Home KRYESORE RIZAI…

RIZAI…

Nga Agim Xhafka

Kështu quhej mësuesi im i letërsisë në gjimnaz. Për ata korçarë që janë në mesmoshë emri Riza Hyso u sjell ndër mend një burrë me shtat mesatar,me një buzëqeshje të lindur në fytyrë,me cigare në dorë përherë dhe me një të folur të butë sikur gjithë kohës fliste në ndonjë çerdhe ku fëmijët sapo i kishte zënë gjumi.

Mësuesi im kishte moshën e tim ati,por nga që ishte martuar i madh dhe fëmijët i kishte të vegjël,besoja se ishte shumë më i vogël. Me ngrohtësinë ndaj nesh klasa jonë nga 43 nxënës u bë me 44. Se ai u fut aq natyrshëm në moshën tonë sa që filluam që ne çunat t’i tregonim edhe për rrahjet e zemrës që kishim ndaj asaj apo kësaj goce.

Ndikimi i Rizait ishte i prekshëm tek të gjithë. Ja,shembulli im. Nga klasa e parë e deri në maturë unë merrja veç dhjeta në matematikë, fizikë,gjeometri, por dëshiroja që në universitet të shkoja për letërsi. Ose nuk kishte nxënës që sa vinte ora e Rizait të mos i qeshte fytyra,sikur po i shërbehej ndonjë copë tortë në një pjatë porcelani.

Në fakt, mësues Rizai erdhi tek gjimnazi “Raqi Qirinxhi” kur kishte nisur viti i dytë. Para tij na jepte mësim dikush që lëndën na e përcillte veç me përkufizime e me komente aq të ndërlikuara sa na dukej se ishim në orën e kimisë.

Që në takimin e parë Rizai na pyeti në se e kishim parë dramën “Njollat e murme”? Ndërsa po shihte hezitim e tregoi të gjithën siç dinte ai. Njësoj si gjyshja ime kur më vinte në gjumë me xinxifilen. Shtruar dhe me fjalë të zgjedhura, duke lëvizur nëpër klasë na përpiu. Harruam ku ishim,por zilja na solli ndër vete. U bë modë që në mësim flitej për drama,filma,romane. U hodhëm me kokë në bibliotekën e qytetit dhe garë kush lexonte e tregonte më bukur.

U harruan faqet e librit dhe teoria e përkufizimeve. Ne nuk po mësonim letërsi,ne po bënim letërsi.

Rizai na drejtoi tek emocionet. Një shkrimtar është si një këngëtar,na thoshte.Nuk pëlqehet ai që bërtet apo që ka zë më të fortë,por ai që të hyn nga zemra,jo nga veshët. Se arti është emocion,ndryshe do ishte një copë brumë e papjekur,që nuk i mungon gjë,por nuk hahet.

Mbaj mend ditën e provimit të letërsisë tek dera e klasës vendosur një fletë fletoreje dhe me shkrimin e tij kishte shënuar se tetë nxënës që kishin emrin atje nuk do hynin fare në provim se kishin dhënë provim çdo ditë për katër vite. Të tetë merrnin dhjetë pa u paraqitur në komision.
Më pas pushimet dhe në gusht mësoj se më ishte miratuar universiteti për…inxhinieri. Sikur vdiqa nga hidhërimi. Vrapin tek shtëpia e mësues Rizait.

-Të mori më qafë matematika,-më tha.
-Çfarë të bëj?- e pyeta.
-Mos shko,rezisto!

Kështu kaloi një vit me sherre e mllefe të prindërve e kushërinjve deri sa gushtin tjetër ia dola. Për letërsi.

Mësues Rizai shumë vite krijoi dhe vetë drama, komedi, skeçe e të gjitha të suksesëshme. U realizuan nga aktorët e mrekullueshëm korçarë. Ata e donin Rizain siç e donim ne. Se ishte njeri artist. Kur mësova se ndërroi jetë para ca vitesh m’u duk se më la babai për herë të dytë. E ndjeva shumë ikjen e tij,sikur m’u errësuan vitet më të mira të jetës.Unë pak punova mësues,por në çdo orë model kisha Rizain tim.

Sa herë vij nga Amerika e vrapoj tek varret e prindërve,marr dhe një buqetë lulesh për Rizain. Nuk harroj asnjëherë t’i shkoj pranë, ta përkëdhel në foto e t’i them të njëjtat fjalë:

-Shoku dhe mësuesi im,të jam borxh se më zbukurove jetën dhe më edukove ndjenjat e shijet. I kam thënë dhe babait se ty të dua sa atë e të respektoj njësoj. Aty e ke dhe pyete! Ju përqafoj fort,o shokët e mij!

Share: