Home KRYESORE Shitësja e vogël e librave…

Shitësja e vogël e librave…

Nga JETA TOÇILA

Hyj në një librari për të kërkuar librin “Rrëfej unë, gruaja” nga Mimoza Kuchly. Kam dëgjuar fjalë të mira dhe unë autoret femra nuk i lë pa lexuar.

Por e keni parasysh që kur hyn për një libër përfundon duke shfletuar edhe dhjetra të tjerë me terezinë e njeriut që ka rezervuar kohën e duhur. Por dje ishte hera e parë që bleva vetëm librin e Mimozës. Vajza që shërbente aty desh më mori frymën. Më shoqëronte nga pas për çdo libër që shfletoja. Për ti shprehur mirënjohje për këtë kujdes që po më shfaqte, e pyeta për librat e rinj nëse m’i sugjeronte.

Vajza nuk kishte lexuar asnjërin prej botimeve të vitrinës, dhe madje as librat më me bujë të rafteve, e megjithatë më vinte pas për të më asistuar. Po për çfarë?? Mos ndoshta e kishin porositur t’u mbante librat klientëve apo t’i ruante se mos u prishnin raftet e sistemuara? Dhe vërtet, me një shprehje pakënaqësie në fytyrë ajo vendoste librat që unë lëshoja pa interes në raft dhe më pas merrte pozicionin pritës me duart në brez, shyqyr pa nuancë hakërrimi, ndërkohë që tinguj e mesazheve që i vinin në celular ia shtonin bezdinë.

Në këto momente kisha mundësinë të reagoja me disa variante sjelljeje. Ose të tregohesha cinike, duke u tallur me shitësen e krehur dhe grimuar bukur. Ose të bëja indiferenten e të vazhdoja të bëja lëmsh librarinë, ose të ikja, të blija pa humbur kohë librin që kisha zgjedhur, ose të tregoja mirëkuptim, pse jo të bëja pak muhabet me shitësen e vogël të librave ende të palexuar, e cila, ndërkohë që unë mendoja, më tha se më kishte parë në një emision në TV.

Doli që vajza adhuronte televizionin dhe punën aty si shitëse e kishte të përkohshme. “Çfarë ka më tepër se mua X apo Y- më tha. Shoqe klase i kam patur. Kur drejtojnë ato emisione, pse mos ta bëj edhe unë. Më mjafton bukuria që kam”.

Kështu pra, vajzës i vetëmjaftonte bukuria fizike. Dhe nëse nuk e kishte të plotë atë sipas kritereve të bukurisë së sotme, e dinte se mjaft klinika ofronin buzë, mollëza e gjokse të reja. E atëherë, shitësja e librave, do ta siguronte një vend në ekran, në mos si prezantuese apo velinë, ndoshta dilte në ndonjë spot publicitar si simbol i imazhit femëror, e adhuruar dhe lakmuar nga shoqet e saj.

Ndërkohë që nxorra paratë të blija librin “Rrëfej unë, gruaja“ më duhej t’ia thoja dy fjalë:

E dashur vajzë, unë e kam zët moralin, por dikush duhet të të thotë që nuk lexohen vetëm mesazhet në Viber apo Facebook. Ke edhe libra përreth. Nëse i ke bezdi t’i mbash në çantë, gjeji në formë elektronike.

Unë sot do lexoj librin që bleva. Kur isha sa ty kisha lexuar Jane Austen, Simone de Beauvoir, Charlotte Brontë, Daphne de Maurier, Margaret Mitchell, George Sand, etj etj…

Sikur dhe ti të filloje me këto, do t’ishte një hap i mirë drejt bukurisë tënde të plotë. Kur të vij javën tjetër të blej disa libra para se të shkoj me pushime, pres të më tregosh çfarë ke lexuar.
Mirëupafshim e dashur!

Share: