Home KRYESORE Nikollaq Neranxi: Plan mafioz për të zhdukur nga harta Himarën dhe historinë...

Nikollaq Neranxi: Plan mafioz për të zhdukur nga harta Himarën dhe historinë e saj

Nga Nikollaq Neranxi*

Të dashur miq! Historia e Himarës ka marrë përmasat e një telenovele. Ka çdo ditë nga një seri të re me intriga dhe prapaskena dhe mbi të gjitha, nuk është nga ato çuditë tipike që zgjasin vetëm tre ditë. Është një dramë e fortë ku luhet me emocionet, krenarinë, pasurinë, emrin dhe gjithçka, një komunitet ka patur, ka dhe pretendon me të drejtë ta ketë. Në Himarë po grabiten pronat dhe po kërkohet të shkatërrohen shtëpitë shekullore.

Banorët nuk janë dakord dhe këtë ia kanë bërë më dije të gjitha institucioneve me anë të një letre ku janë të gjitha firmat e tyre. Banorët u dhunuan në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak që të frikësoheshin, të ulnin kokën dhe të linin mafian të bënte punën e saj. Plani për Himarën është ogurzi, Himara është në rrezik, Himara kërcënohet me fshirje nga harta me gjithë historinë dhe emrin e saj. Mënyra se si po trajtohet kjo zonë, është e paparë dhe e pa dëgjuar më parë.

Në Himarë po investon Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Paratë janë dhënë nga Europa me qëllim reabilitues dhe rikualifikues, sidomos të zonave të vjetra. Në faqen zyrtare të FShZh, thuhet që Dhërmiut dhe Vunoit, do i bëhet restaurim dhe rikualifikim urban, me qëllim reabilitimin e shtëpive tradicionale…etj.

Ndërkohë për Himarën thuhet vetëm që do bëhet rikualifikim urban i territorit për zhvillimin e turizmit dhe progresit ekonomik. Asnjë fjalë për restaurim dhe kthim në identitet si për Dhërmiun dhe Vunoin, megjithëse historia e saj është njësoj e lashtë. Ndërkohë me 20 janar 2016, me një Vendim të Këshillit të Ministrave, u vendos, që Himara, Dhërmiu dhe Vunoi të shpallen zona historike, të mbrojtura, që do të thotë që nuk lejohet asnjë tjetërsim në thelb, vetëm restaurim i ndërtesave të vjetra ekzistuese.

Natyrisht ky vendim nuk të pengon të merresh me infrastrukturën e cila është mesjetare në atë zonë, duke filluar nga ujerat e zeza që derdhen akoma në det dhe nuk dëshmojnë aspak për historinë e Himarës, por vetem për keqqeverisjen e saj lokale. Ndërkohë çfarë ndodh në realitet? Në investimet që po bëhen, Himara po trajtohet sikur të jetë Qyteti Stalin, si një vend pa histori që ka nevojë vetëm për trotuare, (para se t’i vihet rruspa shtëpive natyrisht).

Pra gjithçka gati, për të rrafshuar një herë e mirë këtë vend dhe këtë histori, dhe me paratë e Europës madje, të cilat janë marrë për të bërë pikërisht të kundërtën e kësaj që po bëjnë me këtë qytet. Prandaj i terrorizojnë banorët, prandaj askush nuk na e shpjegon projektin, prandaj ka aq shumë presion në media që ngjarjeve në Himarë, të mos i bëhet transparencë. Por ne kemi vendosur ta ndalojmë këtë marrëzi me çdo çmim! Telenovela vazhdon….së shpejti seri të reja!

Foto:

1. Vendimi qe Himara shpallet zone historike e marre tek faqja kryeministria.al

2. Pasqyrimi mediatik qe iu be shpalljes si zone e mbrojtur, Dhermiut, Vunoit por edhe Himares e cila tani eshte zhdukur nga fletorja zyrtare.

*Nikollaq Neranxi, drejtor ekzekutiv i Shoqates Komuniteti Himariot vendimi per himaren

shpallja per himaren

Share: