Home KRYESORE Për elektoratin “e mirë” dhe politikanët “e ndyrë”

Për elektoratin “e mirë” dhe politikanët “e ndyrë”

Nga Nikollaq Neranxi*

Dy ditë më parë, në ambientet e Kompanisë “Neranxi” dhe të “Institutit Kulinar Neranxi”, ishte për vizitë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe një pjesë e stafit të tij. Po vinin nga Vora ku kishin patur një takim me elektoratin atje dhe shprehën dëshirën që të ndalonin edhe tek kompania. E vlerësova shumë atë vizitë, sepse gjithnjë e kam shprehur publikisht se dyert e mia janë të hapura për çdo lloj politikani, të çdo force politike. Duke më takuar mua, ata në rradhë të parë, takojnë Kryetarin e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë dhe më pas dhe një nga sipërmarrësit e rëndësishëm në këtë vend për arsye të aktivitetit të zgjeruar që kam.

Edhe me zotin Basha vepruam pikërisht kështu, në fillim i ftova në zyrën e Shoqatës ku iu fola si përfaqësues i një grupimi të madh tregtarësh të vegjël dhe të mëdhenj, të cilët aderojnë në Shoqatën e Tregtarëve. Iu paraqita me dokumenta të gjitha problemet e tyre dhe më pas ata vizituan ambientet e Kompanisë dhe të shkollës, ku unë tashmë i shoqëroja në cilësinë e Presidentit të këtyre biznesve. Lajmin e vizitës së Bashës, e publikova në facebook, duke u shprehur se respektoj çdo politikan i cili i gjendet pranë sipërmarrjes së lirë. Mirëpo çfarë ndodhi, mu vërsulën shumica e komentuesve duke më thënë: “S’ka punë politika të vijë të takojë biznesin….

Ata duan të përfitojnë kapital politik… Politikanët po shkatërrojnë Shqipërinë!… Ti nuk ke nevojë të të vizitojnë politikanët… Më duket se po të peshkojnë… Prezenca e politikanëve në biznese zbeh vlerat e biznesit….I vraftë Zoti që na katandisën këtu ku jemi!” e të tjera si këto, por edhe më të rënda, të cilat natyrisht i fshiva. Për komentuesit e kësaj ngjarjeje dhe për të gjithë ata që mendojnë njësoj, ky shkrim iu drejtohet ju. Hapni mirë sytë dhe veshët dhe mbi të gjitha hapni mendjen! Nëse një politikan takon një sipërmarrës, nuk do të thotë se po ndodh hataja dhe se po bëhet ndonjë komplot apo ndonjë krim! Sa më shumë të takohet politika me biznesin, aq më mirë është.

Politikanët bëjnë ligje për ne, por që të bëjnë një ligj të mirë, duhet të na dëgjojnë dhe të shohin me sytë e tyre aktivitetin tonë, sepse nëse mbyllen nëpër zyra, nuk do arrjnë të bëjnë kurrë asgjë të mirë për ne. Takime të tilla transparente ku ngrihen problematika që iu përkasin të gjithëve, duhet t’ju gëzojnë, jo t’ju revoltojnë. Ju duhet të kundërshtoni dhe të zhgënjeheni, nëse një sipërmarrës privat takohet cepave dhe vrimave me ndonjë politikan, për të përfituar në rrugë të pandershme para publike apo favore klienteliste personale. Pra politikani nuk është gogoli në jetën tonë, ai është zgjidhja, por me një kusht, që ju me zgjuarsinë dhe vetëdijen tuaj, ta bëni atë efiçent.

E di pse e them këtë? Sepse në 25 vite zgjedhje të lira, akoma nuk e shoh këtë elektorat që të jetë i përgjegjshëm para se të shkojë tek kutia e votimit (teksa negocion me politikanët) dhe kur shkon të hedhë votën tek ajo kuti. Më herët, në shumë shkrime dhe prononcime publike, i jam drejtur vazhdimisht njerëzve të thjeshtë. Në vigjilje të zgjedhjeve të fundit, kam bërë një shkrim me titull “Mos e shit votën lirë”, ku i bëja thirrje të gjithëve të mos e shisnin votën për 5000 lekë e për një thes miell.

Ata kishin mundësi t’iu vinin kushte politikanëve, si psh të bënin një ligj më të mirë, efekti i të cilit zgjat më shumë se një thes miell. Varfëria juaj nuk e justifikon mungesën e dinjitetit që tregoni në këtë rast. Sepse nëse ata vazhdojnë t’ju blejnë dhe ju të shiteni, ky është një rreth vicioz nga i cili nuk do të dalim kurrë. Pra kur t’i takoni, bëni si unë dhe si shumë të tjerë si unë që e kanë kuptuar rolin dhe peshën e tyre në shoqëri, tregojini çfarë ju shqetëson dhe vijini kushte që t’ua zgjidhin, në këmbim të votës. Nëse nuk e mbajnë fjalën, mos i votoni më! Kjo është arsyeja pse e bëj gjithnjë publike votën time, sepse e kam dhënë në këmbim të një premtimi, kam firmosur një kontratë me ta, nuk jap votë unë si një militant i verbër. Edhe vota jote është njëlloj e vlefshme si e imja. Tek ajo kuti votimi jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo deri tani nuk e shoh këtë reflektim.

Momentalisht shoh një popull që ose shan e mallkon politikën si fajtore të varfërisë së tyre ose e adhuron dhe e duartroket. Asnjëra nga këto qëndrime nuk do iu a bëjë jetën më të mirë. Personalisht, sa herë flas për problemet që më shqetësojnë, jap dhe një ide se si mund të zgjidhen ato. Pra bëhuni konstruktivë se zgjidhjet nuk vijnë nga qielli. Një tregtar më shkruante dje në facebook; “Të falenderoj që i jep zë heshtjes tonë!”. Jo, unë nuk e justifikoj heshtjen e askujt, për sa kohë që Zoti i ka dhënë zërin dhe mendjen. Prandaj unë them që nuk ka politikanë të pastër apo të ndyrë, të këqinj apo të mirë, por ka elektorat të keq dhe të mirë. Në rastin tonë, ne jemi një elektorat mallkues ose duartrokitës, me një fjalë, shumë i keq. Prandaj dhe politikanet nuk kane se si të jenë ndryshe.

*Autori eshte kryetari i Shoqates se Tregtareve te Shqiperise
Share: