Home KRYESORE Muza martire e Gjirokastrës…

Muza martire e Gjirokastrës…

Nga Dorian Koci

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim që vazhdon të mbetet një studim i çmuar në kritikën Naimjane. Musine Kokalari është autorja e parë që nxjerr në pah ndikimin e panteizmit bektashian në veprën e Naim Frashërit, tipar i cili është përmenduar shumë herë më pas në studimet kritike rreth Naimit, por pa e cituar asnjëherë formuluesen e parë të kësaj teze shkencore në kritikën letrare.

Në vitin 1939, ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”. Tregimet rrëfenin jetën, doket e zakonet e një qyteti madhështor si Gjirokastra. Ato ishin rrëfime të një bote që po perëndonte nën transformimet moderniste që po kalonte shoqëria shqiptare, por dhe shumë autentike ku personazhe të tillë si plakat gjirokastrite apo dhe Kako Pino të mbeten në mendje jo vetëm për vërtetësinë e portretizimit të tyre por edhe për leksikun shumë të radhë e të veçantë që përdornin. Vepra e saj është në monument shumë i veçantë leksikologjie, një gurrë ku shumë shkrimtarë të mëvonshëm gjetën frymëzim.

Musine Kokalari ishte një intelektuale që guxonte dhe nuk rrinte duarkryq përballë problemeve të vendit. Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk do të pajtohej kurrë me pushtimin italian të Shqipërisë dhe në vitin 1943, së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik është një vlerë e shtuar për të majtën shqiptare, pasi tregon se monopolin e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe regjimit fashist, nuk e kishin vetëm komunistët por edhe rryma të tjera brenda së majtës shqiptare.

Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Ata ishin viktima të pushkatimeve pa gjyq të 60 vetave, intelektualë e njerëz të shquar të ellitës shqiptare për të cilët Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit 23-27 nëntor, do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Ajo ka për të mbetur intelektualja më kurajoze dhe ikonë e opozitës shqiptare antikomuniste.

dorian koci1Në gjyq ajo do të shprehej me një guxim të pashoq intelektual e njerëzor se “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

*Muza është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e viteve 30′

Bibliografi: Musine Kokalari.Vepra 1 dhe 2. Përgatiti për botim Novruz XH. Shehu

Share: