Home KRYESORE Ne flasim në errësirë…… Nga Franco Arminio

Ne flasim në errësirë…… Nga Franco Arminio

Përktheu: Elona Caslli

Ne flasim në errësirë. Vetëm sytë e saj lëshojnë dritë. Sytë e mi rrinë gjithmonë të mbyllur. Ajo më sheh, m’i prek duart,përkëdhel macen.Pothuajse çdo mbrëmje bie pak borë. Dita me të tjerët mbaron në orën katër pasdite. Nuk e ndiej të nevojshme të dal nga shtëpia pas kësaj ore. Nuk kisha njohur kurrë një qënie njerëzore që mund të më shihte. Më kanë urryer, më kanë dashur, por nuk më kanë parë. Qëkur jam njohur me të, nuk e shoh më vjedhurazi trupin tim, nuk e shoh më veten, madje kam hequr nga shtëpia edhe pasqyrat.Qëkur jam njohur me të, nuk ankohem dhe nuk qahem. Jeta ime është bosh dhe pa domethënie. Nuk duhet t’i vërtetoj asgjë askujt. Ne të dy nuk bëjmë asgjë. Ajo rrëfen , unë dëgjoj, ajo më sheh dhe unë shihem.Ndonjëherë e shoh dhe unë, ia përkëdhel flokët, shoh gjinjtë e saj dhe pastaj i mbyll sytë, ndiej shtëpinë, ndiej kohën që kalon bashkë me të, ndiej se universi di gjithçka për ne të dy dhe na lë të lirë, ndiej njeriun që jam dhe shpirtrat që kanë jetuar dikur brenda meje, ndiej frymëmarrjet e mia të para, pres lëvizjet e saj dhe lëvizjet e saj vijnë.

Nuk e prekim njëri-tjetrin shumë. Na mjafton shikimi. Dëgjojmë tingujt, historitë që vijnë nga trupat tanë. Trupat tanë tingëllojnë dhe rrëfejnë teksa ne shihemi. Trupat tanë rrinë në dritë ose në gjysmerrësirë, shtrirë, në këmbë ose ulur.Gjithmonë ndodh diçka ndryshe edhe pse bëjmë të njëjtën gjë; e mbajmë kohën në krahë me kujdes që të mos na bjerë.Shpesh, më vijnë ndërmend mendime të mëdha, kur e shoh dhe ajo më thotë se i ndodh e njëjta gjë.Ndonjëherë këto mendime i themi me zë të lartë; mendimet kryqëzohen dhe shkojnë nëpër rrugë të çuditshme.Mendimet e trupit në dashuri nuk ngjajnë me mendimet që na vijnë kur lexojmë gazetën.
Një herë, teksa po i përkëdhelja shpinën, mendimi im u thjeshtëzua aq shumë sa ndjeva marramendjen e madhe të Universit.Ajo më shpie tek një botë që ekziston vetëm për një çast dhe në atë çast bota hapet, mbyllet, jepet, fshihet; ajo më bën që t’i ndiej lulet e shtëpisë, që ta prek tavanin; ajo bën që retë e qiellit të zbresin në oxhak, bën që unë t’i shkoj pas një milingone.

Ajo më zhvendos në kokën e saj dhe unë e shoh botën nga ajo kokë.Tani ka diell dhe unë po ha dritën. Tani ajo më puth. Tani gjuha e saj ngjit vertebrat e mia . Nuk jam më një njeri i copëzuar, nuk jam më një gjë e shpërndarë mbi një tokë të thyer; jam brenda frymëmarrjes sime, i ndiej duart e mia, qaj, qesh, shndërrohem në thërrime buke për harabelin; kockat e mia zvogëlohen; zhduken; skeleti nuk më duhet; duhet të qaj dhe të qesh për sa kohë jam gjallë; duhet të shoh; sytë e mi, tani janë mbi shputat e këmbës; më në fund unë e di ku eci; hap krahët dhe prek gjithmonë diçka. Trupi im nuk vërtitet më në boshllëk.

Share: