Home KRYESORE Milionat e politikës shqiptare për të bërë fotografi në Uashington

Milionat e politikës shqiptare për të bërë fotografi në Uashington

Nga Mentor Kikia

Dokumentat e bëra publike deri tani konfirmojnë se nga Partia Demokratike, apo për llogari të Partisë Demokratike të Shqipërisë, janë paguar së paku 620 mijë dollar për të lobuar në SHBA. Lufta politike e PS-së është përqëndruar në faktin se këto para mund të jenë me origjinë ruse, duke përforcuar kështu edhe dyshimin se rusët po përpiqen të influencojnë politikën në Ballkan.

Kjo puna e Rusisë mund të jetë një kauzë politike që prodhon shumë interes në Uashington, por në Europë nuk përbën lajm. Shqiptarët dhe europianët nuk mund të tremben se partia më e madhe e opzitës ka lidhje me Rusinë. Serbia e deklaron zyrtarisht e publikisht marrëdhënien e saj vëllazërore me Rusinë dhe është kandidat për tu pranuar në BE më shpejt se të gjitha vendet aspirante të rajonit tonë.

Ajo që shokon më shumë shqiptarët është fakti që partitë shqiptare, PD, PS e LSI kanë shpenzuar e shpenzojnë shuma të mëdha parash për të bërë lobim në SHBA. Dhe çfarë lobimi? Jo lobim në emër e për interes të Shqipërisë, por lobim për të hapur dyert e ca zyrave në Kongres dhe Departamentin e Shtetit. Përmes këtyre sekserëve ushëheqësit shqiptarë ia kanë dalë të futen deri në Shtëpinë e Batdhë e të bëjnë foto edhe me presidentët e SHBA. Këta sekserë në SHBA janë të ligjshëm dhe ky është një biznes, përmes të cilit SHBA shet influencën politike. Përmes kësaj metode, në zyrat më të larta të politikës amerikanë kanë kaluar e janë fotografuar edhe maskarenj e diktatorë, nga çdo vend i botës së tretë.

Pas çdo vizite që zhvillojnë politikanët tanë në SHBA, zyrat e tyre të shtypit shpërndajnë foto nëpër korridoret e institucioneve apo takime 5 minutëshe, sa për të bërë një filmim. Këto lajme shiten në Shqipëri si takime që dëshmojnë mbështetjen e Uashingtonit për njërin apo tjetrin syresh.

Por pyetja që mund të bëhet është: A ia vlejnë këto para? A kanë patur ato efekt apo ndikim në elektoratin shqiptar? Unë mendoj që jo. Shqiptarët janë ngopur me fotografi me zyrtarët amerikanë. Më shumë se nga lobuesit amerikanë që kushtojnë miliona dollarë, ata po ndikohen nga shitja e votës për fare pak dollarë. Në fund të fundit, çfarë fitoi PD nga lobimi 600 mijë dollarësh dhe konsulenca amerikane?

Në fushata elektotrale, partitë tona paguajnë kompani të huaja konsulence, që nuk kanë asnjë lidhje e asnjë dijeni mbi Shqipërinë. Dhe sërish janë miliona dollarë që paguhen, e që në fakt kanë vetëm një strategji: Si të manipulohet më mirë opinioni publik përmes medias, dhe jo si të ndërtohet një startegji më e mire, në shërbim të vendit dhe shoqërisë./opinion.al

Share: