia bëjnë”.

Lideri i Partisë Socialiste ka shprehur vendosmërinë e tij për të rilindur ekonominë e vendit dhe atë të çdo familjeje shqiptare dhe e ka konsideruar të patolerueshme rënien e fuqisë blerëse në vend. Ai tregoi dhe angazhimin e parë konkret dhe direkt për biznesin e vogël. “Do heqim taksën e biznesit të vogël”. Ky një nga angazhimet e PS që është i shkruar në Programin “Për një Rilindje Shqiptare”.

“Përtej krizës së përgjithshme problem themelor në këtë sistem padrejtësie është se rëndesën më të madhe me taksa e ka biznesi vogël. Nga premtimi për përgjysmim  të taksave biznesi i vogël sot paguan 3 herë më shumë taksa. I paguan edhe bashkisë, edhe qeverisë, edhe tatim për të ardhurat, edhe TVSH. Me këtë sistem taksimi është e pamundur që biznesi i vogël të mbijetojë. Unë kam shumë kënaqësi t’ju them, që lajmi i parë nga program ynë i ri është që ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe nga ana tjetër do të bëjmë të mundur që biznesi vogël që fiton më pak të paguajë më pak dhe biznesi i madh që fiton më shumë të paguajmë më shumë. Historia që dikush lufton për bukën e gojës, dikush fiton miliarda në muaj dhe të gjithë paguajnë njësoj, do të thotë që në fakt ata që fitojnë më pak paguajnë më shumë, ata që fitojnë më shumë paguajnë më pak.

Heqja e taksës së biznesit të vogël dhe nxitja e biznesit të vogël është një nga hapat më të rëndësishëm që ne do hedhim për ta rilindur ekonominë dhe për t’i dhënë mundësi ekonomisë familjare që të fillojë të marrë frymë.

Kudo ku shkojmë dhe këdo që takojmë dëgjojmë të njëjtën gjë, ka rënë fuqia blerëse, ka rënë konsumi, fitojmë shumë më pak se dje, paguajmë shumë më shumë se dje. Kjo është e patolerueshme. Dhe, kjo situatë është në qendrat e rëndësishme ekonomike të vendit, në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Vlorë, pa llogaritur qytetet më të vogla ku varfëria është ulur këmbëkryq, ku papunësia është gjithandej, si dhe ku praktikisht biznesi vogël është mbijetesë në kushte ekstreme”, është shprehur Edi Rama./Lapsi.al

Share: