Home KRYESORE Ndalohen reklamat e mjekëve apo institucione shëndetësore në TV.

Ndalohen reklamat e mjekëve apo institucione shëndetësore në TV.

Nga Alma Demiraj, Doktor33.al

Për të përfituar të ardhura, ekranet e televizioneve shqiptare po i dedikojnë hapësira të ndryshme  reklamave në fushën e shëndetësisë. Në këto transmetime evidentohet qartë fakti se mjeku apo institucioni shëndetësor është “më i miri në ofrimin e shërbimit”, madje edhe kur nuk është, duke ndikuar në sugjestionimin e publikut, duke zbehur dhe humbur besimin e pacientëve tek specialistë apo struktura të tjera.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Prof.Dr.Fatmir Brahimaj në një prononcim thotë se përmbajtje të tilla shkelin rëndë Kodin e Etikës dhe Deontologjisë, i cili në nenin 60 pika 3 thotë:

Është e ndaluar për mjekun të merret me reklamë a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor dhe edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes, që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal apo të një institucioni të caktuar“.

Sipas Prof.Brahimajt, mjeku është i lutur të dalë dhe të bëjë informimin shkencor apo edukimin shëndetësor të publikut, por jo ta çorodisë publikun duke thënë që “ne jemi më të mirët” dhe ata, nënkuptohet, të tjerët, mbeten të këqijtë. “Deklarata të tilla zbehin dhe dobësojnë besimin te mjekët, dhe strukturat të tjera përveç atij që bën reklamën. Marrëdhëniet mjek/ pacient kanë në themel të tyre besimin reciprok. Pa besim nuk arrihen rezultatet e pritshme të trajtimit të të sëmurit. Ky besim nuk duhet të ngrihet mbi reklamat. Nëse një klinikë apo spital i ri dëshiron të bëjë reklamë, mund të thotë që “është hapur një spital dhe ofron këto shërbime” por jo të thotë “ne jemi më të mirët dhe unë si mjek që punoj atje jam më i miri”, sqaron Presidenti i Urdhrit të Mjekut.

Sipas kreut të Urdhrit të Mjekut, Dr.Brahimaj, një mjek që shkel këtë Kod Etike, duhet të kalojë në Komisionin e Gjykimit Profesional dhe t’i nënshtrohet masave për shkelje të Etikës. Por Urdhri i Mjekut fillimisht ka preferuar ta ndajë këtë shqetësim në rritje me Autoritetin e Mediave Audiovizive AMA, e cila, nga ana e saj ka paralajmëruar subjektet audio dhe audiovizive që të evitojnë transmetimin e përmbajtjeve të tilla që janë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të interesave të publikut. “Për rastet që do të konstatohen në vijim, – shprehet AMA, – do të ndiqen procedurat për sanksione sipas kuadrit legjislativ në fuqi“./Doktor33.al

Share: