Home KRYESORE Rusia, Lavrov: Shtetet e Bashkuara po provokojnë Korenë e Veriut

Rusia, Lavrov: Shtetet e Bashkuara po provokojnë Korenë e Veriut

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po kërkojnë të provokojnë Korenë e Veriut, që të intensifikojë programin e saj bërthamor.

Ai refuzoi thirrjen e përfaqësueses amerikane në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të shkëputur lidhjet me Korenë e Veriut, pas testit të fundit balistik të saj.

Rusia argumenton se, sanksionet nuk funksionojnë dhe nevojiten negociata. Duke folur në një vizitë në kryeqytetin bjellorus, Minsk, Lavrov u pyet nëse Amerika po kërkon në mënyrë aktive të shkatërrojë Korenë e Veriut.

“Kushdo ka përshtypjen se gjithçka po bëhet me qëllim që të irritojë Kim Jong-unin dhe ta shtyjë atë drejt veprimeve të mëtejshme të pakëshillueshme. Nëse duan të gjejnë një pretekst për të shkatërruar Korenë e Veriut, siç tha e dërguara amerikane në Këshillin e Sigurimit, atëherë le ta thonë hapur dhe udhëheqja amerikane ta konfirmojë këtë”, tha Lavrov.

Nikki Haley, ambasadorja amerikane në OKB u kërkoi të gjitha vendeve të ndërpresin lidhjet diplomatike dhe tregtare me Penianin.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se qeveria e Koresë së Veriut do të shkatërrohet tërësisht, nëse lufta shpërthen. Të mërkurën, Koreja e Veriut testoi të parën raketë të saj në këto dy muajt e fundit, duke thënë se territori kontinental i Amerikës përfshihet tashmë në rrezen e fluturimit.

Sidoqoftë, ekspertët e mbrojtjes kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e saj për të perfeksionuar teknologjinë e nevojshme për të lançuar një raketë, mbi të cilën mund të ngarkohet një kokë bërthamore që të jetë në gjendje të rihyjë në atmosferën e Tokës. /360grade.al

Share: