Home KRYESORE Orvatem të gjej kënaqësinë dhe paqen … Nga Morgan Freeman

Orvatem të gjej kënaqësinë dhe paqen … Nga Morgan Freeman

Përktheu Elona Caslli

Z. Freeman a nuk lodheni duke punuar gjatë gjithë kohës?

Unë nuk hap kanale dhe nuk punoj në ndërtim. Puna ime nuk është e rëndë, puna ime më përtërin dhe më kënaq. Punë të kem.  Do të ligështohesha po të sillesha vërdallë si i papunë.

Ka shumë kohë që nuk e keni provuar të jeni i papunë… A e mbani mend se kur ka qenë hera e fundit që keni kërkuar një vend pune?

Kam bërë lloj-lloj punësh, por puna më e rëndë, ka qenë kur punoja në një fast-food.  Më parë punoja në një zyrë si sekretar. Doja më shumë lekë, por ata nuk ma rritën rrogën. Më pas, u paraqita  në një audicion për një shfaqje në rolin e kërcimtarit dhe e lashë punën e zyrës menjëherë. E keqja ishte se puna ime si kërcimtar zgjati vetëm tre muaj pasi shfaqja u mbyll. Pastaj, gjeta këtë punën tjetër që shpërndaja kafe dhe petulla.

Nuk duket se keni patur shumë vështirësi?

Të them të drejtën, një nga djemtë me të cilët punoja në shfaqje një ditë erdhi tek fast-food-i  ku punoja. U përpoqa të fshihesha poshtë banakut , por ai më pa dhe më pyeti se çfarë pune bëja. Pasi m’u desh ta pranoja se isha  aktor i papunë, ai më tha se kishte ndërmend të vinte në skenë një shfaqje të re. Ishte e tmerrshme për mua.

Ka patur më shumë ditë të lumtura apo ditë të zymta në jetën tuaj?

Ka patur më shumë ditë të lumtura. Kam filluar punë, kur kam qenë 30 vjeç dhe ende punoj. Ndaj mund të them se ka patur më shumë ditë të lumtura.

Cila ka qenë gjëja më e mirë që dikush ka bërë për ju?

Unë mendoj se gjëja më e mirë që dikush ka bërë për mua , ka qenë mamaja ime kur i hapi këmbët e saj dhe më nxorri jashtë.

Po më e keqja?

Më e keqja s’ka ndodhur ende.

Dukeni shumë pozitiv?

Përpiqem shumë, sepse jeta jo gjithmonë më pëlqen. Ndonjëherë është plot dhimbje dhe stres, madje ndonjëherë më sfilit, prandaj mendoj se teksa përplasesh me të tilla mërzi duhet të orvatesh të gjesh kënaqësinë dhe paqen.

A i përkisni ju budizmit Zen në jetën e përditshme apo thjesht shfaqeni në ekran si i tillë?

Po unë jam djali Zen.

A nuk ju bezdis fakti se ju ngatërrojnë me Samuel L. Jackson?

Po, Sam Jackson.  Gjithmonë na ngatërrojnë.

A  i sqaroni njerëzit për këtë?

Njëherë isha në Dallas dhe po prisja avionin dhe një djalë m’u afrua. Kisha vënë kapele dhe syze, jo për t’u fshehur , por është stili im i veshjes. Djali erdhi dhe më tha: “ E di që po fshihesh, por unë të njoh. Ti je Samuel.L. Jackson.

Iu përgjigja se nuk isha Samueli.

Ai më tha :” E di se po gënjen, megjithatë të kuptoj.”

Samuelit i ndodh e njëjta gjë. Njerëzit gjithmonë i thërrasin –Ti je Morgan.

Kjo është arsyeja që Samueli sa herë që ngjitet në skenë thotë në fillim:

-Unë nuk jam Morgan Freeman-

 Jeni miq me Samuel L. Jackson?

E njoh Samuelin që në 80-tën kur punonim në teatër bashkë në New York dhe kam  miqësi prej vitesh me të. Por nuk kemi dalë shpesh bashkë. Unë jetoj në Missisipi.  Sam-i jeton në Los Angeles dhe mua nuk më pëlqen të jetoj atje.

Pse u zhvendosët në Mississippi?

Kam jetuar në New York 30 vjet. Nuk jam ndierë kurrë mirë. Një ditë kuptova se jetoja në katin e tretë në një apartamenti pa dritë natyrale. Nuk i njihja fqinjët.  Nuk ishte për mua.

A keni pak më shumë privatësi aty ku jetoni?

Jetoj në një qytet të vogël, por nuk mund të shkoj në vende ku ka shumë njerëz, si në Walmart, Target, sepse mjafton të blej një pastë dhëmbësh apo të pi një kafe dhe menjëherë gjithçka shndërrohet në ngjarjen e ditës.  Një nga të këqijat kur je person publik është mungesa e privatësisë.

Më beso, nuk ta merr mendja se sa shumë e vlerëson privatësinë, kur e humbet.

A ju bezdisin njerëzit?

Po, ata thonë gjithmonë të njëjtën gjë- Mamaja ime, gruaja ime, burri im nuk kanë për ta besuar se ju kam takuar. Ju lutem një autograf.

Po ju çfarë i thoni?

I them se, nëse gruaja e tij mendon se ai është gënjeshtar, atëherë ai me të vërtetë duhet të jetë i tillë.

Pyetje e fundit.

Vathët i mbani pë qejf apo ju duhen për diçka?

Vathët e mi kushtojnë aq shumë, sa  po të vdes në  një vend ku nuk më njohin, të më blejnë një arkivol.

Dhe marinarët dikur i mbanin për të njëjtën arsye.

 

 

 

Share: