Home KRYESORE Mjeku i njohur: TRISHTIMI im REVOLTUES dhe i PËRDITSHËM…

Mjeku i njohur: TRISHTIMI im REVOLTUES dhe i PËRDITSHËM…

Nga Tritan Kalo

Më ndodh të udhëtoj së paku dy herë në ditë për në spital me autobuzin e linjës urbane të Unazës.

Nga ajo çka vëzhgoj çdo ditë aty dhe jo vetëm, po më krijohet bindja e trishtë dhe e pandryshueshme se popullit tonë, pavarësisht nga mosha apo seksi i është ndrydhur në mos asfiksuar deri në mosegzistencë instikti, shpirti i të reaguarit, i të kundërshtuarit, i mospranimit të diçkaje apo të gjithshkaje, që nuk shkon në të mirën e tij.

Për të shpenzuar sa më pak karburant, edhe pse i rritën 25% tarifat e biletave, në ato autobuzë të një linje urbani mjaft të frekuentuar prodhim kinez, që përsa i përket kurbaturës së tyre plotësojnë mjaft mirë kriteret e modelit “kuti konserve”, nuk ndizen në më të shumtën e rasteve kondicionerët dhe ajri që qarkullon në ta është mbytës si në verë po ashtu edhe në dimër, sidomos në dy momentet e pikut: në mëngjes dhe rreth drekës, para ose pas saj.

Pronarët e linjës i kanë modifikuar autobuzët duke u hapur katër dritare (dy para dhe dy në mes), për të bërë të mundur disi ajrisjen e tyre në mungesën e përdorimit të rregullt të kondicionerëve, sikundër është e parashikuar nga konstruktori, dritare që fusin pluhurin e ajrin e ngarkuar me tymrat e gazrave të mijra makinave qarkulluese në unazë.

Ajo që mua më brengos më shumë është fakti se zëri im kurdoherë kërkues ndaj drejtuesve të mjetit apo biletaprerësit për aktivizimin e sistemit të kondicionimit të ajrit, vijon të mbetet në më të shumtën e kohës një zë në humbëtirë i pandjekur prej zërave të tjerë, edhe pse në atë moment mundet të ketë së paku 50 – 70 dihatës e trupa të tjerë plot djersë në atë autobus….

INDIFERENCA vetë-nënshtruese deri në poshtërim e qytetarëve tanë ndaj çdo padrejtësie që atyre u bëhet edhe 25 vite pas pluralizimit politik e përpjekjeve për ndërtimin e një shoqërie demokratike sado e vogël qoftë ajo, është e natyrës ekzemplare. Shkalla e ndërgjegjësimit qytetar të tyre, shkalla e përgjegjësisë në rrallë të parë ndaj vetes, por edhe ndaj shoqërisë ku jetojnë LEN shumë-shumë për të dëshiruar, çka të bën pesimist e shumë pak optimist se një ditë, emancipimi qytetar i tyre dhe ardhmëria jonë e përbashkët do të mundet të njohë ritmet e duhura të zhvillimit, për ta renditur popullin tonë denjësisht me KOMBET e tjera të civilizuara të Kontinentit Europian…

IKJA, lënia e vendit pas indiferencës vetë-poshtëruese për padrejtësitë që bashkëatdhetarëve të mi u bëhen, është varianti i dytë mëse negative i reagimit tonë qytetar. Mbi 110.000 shqiptarë morën udhët e Gjermanisë, Hollandës, Britanisë së Madhe etj., vetëm në këto tre vitet e fundit, mbi 250.000 të tjerë aplikojnë për çdo vit për Llotarinë e Emigacionit në SHBA, POR në asnjë çastë të vetëm këta qindra-mijra qytetarë nuk e ngritën zërin në unison, për të patur edhe ata si çdo popull i Demokracive Europiane një nivel jetësor optimal si dhe një sistem arsimor e shërbim shëndetësor publik po aq cilësor, të ofruar kudo ku ata ndodhen.

Mos-sigurinë për të ardhmen tonë e sheh qartazi jo vetëm në faktin se mbi 1/3 e popullatës e ka lënë vendin këto 25 vitet e fundit, por më drithërues e optimist-thyerës është fakti se qindra e mijra individë apo familje në kushte të lakmueshme në ditët e sotme për shumicën tonë, janë bërë kohët e fundit pjesë e “aradhës” së madhe dëshirplotë dhe vullnetpathyer për tu larguar nga Shqipëria.

Vëndi po zbrazet dita-ditës jo vetëm në aspektin numerik të popullatës së tij por mbi të gjitha edhe në aspektin mendor, intelektual të tij, pavarësisht propogandës marramendëse të sukseseve të pafundme socio-politiko-ekonomike si të para po ashtu edhe të pas Rilindjes…

Emigracioni pak a shumë masiv nuk është dhe nuk duhet parë si një “Revoltë sociale”, nuk është aspak një “Zëngritje” apo një “Socio-revolucion” në udhën për të kërkuar një jetë më të mirë, por ai është mënyra më e mirë për ti shërbyer komoditetit qeverisës koruptiv dhe të papërgjegjshëm të “Bejlerëve dhe Bejleruçinave” tanë, që në 71 vitet e fundit e sollën vëndin në kushtet e pajetueshmërisë optimale në të….Bashkëkombas të mi.

NËSE ende keni në deje sado pak gjak shqiptari, nëse ende keni në zemër e në mëndje edhe më të voglën ndjesi qytetare , OBJEKT i revoltës suaj duhet të jetë kjo klasë politike si përgjegjësja kryesore e gjëndjes suaj, kjo kastë e korruptuar deri në qelizën e fundit të saj në të treja nivelet e “Pusht – shtetit”: në atë Gjyqësor, Legjislativ dhe Ekzekutiv.

MËNYRA e reagimit dobiprurës për vete dhe për të gjithë shoqërinë tonë nuk është “indiferenca vetë-poshtëruese” apo “ikja” nga Shqipëria, POR vetëm e vetëm zëngritja, revoltimi i ndërgjegjësuar për padrejtësitë e bëra më parë apo të atyre që po bëhen përditë ndaj jush. Në të kundërt, me ritmet e zbrazjes së vëndit, me ritmet e zvillimit të tij pervers socio-ekonomik përmes “kanabizimit”, “gërdecizimit” apo të importimit të “mbetjeve të gjelbërta”, do të mbrij një ditë që pas dhjetra vitesh, në trojet e Shqipërisë Natyrale të 28.11.1912-ës, do të ketë pak e më pak Shqiptarë si dhe shumë e më shumë Ardhanakë shqip e jo shqipfolës, të cilët ndoshta një ditë të bukur do të kërkojnë që këto troje të mos quhen më SHQIPËRI, që gjuha e komunikimit në mes tyre të mos jetë më gjuha më e ambël në botë, GJUHA SHQIPE, por ndoshta gjuha greke, turke, sërbe, hebraike, italiane, engleze, gjermane, arabe, perse apo kineze, si dhe që SIMBOLI ynë kombëtar, Flamuri Kuq e Zi të mos valëvitet më mbi kokat e tyre….

Kurrë të mos harroni faktin thelbësor se, ATDHEU mbi të gjitha është i yni e jo i partive dhe i “politi-qenërve” të çfarëdo ngjyre!!!!…..QUO VADIS SHQIPËTAR!!!….QUO VADIS SHQIPËRIA IME!!!!…

Share: