Home KRYESORE Rëndësia e leksioneve të hapura për arsimin e lartë.

Rëndësia e leksioneve të hapura për arsimin e lartë.

Nga Dr. Enriko Ceko

Leksioni i hapur është një veprimtari nëpërmjet së cilës përcillen në publik një a disa ide, pikëpamje, përvoja, etj. Leksionet e hapura kanë një histori të gjatë dhe të mrekullueshme në akademizmën evropiane dhe më tej edhe në atë amerikane e më gjerë. Leksioni i hapur është një mjet që përdoret për edukimin, përcjelljen e mesazheve dhe ideve te të interesuarit dhe në fillimet e veta zhvillohej jashtë në natyrë, rrugë, sheshe, etj, ndërsa në ditët tona, kryesisht leksionet e hapura zhvillohen në mjedise universitare.

Figura shumë të shquara të akademizmës ndërkombëtare si Sir Humphry Davy, që ka dhënë leksione në Institutin Mbretëror në Londër dhe Alexander von Humboldt, që ka dhënë leksione në Universitetin e Berlinit, kanë vënë vulën e tyre në këtë mënyrë dhe praktikë të përcjelljes së ideve dhe pikëpamjeve te publiku në përgjithësi dhe te shkollarët në veçanti.

Në ditët tona, praktika e organizimit të veprimtarivë të kësaj natyre, pra e leksioneve të hapura më së shumti është praktikuar nga universitetet publike dhe shkollat e larta jopublike universitare, përfshirë edhe ato të Shqipërisë. Institucionet e arsimit të lartë ftojnë në këto leksione të hapura individë që kanë njohuri për fusha të caktuara, akademikë ose jo të tillë, por që janë ekspertë të fushës së tyre të veprimtarisë, njerëz të shquar dhe individë që kanë kontribut të rëndësishëm në një a disa fusha të veprimtarisë njerëzore, si dhe të tjerë që me personalitetin e tyre, veprimtarinë e tyre, shkrimet e tyre, mendimet që kanë dhënë më parë, mund të shërbejnë si një model i vlefshëm për të tjerët, kryesisht bëhet fjalë për studentët.

Po sjell te ju një shembull konkret të datës 13 Mars 2017, ku në leksionet e hapura të organizuara nga SHLUJ Wisdom University, ishin të ftuar dy individë. Kasem Seferi, një ndër ekonomistët më me përvojë në Shqipëri në fushën e taksave dhe tatimeve, me një kontribut të përgëzueshëm në artikulimin e ideve dhe pikëpamjeve të tij për ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe elemente të saj në veçanti dhe Erion Hoxha, një drejtues i suksesshëm i një dege banke të nivelit të dytë, i shkolluar në drejtësi dhe ekonomi, i specializuar në manaxhimin e bankave. I pari komunikoi me studentët e SHLUJ Wisdom University për çështje kryesisht fiskale, ndërsa i dyti për çështje bankare.

E veçanta e këtyre dy individëve është se ata u përcollën studentëve informacione dhe përvoja të ndryshme dhe mjaft interesante, përveç asaj që pedagogët e këtij institucioni të arsimit të lartë japin në leksione, seminare dhe seancat e ushtrimeve në modulet që ata mbulojnë.

Aftësia më e madhe e një individi që kërkon të komunikojë me të tjerët është që ai t’i bëjë ata të marrin pjesë në debat dhe të bëjnë pyetje, komente dhe replika, gjë që në rastin e leksionit të hapur në fjalë ishte baza, themeli, pikëpamja mbi të cilën u ndërtua leksioni i hapur, ndërsa kombinimi i dy individëve që e njohin mjaft mirë politikën fiskale dhe sektorin bankar në një seancë leksioni të hapur ishte një përvojë e re, pak e përdorur, për institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri (sepse zakonisht leksionet e hapura ndërtohen vetëm me një folës) dhe për studentët një mënyrë mjaft interesante dhe e dobishme që ata të bënin ndërthurjen e asaj ç’ka kanë marrë në shkollë nga pedagogët me atë se ç’farë ndodh në aspektin praktin në ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe në fushën e politikave fiskale dhe monetare, përfshirë këtu edhe disa nga praktikat tatimore dhe praktikat bankare.

Unë solla në këtë artikull të shkurtër vetëm një shembull, që padyshim është një vlerë e shtuar në atë që ndodh në institucionet e tjera të arsimit të lartë në Shqipëri si Universiteti Europian i Tiranës, Tirana Business University, Fakultetin Ekonomik i Universitetit të Tiranës, e të tjerë (që nuk dua të mërziten përse nuk i përmenda), në lidhje me leksionet e hapura, por kam dëshirë që të theksoj se rëndësia e leksioneve të hapura, ku të ftuar janë njerëz të punës, specialistë të fushës përkatëse, persona të spikatur në një a disa fusha të jetës, përbën një element shumë të rëndësishëm për edukimin e studentëve tanë me modele individësh, të cilët kanë se ç’farë të rrezatojnë te brezi i ri.

Padyshim që në këtë rrëmujë mediatike dhe mënyre jetese ka shumë “modele” jetese që vërtiten tërë ditën e ditës nëpër ekrane muzikore, a gazeta e revista të tipit VIP, por modeli i vërtetë për të rinjtë tanë mbetet vetëm njeriu i punës dhe individi që bën përpjekje për përmirësim të vazhdueshëm, përgjatë tërë jetës. Kasem Seferi dhe Erion Hoxha janë padyshim shembuj për t’u ndjekur si në aspektin e këmbënguljes së tyre për perfeksion në punë, ashtu dhe në përpjekjet e tyre për të përcjellë në publik atë që ata mendojnë për jetën dhe njerëzit.

Për një leksion të hapur në një institucion të arsimit të lartë në Shqipëri nuk është e thënë që të jetë i ftuar dikush nga jashtë shtetit, dikush që i është dhënë mundësia dhe ka patur shansin të lindë e jetojë në Londër, Berlin apo Paris apo dikush që e ka bërë shkollën e shtrenjtë me financimin e gjyshit a dikujt tjetër (duke theksuar se edhe veprimtari të tilla, me të ftuar të huaj janë me shumë vlerë për arsimin e lartë shqiptar), sepse edhe në Shqipëri ka mundësi të shumta që në veprimtari të tilla të marrin pjesë si folës mjaft specialistë të fushave nga më të ndryshmet, edhe pse ndoshta nuk e kanë titullin e doktorit të shkencave apo profesorit, sepse midis qytetarëve të ndershmë, të thjeshtë e të mirë të këtij vendi ka me dhjetra e qindra njerëz të aftë në profesionin e tyre, specialistë të vërtetë që mund të thonë se ku çalon dhe përse çalon zhvillimi i vendit, individë që me punë e tyre të palodhur e fjalëpakë, kanë bërë të mundur që me djersën e ballit, me përkushtim ndaj vendit, shoqërisë e familjes, me vullnet të madh për të mësuar dhe krijuar në punën e tyre të përditëshme, të përballojnë me sukses vështirësitë e jetës dhe të bëjnë emër e nder në qytetarinë shqiptare dhe më gjerë.

Përvoja e fituar në të tilla veprimtari të organizuara edhe më parë, por edhe në rastin konkret të këtij leksioni të hapur për të cilin tregoj në këtë shkrim, shërben jo vetëm për SHLUJ Wisdom University, por edhe për institucionet e tjera të larta në vend për organizimin edhe më të suksesshëm të leksioneve të hapura, ku ndërthurja e të mësuarit me përvojën e folësve dhe me modelin qytetar që folësit ofrojnë, shërben që studentët tanë të jenë më të aftë për të përballuar më me sukses të ardhmen.

Share: