Home KRYESORE Sfida e re në Ballkan, rreziku që vjen nga Rusia e Turqia...

Sfida e re në Ballkan, rreziku që vjen nga Rusia e Turqia per BE

Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar, por e para ende jo. Analisti i “The Guardian”, Ivan Krastev citon fjalët e një zyrtari të lartë turk për t’iu referuar problemeve gjeopolitike të rajonit të Ballkanit.

Duke përmendur fiksimin në rritje të publikut dhe qeverive me kufijtë dhe territoret, analisti pohon se kapaciteti i BE-së për të vepruar në Ballkanin Perëndimor po vihet seriozisht në provë.

Përpara se unioni të realizojë ambicien e tij për transformimin e rajonit, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin atje.

Ndërsa në vitin 2003 nuk kishte dyshime mbi të ardhmen europiane të Ballkanit, e Turqia ishte entuziaste për mundësinë e integrimit në BE, sot konkurrenca gjeopolitike është e ashpër.

Përmes investimeve të mëdha, sidomos në Serbi, Kina po shtrin gjithnjë e më shumë ndikimin e saj në rajon. Gjithashtu, qasja e Rusisë ndaj Ballkanit ka ndryshuar, – vijon “The Guardian”, – dhe Brukseli nuk ka nevojë të ketë një spiun në Kremlin për të ditur se Moska do të bëjë gjithçka për të penguar Maqedoninë t’i bashkohet NATO-s, jo për shkak të rëndësisë strategjike, por për vlerën simbolike të këtij akti.

Ballkani është rajoni ku Rusia mund të punojë për të destabilizuar BE-në me një kosto shumë të ulët, si nga këndëvështrimi financiar, ashtu edhe në rrezikimin e një përballjeje me SHBA. Një tjetër rrezik vjen nga Turqia, ndërsa është e paqarte sesi do t’i luajë kartat e tij në Ballkan presidenti Recep Tayyip Erdogan.

“The Guardian” sugjeron se Rusia e Turqia mund të koordinojnë politikat e tyre në rajon, si në rastin e Sirisë, me Ankaranë që mund të përdorë ndikimin te komunitetet myslimane dhe Moskën tek ato ortodokse.

“Nëse BE-ja nuk vepron përballë këtyre realiteteve të reja gjeopolitike, strategjia e saj për Ballkanin Perëndimor do të dështojë”, përfundon analisti Krastev./Top Channel

Share: