Home KRYESORE Një rrëshqitje semantike e fjalës “Drejtësi”.

Një rrëshqitje semantike e fjalës “Drejtësi”.

Nga Ledi Shamku

Kush përkthen, e njeh maksimën “tradurre è tradire” – me përkthy është me tradhëtu. Afërmendsh pritet një farë tradhëtie në përkthim, ngaqë fjalët duhet të kalojnë nga një mendësi e një bashkësie te ajo e një tjetër bashkësie. Sumerët e lashtë e njihnin këtë “hall”, ndaj i kishin “caktuar” përkthimit edhe një “Zot” të posaçëm, duke lënë kësisoj çdo telash gjuhësor në dorë të tij.

Në raste ngërçesh semantike, apo ndryshe të thelbit kuptimor, etimologjia “ab ovo” nuk na le në baltë.

“Drejtësi” është përkthim i fjalës “Justitia”, dhe kjo e fundit është derivat (fjalë e prejardhur) e fjalës “Jus”. Cila është etimologjia e kësaj fjale? Cila është rrënja? Gjuhësia na kallxon se rrënja është “*Ju, *Jug”, që dmth “bashkoj, lidh bashkë”, e nga e cila rrjedh fill edhe fjala “Jugum”, në shqip “zgjedhë, detyrim (zgjedhë, jo zgjedhje! Drejtësia nuk është zgjedhje). E po nga e njëjta rrënjë “Ju, Jug” rrjedhin po ashtu fjalët: Jurare = lidh me betim, dhe Jubere = urdhëroj, detyroj të bëhet.

Siç shihet, gjithë kjo semantikë “ab ovo” fjalësh, nuk le aspak vend për diskutime në drejtësi. Kumti kryesor i drejtësisë është Detyrimi para saj.

Mirëpo, në rrjedhën e fjalëve shfaqet dikund më pas edhe një koncept semantik etik: Jus befas don të thotë edhe “i drejtë” (në italishten e vjetër “giure” e më pas “giusto”). Ndërkallja e një koncepti etik e ndërlikon krejt punën. Ç’është E DREJTË e ç’nuk është? Dhe kësaj s’i gjendet fundi. “Justus” latine vjen nga “Jus”, por don të thotë edhe “arsye”, e më pas kjo fjalë, “justus”, shpjegohet si: ai që bën mirë dhe të ruan nga e keqja. Ai që vendos sipas konveniencës dhe meritës”. Dhe këtu thelbi i parë nis e bëhet vërtet lëmsh, dhe krejtësisht objekt diskutimesh etike: ç’është mirë e ç’është keq? Ç’është konveniencë (shqip: leverdi) e ç’është meritë? Kush meriton e kush jo?

Mesa duket shqipja, nga gjithë çerdhja kuptimore e fjalës “Justitia”, ka marrë vetëm përmbajtjen (e diskutueshme) etike të derivatit “i drejtë”! Pra nuk shihet gjëkundi kuptimi “detyrim”.

Por në shqip ky kuptim ruhet te fjala “Ligj”. Ligj rrjedh nga “Legem” dhe kjo nga “Ligare”, e cila ka vetëm një kuptim: LIDH, VENDOS, dhe siç shpjegon Curtius, kjo kuptimësi është preromane dhe vjen drejt nga rrënja “*lagh” – urdhëroj, vendos, lidh.

Pra shqipja e ruan thelbin te fjala “ligj”. I njëjti thelb zanafillor duhet të vlejë edhe për Drejtësinë. Diskutimet e rendit etik per te, c’eshte e mira, sa e mire eshte, c’eshte konvenienca etj etj, jane diskutime te tipit terkuze qe ushqehen vetem nga ata qe ne fakt i druhen drejtesise.

Drejtesia eshte DETYRIM! Dhe ky detyrim eshte ZGJEDHË dhe jo ZGJEDHJE! Një zgjedhë drejt lirisë. Një zgjedhë që na bën qytetarë të lirë karshi vetes e faqe botës.

Share: