Home KRYESORE Mos e humbni/ Nard Ndoka: Si e mbaja në ajër Gretën, çfarë...

Mos e humbni/ Nard Ndoka: Si e mbaja në ajër Gretën, çfarë më tha Jozefina dhe…

Nard Ndoka: Si e mbaja në ajër Gretën, çfarë më tha Jozefina dhe… (një intervistë për të mos u humbur ne Tema.al)

Një stinë ndryshe kjo për politikanin e famshëm Nard Ndoka, i cili ngritjen e zërit opozitar në Kuvend e zëvendësoi me ngritjen e balerinave në ajër, në padjeshkat që, për çudinë e të gjithëve, arriti t’i realizonte si duhet. Spektakli “Dance with me” ka shpallur fituesit e tij, Renato Mekollin dhe Laura Nezhën, edhe pse po aludohej se kupën do ta fitonte çifti i politikanëve Nard Ndoka e Greta Koçi.

Kryetari i Partisë Demokristiane, aktualisht deputet i Kuvendit, rrëfen për ‘Panorama’ tërheqjen me takt nga gara, pasi po përfliteshin si fitues, si u bë objekt i bisedave me deputetëve në seancat kuvendore dhe çfarë fshihej pas ngacmimeve të Bert Aliajt për Greta Koçin.

Një politikan që theu tabu, duke u bërë pjesë e një shou ku kërcehet. Pate momente pendese gjatë kësaj eksperience televizive?

Pas përfundimit të spektaklit “Dance with me”, me një analizë të detajuar, mbi ato çfarë më ofroi mua dhe se çfarë unë ofrova te publiku, sot konstatoj me kënaqë- si që kam marrë maksimalen e performancës në një spektakël të përmasave kombëtare. Tashmë e konsideroj një rrugë që përshkohet për herë të parë nga unë, dhe për fat me shumë sukses, jo vetëm duke thyer një tabu, por duke vendosur standard të ri, një model ndryshe të një politikani, njerëzoren, konkurrencën, pjesëmarrjen dhe suksesin. Sot, vlerësoj jo vetëm që nuk ka pendesë, por ishte vendim i guximshëm dhe i rëndësishëm, që ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në njohjen te qytetari votues në një format tjetër njerëzor, ndryshe nga formati i ftohtë i politikanit parafabrikat.
Numrat e kërcimit ishin të ndryshëm e të vështirë deri te padjeshkat e balerinave. Ishte e thjeshtë t’i realizoje?

Në fillim kërcimi më dukej mision që nuk mund ta përmbushja si duhet, nga shumë faktorë të ndryshëm, që më pengonin në raport me konkurrentët e tjerë. Javët e para më shoqëruan me emocione, ngurtësim, frikë, por edhe me vendosmëri për të vazhduar më tej. Shumë shpejt u ambientova me kërcimin, disiplinat, teknikat dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte me kërcimin dhe spektaklin. Padjeshkat u bënë shumë shpejt numrat e preferuar për mua, duke më përballur me to maestro Albi Nako nga numri në numër, duke e rritur shkallën e vështirësisë, por edhe performancën.

Sa e vështirë ishte të mbaje një femër në ajër, nuk kishe frikë se të rrëshqiste nga duart?

Të zotërosh skenën, të mbash një balerinë në ajër, apo ta presësh atë nga hedhjet spektakolare në tri metra largësi ishte kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e madhe.

Me partneren në garë, Greta Koçi, u identifikuat si çifti skenik i politikës. Po si politikanë, çfarë aleancash mund të bëni më tej?

Greta ishte një partnere spektakolare në kërcim, në pjesët e filmave që na shoqëruan dhe në provat e përditshme. Vajzë me kurajë profesionale të admirueshme, e veçantë edhe për kastin e VIP-ave pjesë- marrës. Është natyrë e çiltër dhe me prirje lidereje në politikë. Kemi biseduar gjatë edhe për politikën, bashkëpunimin për më tej. Besoj se rruga jonë e bashkëpunimit nga spektakli do të vazhdojë gjatë edhe në politikë.

Çfarë këshille i ke dhënë asaj për të spikatur në politikë?

Në politikë Greta është e orientuar, ka ndjesinë e një personazhi publik dhe është e qartë për rrugën e saj. Nga eksperienca ime, i kam dhënë mjaft këshilla, që kryesorja është pjesëmarrja dhe aktivizimi maksimal në jetën politike në të ardhmen.

U mërzitët që nuk e fituat ju kupën? Cili çift e meritonte, sipas jush?

Nuk u mërzitëm shumë, për faktin se statusi ynë, ndryshe nga konkurrentët e tjerë, na jepte njëfarë epërsie në garë dhe paragjykimet filluan të bëheshin të bezdisshme. Gjithandej flitej se ne do ta fitonim kupën e “DWM”, kjo na bëri që t’i largoheshim garës me takt. Sa për kolegët tanë, ata pothuajse të gjithë ishin konkurrentë të fortë. Të gjitha çiftet kishin epërsitë e tyre të dukshme. Fituesit nuk gjykohen, sepse janë shumë elementë që merren në konsideratë, në një spektakël të këtyre përmasave. Ndaj të gjithë konkurrentët e mirëkuptuam dhe pranuam stafin drejtues dhe publikun, në gjykimin e tyre. Në fund të fundit, të gjithë e trajtuam edhe garën si një lojë të bukur, që të jep emocion.

Këta tre muaj mund të quhen të veçantë për ty, pasi nga provat uleshe pastaj në karrigen e Kuvendit. Ç’të thanë kolegët deputetë për performancat e tua?

Në fillim disa më shikonin me habi, guxim i madh më thoshin, kujdes se po na përfaqëson edhe ne! Mos na zhgënje, duhet të fitosh, i madh je, si nuk përton etj., etj. Shumica e kolegëve më kanë përgëzuar. Në përgjithësi, koleget femra më kanë komplimentuar pa fund dhe me simpati të dukshme.

Mund të na përmendësh ndonjë prej tyre?

Një ditë në Kuvend, më thotë Jozefina Topalli se e kishte marrë nëna e saj në telefon kur transmetohej programi në “Tv Klan”, për ta pyetur nëse po e shikonte këtë kanal. “E’shikon Nardin tuj kërcy, moj Jozi? Pash Zotin sa mirë ka kcy!” Shumë kolegë e kanë ndjekur spektaklin, më kanë dërguar urime me SMS, por edhe në komisione parlamentare dhe seanca kemi biseduar shpesh për “Dancin” për vështirësitë aty, por edhe për kënaqësitë që të jep një spektakël i tillë.

Përballjet me Bert Aliajn ishin të shpeshta, siç ishte dhe një batutë e tij kur tha nëpërmjet bustit simbolik se po të ishte i zgjuar, Nard Ndoka do të merrte për grua Gretën. Çfarë të tha bashkëshortja në shtëpi?

Spektakli kishte edhe humorin pjesë të rëndësishëm si komponent. Edhe thënia e Bertit ishte në këtë kuadër, si “thashetheme” në mes kolegësh, që në këtë rast ishin fantazi të mirëkuptuara vetëm për humor. Kemi pasur një harmonizim për batutat, humorin, surprizat, kamerat e fshehta dhe çdo element tjetër, që kompletonte magjinë e spektaklit “Dance with me”.

Tani që e provove skenën, je penduar që s’je marrë me art, mbase do të ishte jeta më e bukur se në politikë?

Arti është jetë, ku shpirti gjen qetësi. Por unë, ndoshta për fat të keq, jam i gatuar për politikë. Politika është adrenalinë për mua, pasi nuk mund të rri në qetësinë që të dhuron arti. Kam tentuar gjithmonë më shumë se kaq, se politika është pa fund me mundësi për të dhënë më të mirën tënde, duke promovuar idetë, duke pranuar konkurrencën, ndaj mbetet e preferuara për mua, se sfidat të shoqërojnë në çdo hap.

Të kërcesh me partnere do të thotë t’i analizosh mirë lëvizjet femërore. Ti kë preferon më shumë, femrën që të josh me komunikim apo me gjuhën e trupit?

Nuk mund të pretendoj se u bëra profesionist në kërcim, por mësova shumë në fakt, aq shumë sa nuk më konkurron asnjë deputet. Unë i provova të dy tipat dhe prerjet e balerinave, profesionale dhe joshëse, por tashmë në vallëzim preferoj vetëm bashkëshorten time, për faktin se me atë që kërcen duhet ta dashurosh, jo të aktrosh.

Cila është filozofia jote për t’i dhënë jetës ngjyra?

Unë i pëlqej shumë ngjyrat, të gjitha ngjyrat, të ylberit dhe të jetës. Ngjyrat nuk kanë limit për mua, i dua pa fund, por pa e kaluar ylberin./tema/

Share: