Home KRYESORE Pa energji nuk ka zhvillim të Shqipërisë

Pa energji nuk ka zhvillim të Shqipërisë

Nga Dr. Enriko Ceko

Energjia është një burim që ve në lëvizje të tërë faktorët e prodhimit. Toka, puna, kapitali, inovimi teknologjik dhe aftësia sipërmarrëse si faktorë prodhimi nuk mund të vihen në funksion dhe të sjellin produktivitet dhe rritje ekonomike pa energjinë, që është një nga burimet më të vlefshme dhe më të rëndësishme në botë. Toka nuk mund të shfrytëzohet pa pasur energji, kapitali nuk mund të vihet në punë pa energji, njeriu si forcë pune nuk mund të punojë pa burime energjetike dhe gjithashtu ai nuk mund të shfaqë aftësitë sipërmarrëse dhe nuk mund të bëjë inovime teknologjike pa pasur energji. Prodhimi i energjisë ka qenë një ndër problemet kryesore për pothuajse të tërë vendet e botës dhe një nga shqetësimet kryesore të qeverive në botë. Nga kjo nuk bën përjashtim edhe Shqipëria. Pothuajse në tërë harkun kohor të 30 vitet e fundit, prodhimi i energjisë ka qenë një ndër problemet më madhore me të cilin janë përballur individët dhe familjet shqiptare, bizneset vendase dhe të huaja që operojnë në Shqipëri si dhe qeveritë që kanë drejtuar vendin përgjatë kësaj periudhe. Megjithatë, viti 2016 mund të konsiderohet si një vit më i mirë se të tjerët, sepse për shkak të rreshjeve më të shumta që kanë rënë gjatë këtij viti dhe për shkak të përfundimit të disa investimeve në hidrocentrale të reja dhe në rehabilitimin e atyre ekzistuese, u bë e mundur që të prodhohej rreth 7.1 miliardë kWh, krahasuar me rreth 5.4 miliardë kWh në vitin 2015 dhe rreth 4.9 miliardë kWh në vitin 2014. Po gjatë vitit 2016 është eksportuar rreth 1.9 miliardë kWh energji elektrike dhe është importuar po kaq pak a shumë. Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk është i diversifkuar. Pothuajse 100 % e energjisë elektrike në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet. Pjesa më e madhe e këtyre hidroentraleve janë të ndërtuara rreth viteve “70 të shekullit të kaluar dhe tashmë janë në fazën e rënies në ciklin e tyre të jetës si investime. Kjo do të thotë se këto hidrocentrale do prodhojnë gjithmonë e më pak energji elektrike derisa të dalin tërësisht jashtë funksionit, për shkak të mbushjeve që pësojnë liqenet e këtyre hidrocentraleve prej materialeve që sjellin lumenjtë. Disa hidrocentrale të reja janë ndërtuar dhe po ndërtohen në lumenjtë e mëdhenj të Shqipërisë, kryesisht në Devoll dhe dhjetra licensa janë dhënë për hidrocentrale rurale për shfrytëzimin sezonal të lumenjve të vegjël, që janë të shkurtër, me pjerrësi të madhe dhe të rrëmbyeshëm në periudhën e reshjeve. Mjaft nga vendet e Evropës Perëndimore kanë arritur që të prodhojnë rreth 25 – 30% të energjisë elektrike nga hidrocentralet rurale.

Ajo që vlen të përmendet është fakti se në Shqipëri ka shumë humbje teknike dhe jo teknike në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Tashmë këto humbje llogariten rreth 30 – 35%, por më parë kanë qenë rreth 50%. Humbje teknike janë ato që vijnë për shkak të gjendjes së rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa humbjet jo teknike janë humbje për shkak të përdorimit të energjisë elektrike pa kontratë, me lidhje ilegale, etj.

Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është ndër më të lartët në Evropë.

Në lidhje me hidrokarburet në Shqipëri aktualisht prodhohen reth 16.000 – 17.000 fuçi naftë në ditë, ndërsa konsumi është rreth 27.000 fuçi naftë në ditë. Rezervat e naftës në Shqipëri mendohet të jenë rreth 2.6 – 3 miliardë fuçi. Nafta në Shqipëri kryesisht është nën manaxhimin e të huajve që me kontrata koncesionare kanë të drejtën e kërkimit, nxjerrjes dhe përpunimit të naftës bruto, e cila ka përmbajtje të lartë squfuri dhe plumbi.

Në Shqipëri ka edhe rezerva gazi natyror, i cili më parë ka qenë shfrytëzuar në mënyrë të lokalizuar në dy a tre qyteza në Shqipëri, por tashmë nuk përdoret masivisht në rrjet si burim energjetik. Edhe përdorimi i gazit në mënyrë individuale nga qytetarët në Shqipëri është në nivele shumë të ulëta, kryesisht për shkak të mungesës së traditës.

Në Shqipëri nuk ka ndonjë prodhim të energjisë që përftohet nëpërmjet energjisë diellore dhe erës, edhe pse Shqipëria është një vend që ka reth 300 ditë me diell gjatë vitit dhe ka mjaft zona ku fryn erë e mjaftueshme për ndërtimin e fermave me mullinj me erë për prodhimin e energjisë elektrike.

Në Shqipëri nuk ka termocentrale në gjendje pune dhe nuk ka centrale bërthamore. Termocentralet e trashëguara nga regjimi i kaluar tashmë e kanë humbur tërësisht funksionin. Ato punonin kryesisht me qymyr që prodhohej në vend nga qymyret e nxjerra në mënyrë primitive nga nëntoka, që pasuroheshin duke prodhuar qymyr koks. Tashmë në vend nuk prodhohet më qymyr koks dhe minierat e vjetratë qymyrit nuk shfrytëzohen më.

Për të bërë një analizë më të detajuar në lidhje me sektorin e energjetikës është e nevojshme që të merren në konsideratë katër çështje:

  1. Legjislacioni i kësaj fushe
  2. Institucionet e këtij sektori
  3. Teknologjia aktuale dhe e së ardhmes
  4. Mundësitë aktuale dhe të së ardhmes

Në lidhje me legjislacionin e sektorit të energjetikës mund të parashtrojmë se ka disa ligje për rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes dhe një ligj për energjinë që përftohet nga burimet e rinovueshme (kryesisht nga dielli dhe era) por mungojnë pothuajse tërësisht aktet nënligjore si vendime qeveritare, urdhëresa dhe rregullore në mënyrë që operatorët publikë dhe private të orientohen në mënyrë të përshtatshme në treg dhe të krijojnë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Pothuajse të tëra institucionet e këtij sektori, ashtu si në të tërë sektorët në vend, janë të mbushura me militantë, që në më të shumtën e rasteve janë të paaftë, të paedukuar, të pashkolluar, të patrainuar dhe të korruptuar.

Teknologjia që përdoret aktualisht në Shqipëri në sektorin e energjetikës është pothuajse e amortizuar, me përjashtim të disa investimeve të reja në dy a tre hidrocentrale, në disa riparime e rehabilitime të bëra kryesisht në rrjetin 110, 220 dhe 400 kv në disa nënstacione kryesore dhe investimet e sektorit privat në depozitat e hidrokarbureve dhe pikat e furnizimit me karburante.

Nëse hedhim vështrimin drejt mundësive ato janë të shumta. Shqipëria ka mundësi të prodhojë energji elektrike nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë së diellit dhe erës, të prodhojë energji elektrike nga termocentralet dhe pse jo të hedhim vështrimin edhe nga energjia bërthamore.

Kjo është pak a shumë tabloja e sektorit të energjetikës në Shqipëri, por do të desha të ndalesha pak më shumë në alternativat e prodhimit të energjisë në Shqipëri, sepse fokusimi i çështjes te energjia që mund të përftojmë nëpërmjet hidrocentraleve është tashmë një çështje e kaluar, edhe pse kjo lloj energjie është e ashtquajtur e pastër, pra që nuk ndot mjedisin. Është mëse e vërtetë që energjia elektrike e përftuar nga hidrocentralet nuk ndot mjedisin, por deri në momentin e ndërtimit të hidrocenralit mjedisi, fauna dhe flora e zonës ku bëhet investimi shkatërrohen pothuajse tërësisht. Gjithashtu toka bujqësore e humbet tërsisht funksionin dhe nuk ekzston më si e tillë për shkak se përbytet nga ujrat e liqeneve që krijohen. E shtroj këtë debat kryesisht për idenë e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, që me të tre varientet e hedhura në diskutim sjell shumë dëme ekologjike dhe ekonomike, që vështirë se mund të mbulohen nga fitimet që do të vinin nga ndërtimi i këtij hidrocentrali. Mjafton të përmend faktin e dhjetra mijëra hektarë tokë që zhduken dhe mijëra familje që shpërngulen.

Tashmë në vende të tilla si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, etj po ndërtohen termocentrale që punojnë me qymyr me fuqi kalorifike të ulët (siç janë edhe qymyret e Shqipërisë, kryesisht linjite), që pasi spërkaten me naftë bruto, e rritin shumë fuqinë kalorifike dhe gjithashtu edhe eficiencën dhe efikasitetin e termocentraleve. Ne e kemi shansin e madh që edhe qymyre të tilla kemi me shumicë, edhe naftë bruto kemi pothuajse në mënyrë të pakufizuar. Investime të tilla do sillnin rritje të prodhimit të energjisë elektrike dhe shtim të punësimit në sektorët e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës bruto dhe në kërkimin, nxjerrjen dhe përpunimin e qymyreve, pa llogatitur këtu rritjen e punësimit për shkak të ofertës më të madhe për energji, që do sillte ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe si rezultat edhe ulje të kostove operacionale të bizneseve. Kjo do bënte mjaft mirë edhe për Kosovën, sepse në Shqipëri mund të gjendej treg për shitjen e qymyreve që Kosova i ka me shumicë, dhe pagesa e qymyreve mund të bëhej me energji elektrike, ose në rast se në Kosovë do ndërtoheshin termocentrale më këtë teknologji, atëhere naftën bruto mund ta merrnin nga Shqipëria. Kosto e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyret me këtë metodë që përshkrova më lart është 2 – 3 eurocent/kWh, krahasuar me rreth 5 – 6 eurocent/kWh që është kosto e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet.

Një opsion mjaft interesant do ishte prodhimi i energjisë elektrike me anë të gjeneratorëve të fuqishëm. Sot në botë ka kompani që prodhojnë gjeneratorë shumë të fuqishëm, që i shesin apo i japin me qera, që kanë madhësinë e një autobuzi. Sipas përllogaritjeve Shqipërisë, me konsumin aktual të energjisë elektrike, i nevojiten rreth 100 gjeneratorë të tillë. 50 të instaluar në qendër të vendit (Tiranë), 20 në Gjirokastër, 20 në Shkodër dhe 10 rezervë për ndërrim në rast riparimi e servisi. Këta gjeneratorë punojnë me naftë bruto dhe kanë edhe një specifikë se në fund të procesit të prodhimit të energjisë elektrike e nxjerrin veçmas squfurin e pastër që ka nafta bruto, që në tregun ndërkombëtar vitet e fundit ka pasur një rritje të çmimit, pasi squfuri në gjendje të pastër është një element kimik që po gjen përdorime të shumta. Kosto e prodhimit të energjisë elektrike me këtë opsion është rreth 3.5 – 4 eurocent/kWh, kur gjeneratorët janë në punë. Në rastin e marrjes së gjeneratorëve me qera kur gjeneratorët nuk punojnë pagesa është fare minimale dhe pagesa e qerasë rritet kur gjeneratorët vihen në funksionim. Gjeneratorët janë të pajisur me aparat matës të kohës së punës. Mirëmbajtja e këtyre gjeneratorëve është fare e pakushtueshme dhe mjafton vetëm një person që të mirëmbajë një gjenerator kur ai është në punë.

Edhe opsioni i centralit bërthamor nuk duhet lënë pas dore. Tashmë flitet për central bërthamore të gjeneratës së katërt. Këto janë centrale që kanë sipërfaqe dhe volum shumë të vogël, krahasuar me centralet e gjeneratave të shkuara. Gabimet që janë bërë në të kaluarën në dizenjimin dhe ndërtimin e tyre janë bërë mësim dhe në mjaft vende të botës po ndërtohen central të tilla, që me kosto 4 – 6 miliardë Euro, mund të prodhojnë minimalisht rreth 1 miliardë kWh / ditë. Kosto e prodhimit të energjisë nga centralet bërthamore të gjeneratës së katërt është 1 – 1.5 eurocent /kWh. Pra, edhe nëse merret kredi për ndërtimin e një centrali bërthamor, praktikisht, pagesa e kësaj kredie është e garantuar me shitjen e energjisë elektrike.

Edhe prodhimi i energjisë me anë të paneleve diellore dhe fermave me mullinj me erë vitet e findit është zgjeruar shumë dhe kjo për shkak të përmirësimit të madh të teknologjisë së prodhimit të paneleve diellore dhe mullinjve të erës. Këto dy opsionet e fundit të prodhimit të energjisë janë shumë të përshtatshme edhe për zona të veçuara nga qytetet e mëdha, apo edhe për investime të veçuara që janë larg qendrave të banuara.

Vitet e fundit po flitet edhe për prodhimin e energjisë nëpërmjet bimëve. Ajo që më çudit personalisht është fakti se si është e mundur që në Shqipëri ka ende delirantë me diploma e tituj shkencorë që kërkojnë të prodhojnë energji në Shqipëri nga bimët (biofuels), që tundin flamurin e shkencëtarit të famshëm, kur Shqipëria është vendi i fundit të Evropë për sasinë e tokës bujqësore për frymë. Tashmë kemi vetëm 1000 m² tokë bujqësore për person, sepse pjesën më të mirë të tokës tonë bujqësore e shkatërruam me ndërtime pa kriter. Përdorimi i tokës bujqësore në Shqipëri për prodhimin e biokarbureve do të rriste automatikisht çmimin e ushqimeve dhe kjo do ishte katastrofë për shqiptarët e varfër. Vërtet ka vende si Gjermania, etj që kanë investuar në prodhimin e biokarbureve, por nuk kanë cënuar tokën e tyre bujqësore, por kanë marrë me qera tokë në vende që e kanë atë me shumicë, gjë që për Shqipërinë dhe shqiptarët është tërësisht e paimagjinueshme, sepse nuk janë mundësitë edhe për të ëndërruar të tilla gjëra.

Pra, mundësitë për prodhimin e energjisë në Shqipëri me mënyra të ndryshme janë të mëdha, por çështja qendron te ligjet dhe institucionet, sepse teknologjia dhe mundësitë ekzistojnë.

Ligjet dhe institucionet bëhen dhe krijohen nga njerëzit. Janë njerëzit që krijojnë sistemet e qeverisjes dhe janë po njerëzit që e kanë në dorë të vendosin se do i vënë në funksion faktorët e prodhimit apo jo. Nëse Shqipëria dhe shqiptarët duan të ecin përpara, atëhere nuk mund të shkohet në Evropë me konsum energjie rreth 30 milionë kWh /ditë (në muajt e verës rreth 15 – 18 milionë kWh/ditë dhe në muajt e dimrit rreth 35 – 40 milionë kWh/ditë) dhe që është konsum kryesisht rreth 80% për ndriçim banesash dhe ngohje të tyre, i ngjashëm me vendet më të varfra të kontinentit afrikan. Rritja ekonomike dhe zhvillimi i qendrueshëm kërkojnë energji të diversifikuar. Shumë shpejt kërkesa për energji në Shqipëri do të rritet për shkak të bizneseve dhe konsumi 50 – 60 milionë kWh/ditë është çështje vitesh. E ardhmja nuk mund të mbahet vetëm me hidrocentrale të dala kohe.

Share: