Home KRYESORE Obama rrëfehet: Europianët parazitë; ISIS, “kalorësi i errët”

Obama rrëfehet: Europianët parazitë; ISIS, “kalorësi i errët”

Rrëfimi në 360 gradë për “The Atlantic” i një presidenti në fund të mandatit 

“Mjaft me sjellje prej parazitësh të aleatëve europianë”.

I ka ardhur në majë të hundës me “begenisjen” e Beniamin Netanjahut. Lufta në Libi ishte një “dështim”. Janë rrëfime që një president zakonisht i ruan për librin e parë me kujtime. Por Barak Obama e zbraz më herët thesin. Ka ende dhjetë muaj në pushtet, por me sa duket mezi pret të lajë hesapet. Me armiqtë dhe me aleatët. E bën në një seri të gjatë intervistash për revistën “The Atlantic”.

Prej aty del një mbrojtje e fortë që i bën politikës së tij të jashtme, dhe ndonjë autokritikë.

E para:     Mos bëj budallallëqe. Parim fiymëzues i politikës së tij të jashtme është fraza e famshme “don’t do stupid shit”. Ai e përdor si antidot ndaj filozofisë së Xhorxh Bushit, që e konsideron ende mbizotëruese në establishmentin e politikës së jashtme. Sulmon “fetishizmin e besueshmërisë së fituar me forcë ushtarake”. Sipas tij, “të hedhësh bomba ndaj dikujt për të demonstruar se je gati të hedhësh bomba mbi dikë, është arsyeja më e keqe për përdorimin e forcës ushtarake”. Hierarkia e tij e rreziqeve të vërtetë është e qartë, ndonëse kontroverse: “Shteti Islamik nuk është rrezik ekzistencial për SHBA, ndryshimet klimatike po”. Një president duhet të dijë se nuk mund të zgjidhë gjithçka, duhet të zgjedhë se ku mund të ketë impakt të vërtetë. “Nuk është brilante ideja që përballë çdo krize duhet të dërgojmë ushtarakët tanë për të vendosur rendin”.

Europianë parazitë

Parazitë të sigurisë. Shprehja që përdor Obama për t’i përshkruar, “free rider”, për ata që përdorin mjete publike, pa paguar biletën. “Nuk i duroj këto sjellje, prandaj i kam thënë Cameronit që Anglia nuk mund të aspirojë për një marrëdhënie speciale me ne, nëse nuk shpenzon të paktën 2% të buxhetit për Mbrojtjen”. Për të njëjtën arsye, dëshiroi që francezët dhe anglezët të merrnin komandën e operacioneve në Libi për të dëbuar Gedafin: “Ishte pjesë e fushatës kundër parazitëve”.

Por Sarkozy e luajti në fushatën elektorale duke “u bërë jehonë veprimeve të aviacionit të tij, pasi ne kishim eleminuar të gjithë mbrojtjet ajrore të Gedafit”.

Libia, përse përfundoi keq?

Obama shpjegon edhe përse lejoi të përfshihet në atë operacion. “Kishte protesta masive kundër Gedafit, ai dërgoi ushtrinë në Bengazi, duke premtuar që të vriste të revoltuarit, si të ishin minj. Një seri vendesh europiane kërkuan ndërhyrjen. Donin që ta bënim ne: free riders pra.

Unë vendosa kushte: një mandat të OKB-së, jo ushtarë nga toka, përfshirje të aleatëve europianë dhe të Gjirit”. Sot, bilanci i tij është negativ: “Kemi shmangur një luftë civile edhe më të keqe, por pavarësisht kësaj, kudo ka kaos”.

Thërret në kauzë aleatët: “Kisha më shumë besim tek europianët, mendoja se duke qenë më pranë, do të ishin përfshirë më shumë në periudhën pas Gedafit”.

Siria: Vija e kuqe e shkelur!

 E kanë kritikuar edhe dy sekretarët e tij të Shtetit (Clinton dhe Kerry), pak a shumë duke lënë të nënkuptohet, për atë paralajmërim. Obama kërcënoi në vitin 2013 me sulm ushtarak, nëse Assadi do të kish shkelur vijën e kuqe të armëve kimike: më pas nuk veproi. Sot presidenti rrëfen se ndihej që po shkonte drejt “një kurthi”, po të kishte ndërhyrë.

“Mund t’i shkaktonim dëme regjimit të Assadit, por jo të eleminonim tërësisht arsenalin e tij. Ai mund të kish mbijetuar, duke thënë se kishte sfiduar Amerikën, dhe duke e denoncuar si të paligjshëm aksionin tonë. Jam krenar që pata mundësinë të bëj një hap pas në momentin e fundit, në interes të Amerikës dhe në respekt të demokracisë sonë”.

Arabia Saudite dhe konfliktet fisnore

Është e vështirë me atë që ka qenë për dekada të tëra aleati i privilegjuar i SHBA në Lindjen e Mesme, menjëherë pas Izraelit.

“Suksesi i një shoqërie matet nga mënyra si i trajton gratë. Një vend nuk mund të funksionojë në botën moderne, nëse shtyp gjysmën e popullsisë”.

Kthen mbrapsht kritikat e Izraelitëve, se ka zhdoganuar Iranin.

“Sauditët dhe iranianët duhet të vendosin një paqe të ftohtë, duhet të mësojnë të jetojnë me fqinjësinë. Nuk na takon ne të përdorim fuqinë tonë ushtarake për larjet e hesapeve mes tribuve atje”.

Me Iranin, objektiv i limituar

Oabama nuk e sheh veten në përshkrimet e atyre që i caktojnë një projekt të madh historik, një “paqe persiane”, diçka e ngjashme me shkrirjen SHBA-Kinë në kohën e Nikson-Kisingerit. Këtu bën një përshkrim minimalist dhe pragmatist, për marrëveshjen me Teheranin.

“Ishte një rrezik konkret që duhej shmangur, plani bërthamor. Me atë jam marrë”.

Shteti Islamik, “Kalorsi i errët” i Batmanit

Ka ndërruar mendje, dhe definicion, mbi xhihadistët e Shtetit Islamik. Pranon se i ka nënvlerësuar – për shkak të informacioneve të shërbimit të fshehtë – kur i quante “skuadra rinore e al Kaedës”. Tani kalon në një tjetër metaforë, tek “Joker”-i i Gotham City. Sepse ashtu si në filmin e Batmanit, forca e vërtetë e Shtetit Islamik ka qenë ajo e futjes në një zonë të kontrolluar prej “kriminelëve të korruptuar”.

Marrëdhënia e keqe me Netanjaun

Për të konfirmuar antipatinë reciproke, ja një anektodë për takimin me kryeministrin izraelit. I irrituar nga sensi i superioritetit me të cilin e trajton Bibi Netanjahu, Obama shfryn: “Jam zezak dhe bir i një nëne ‘single’. Pavarësisht kësaj, arrita të bëhem president. Nëse mendon se jam i paaftë, gabohesh”.

Ukraina dhe Putini

obama putinNjë tjetër krizë që ai përball me realpolitikën. Ndonëse mbetet dënimi i agresionit rus dhe sanksionet për të bindur Moskën që të respektojë ligjet ndërkombëtare, Obama sheh një “asimetri” të pashmangshme. Interesi i Putinit është shumë i fortë në atë zonë, që për Amerikën është e largët dhe jo strategjike. “Ukraina nuk është vend anëtar i NATO-s dhe mbetet e prekshme nga një dominim ushtarak i Rusisë. Duhet të jemi të qartë, mbi atë cilat janë interesat tona strategjike, dhe në cilat raste ne jemi gati të hyjmë në luftë”.

Share: