Home KRYESORE “Më mbyti në dajak”/ 17-vjeçari befason në gjyq: I vdekur mbeti Anxhelo,...

“Më mbyti në dajak”/ 17-vjeçari befason në gjyq: I vdekur mbeti Anxhelo, por viktimë jam unë

Gjykata e Durrësit vendosi si masë sigurie “arrest në burg” për 17-vjeçarin Devid Lala.

Ai qëlloi për vdekje tri herë me thikë bashkëmoshatarin e tij, Anxhelo Gjokazaj, ngjarje e ndodhur mesditën e së premtes në Spitallë.

Mësohet se dy adoleshentët ishin konfliktuar me njëri-tjetrin dy ditë para se të ndodhte krimi i rëndë. Para trupit gjykues, Lala tha se kishte qenë i detyruar ta qëllonte me thikë 16-vjecarin, pasi ky i fundit, së bashku me një të afërmin e tij, e kishin shtrirë në tokë duke e goditur pa pushim.

Ai theksoi se ishte penduar për veprimin e tij, por deklaroi se shkaktarë për nisjen e konfliktit ishin bërë Gjokazaj dhe një i afërmi i tij. Sipas 17-vjeçarit, Gjokazaj dhe kushëriri i tij i kishin zënë pritë pranë urës (ku ndodhi ngjarja) dhe në momentin që ishte afruar, ai është sulmuar barbarisht nga dy adoleshentët.

Lala tha se ata e kanë qëlluar disa herë derisa e kishin shtrirë në tokë, duke e goditur me sende të forta dhe me aparatet celulare në kokë. I pyetur për thikën që qëlloi mbi 16-vjeçarin, ai u shpreh se e kishte blerë pasi dy ditë para se të ndodhte ngjarja, ishte konfliktuar me Gjokazaj dhe e priste një sulm nga ai.

“Pavarësisht se i vdekur mbeti Anxhelo, viktimë e asaj ngjarjeje jam unë. Nuk meritoj të jem këtu pas hekurave, por fati i keq bëri që të mbyllem këtu. Më vjen shumë keq që situata shkoi kështu. Absolutisht nuk kisha për qëllim ta vrisja, por t’i trembja se me kishin vënë për poshtë dhe më mbytën në dajak”, u shpreh dje në gjykatë 17-vjeçari që shkaktoi vdekjen e bashkëmoshatarit të tij.

Gjyqtari e pyeti gjatë seancës se pse ishin konfliktuar.

“Dy ditë para ngjarjes, ne u konfliktuam në lagje. Kishim njohje me njëri-tjetrin, por nuk ishim shokë. U konfliktuam, pasi më provokuan ai me kushëririn e tij. Bëmë llafe, por na ndanë shokët e tjerë. Isha i sigurt se nuk kishin për ta lënë me kaq dhe bleva një thikë që e mbaja me vete, sigurisht për t’u mbrojtur. Atë ditë, shkova në shkollë dhe pasi mbarova mësimin, u ktheva në shtëpi. Hëngra pak bukë, lashë çantën e librave dhe dola për të shkuar në qendër ku rrinë shokët e tjerë. Në momentin që po zbrisja, Anxhelo dhe kushëriri i tij më kishin zënë pritë tek ura, pak metra larg vendit ku do shkoja unë. Kur u afrova, me sulmuan të dy, më qëlluan dhe më shtrinë në tokë, duke më goditur me mjete të forta dhe telefonat celularë në kokë. I ndodhur në këto kushte dhe i pafuqishëm për t’u larguar, nxora thikën dhe e qëllova Anxhelon disa herë, më shumë nga frika se sa nga dëshira për t’i bërë keq. Pasi e qëllova, u largova së bashku me thikën, të cilën e hodha disa metra më tej në një kanal. Anxhelo, i plagosur, iu drejtua shtëpisë së tij, ndërsa atë djalin tjetër që është kushëriri i tij, nuk e pashë se nga iku. I vetëdijshëm për çfarë kisha bërë, prita të vinte Policia”, ka deklaruar gjatë seancës për masën e sigurisë Devid Lala, i cili u la në burg nga trupi gjykues.

Për shkak se autori konsiderohet i mitur, Gjykata e Durrësit kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura. Për të ndryshuar masën e sigurisë, avokati i 17-vjeçarit duhet të apelojë vendimin. Ndërkohë, Lala iu është bashkuar bashkëmoshatarëve të tij në burgun e Kavajës, të cilët janë arrestuar për vepra të ndryshme penale. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së premtes (14.30) në Spitallë, kur Lala qëlloi tri herë me thikë Anxhelo Gjokazaj. 16-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dy orë më vonë./L.Muasaj/Burimi: Panorama

Share: