Home KRYESORE Llushtraxhiu Romi Topi ne Londer na zbardh faqen si Inva Mula e...

Llushtraxhiu Romi Topi ne Londer na zbardh faqen si Inva Mula e Ermonela Jahaj, Rita Ora, Dua Lipa, e tjere…

Nga Altin Bamllari

Nëse ndihesh faqezi, por edhe nëse ndihesh i turpëruar nga faqezinjtë, unë zbulova një llustraxhi në zemër të Londrës që ta zbardh faqen për 5 minuta. Quhet Romi Topi ose, ndryshe, llustraxhiu me kravatë. Do pyesni ju: po ky llustron apo bën make-up? E pra, ky i bën të dyja. Anglezëve ua shkëlqen këpucët e shqiptarëve ua zbardh faqen. Po si? – do thoni ju. Ja ashtu si Inva Mula e Ermonela Jahaj, si Rita Ora e Dua Lipa, si Tedi Papavrami, si Kledi Kadiu, si Fadil Berisha, si Ilir Shaqiri, si Ermal Meta, si të gjithë ata shqiptarë të mirë që na nderojnë anembanë botës.

Tani e teprove! – do më qortoni ju. Aspak! Ky djalë është një ambasador i shkëlqyer i njerëzve të thjeshtë, i gjithë shqiptarëve që punojnë e sigurojnë jetën ndershmërisht. Ky djalë është një xhevahir, një shpirt bujar që rrezaton vetëm mirësi, që dashuron punën dhe familjen e vet e, për më tepër, krenar që është shqiptar. Ky nuk është një llustraxhi i zakonshëm, ashtu siç e përfytyroni ju në rrugët e Tiranës. Ky është një artist me “audiencë” të lartë. 17 vjet në Burlington Arcade. 50 palë këpucë në ditë. Me mijëra e mijëra klientë, që u flet e u tregon të vërtetën tonë. E pashë vetë. Qëndrova aty. Ai ishte për ta si një magjistar.

Kur shkova për ta takuar, në celular kisha adresën e firmës, Shoes Shine Service. Me të mbërritur, në korridorin lluksoz pashë një djalë duke llustruar. Desha ta pyes, por pastaj vazhdova drejt. S’mund të jetë ai. Unë po kërkoja një zyrë. Pastaj pyeta dikë. Ai buzëqeshi e më tregoi me dorë: Ja ku e ke!

U ktheva mbrapsht. I fola shqip. Ai u çua menjëherë. Hoqi dorezën e djathtë e më takoi si nga anët tona. -Është patrioti im, është shqiptar, i tha klientit, duke i kërkuar njëkohësisht edhe ndjesë. Ja mbarova. Kam edhe dy të tjerë e do ta mbyll.

Dhe ashtu bëmë. Ai paketoi gjërat, unë mbusha celularin me foto. Ai para, unë pas. Me Romin s’kishte llafe. Nuk ngeli njeri pa e përshëndetur. Matanë rrugës futemi në dyqanin më të famshëm të purove. I madhi Churchill porosiste pikërisht këtu. Një burrë i vjetër përqafon Romin, i biri po ashtu, një i tretë i jep dorën.

– Altin, kjo është familja ime, ky është babai im. Një atmosferë e parrëfyer. Ky djalë u bënte magji të gjithëve .

– Më ka ardhur ky miku nga Shqipëria. Do shkojmë për darkë e do ta ndezim nga një puro.

-Zgjidh e merr, foli “babai”.

Ç’të zgjidhja? Zgjodha një Cohiba mesatare. Jo tha plaku. Po më kursen. Merr këtë dhe më zgjati një pako. Nuk po ua them çmimin. Romi hodhi lekët, plaku ia fuste në xhep. Bëmë foto.

Ikëm. Kalojmë në rrugën më të famshme të këmishave. Ndalojmë te një dyqan luksoz. Na përshëndet pronari.

-Këto janë produktet e mia, më thotë Romi. Unë e shoh si guak. Set furçash, bojërash, kremrash, lidhësesh ngjyra-ngjyra. -I porosis në Kinë dhe m’i paketojnë me logon time. Kam edhe tre llustraxhinj të tjerë që punojnë për mua, një italian, një polake e një indian. I kam shpërndarë në tre qendra të ndryshme. I kam trajnuar dhe e bëjnë punën si unë. Më ftojnë në evente të ndryshme edhe firmat e mëdhaja si Ralph Lauren, Gucci, Louis Vuitton, Dior e Breguet.

Këto po thoshim kur arritëm te Gaucho, restoranti me emër argjentinas. Aty ndërruam temë. Me këtë djalë mund të bisedoje për gjithçka. Më magjepsi me historinë e tij të dashuirisë me vajzën hollandeze, me të cilën ka sot tre fëmijë.

Por ajo që më la pa fjalë ishte akti i tij human i para 4 vjetëve. Kishte ardhur në Sarandë dhe notoi deri në Korfuz me idenë që të mblidhte fonde në ndërtimin e një monumenti simbol për gjithë të arratisurit dhe të vrarët në kufi. Bashkia bëri sikur e mbështeti, por s’u kujdes aspak t’i bënte jehonë në shtyp, përveç një gazete të vogël lokale. Ndërsa media zhurmëmadhe, ngjarje të tilla s’i ka hiç në refene. Sidoqoftë, Romi bëri të vetën.

U ndamë vonë. Rrugës për në shtëpi, duke sistemuar disa mendime, bëra një paraleizëm midis bojaxhinjve të fasadave dhe Romit, korçarit që na e zbardh faqen përditë nga ata që na e nxijnë.

L'immagine può contenere: 1 persona, con sorriso, in piedi

Share: