Home KRYESORE Politikanë provincialë apo shtetarë të së ardhmes?

Politikanë provincialë apo shtetarë të së ardhmes?

Nga Dr. Bledar Kurti

Pas një viti terri informues për reformën në drejtësi; hermetizim total të opinionit publik; mungesë mendimi dhe kontributi nga as edhe një segment i pavarur i shoqërisë në tërësi dhe asaj civile; mungesë e plotë e një fushate shpjeguese për shtetin e ri shqiptar që do të krijohet; mungesë debatesh të hapura dhe negociatash transparente dhe demokratike; më në fund i propozohet popullit nga idea e një referendumi për këtë reformë.

Kur bajga nis e spërkatet të gjithë largohen për tu mbrojtur dhe të vetmit ata që nuk kanë ku të fshihen janë qytetarët e thjeshtë të cilët kanë 25 vite që mbajnë erën e pamerituar të politikës.

Për dashnorët e flaktë të referendumit ju lutem na thoni minimalisht tre (apo qoft edhe një) aspekt të kësaj reforme!

Gjeneralët e verbër i drejtojnë turmat vetëm drejt greminës. Gjeneralët e vërtetë sigurojnë fitoren.

I takon shqiptarëve të dallojnë ushtrinë fituese dhe rrugën e shpëtimit.

Me 21 Korrik reforma në drejtësi duhet të miratohet me konsensus të plotë. Jo nga 94 deputetë, por 140. Jo me vota të blera por me përgjegjësi të plotë për shqiptarët. Politika duhet të tregojë, për herë të parë në historinë 25 vjeçare të pluralizmit, se është në borxh tejet të madh me këtë popull. Për herë të parë duhet të dëshmojë që kjo politikë është maturuar dhe se i meriton votat e njerëzve të thjeshtë.

Ashtu siç politika është skeptike brenda vetes shumë më shumë skeptike është populli ndaj saj. Ndaj edhe duhet një thyerje e kësaj brenge dhe ndarje të gjatë shtresore, klanore, dhe interesash.

Një politikë e popullit, nga populli dhe për popullin është retorika e preferuar e politikës, por ajo ia jep atij të marrë vendimet më të vështira ndërkohë që vetë politika e ka të thjeshtë, si çdo gjë tjetër, me një ngritje kartoni dhe buzëqeshje militantiste.

Janë shqiptarët që kanë vuajtur më shumë nga sistemi i korruptuar i drejtësisë. Si shumë më të varfër dhe shumë më të pa-rëndësishëm se sa politikanët e kanë ndjerë më shumë mbi supe padrejtësinë. Ndaj edhe shqiptarët e kërkojnë këtë reformë, ndaj edhe politika duhet ta miratojë atë me unanimitet të plotë me kartonin e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo me deputetët e një pale apo klani.

Politika ka shijuar prej dekadash privilegjet që ofron ajo, por kurrë nuk ka mbajtur përgjegjësinë që i ka takuar. Koha e shpagimit është data 21 Korrik.

Fatkeqësisht ne kemi shumë politikanë e pak shtetarë. Politikanët merakosen për zgjedhjet e ardhshme, shtetarët mendojnë për brezat që do të vijnë.

Shtetari bën apel për votim unanim me 140 vota, politikani me vota të blera dhe me forcën e shumicës.

Shqipëria ka shumë politikanë provimcial dhe pak shtetarë të së ardhmes.

Ka ende kohë për autokritikë dhe reflektim. Ka edhe pak orë që disa politikanë të vishen me integritetin që i takon dhe që ky popull meriton.

Share: