Home KRYESORE Shkatërrimi në heshtje i objekteve të trashëgimisë ortodokse shqiptare

Shkatërrimi në heshtje i objekteve të trashëgimisë ortodokse shqiptare

Nga Arben LLALLA

Shkak për rikthimin e kësaj çështjeje tërësisht urgjente dhe mundësinë për të ridhënë alarmin mbi atë çfarë po u ndodh këtyre objekteve historike, si dhe kush po e shkakton këtë shkatërrim të vlerave tona shpirtërore dhe kombëtare, ma dha ankesa e KOASH, e cila shfrytëzoi mbledhjen e Asamblesë kleriko-laike të saj, për t’u drejtuar organeve shtetërore një protestë për përdhosjen e disa objekteve të kultit, për shkak se aty ishin fotografuar disa vajza të veshura si nuse. Dhe kisha ortodokse kërkonte nga shteti që të zbatonte marrëveshjen që ka fuqi ligjore dhe t’i kthente asaj të gjitha pronat, objektet, ikonat, reliket, etj.

Që në fillim dua të pozicionohem edhe unë kundër përdorimit të vendeve të shenjta si studio fotografimi, pasi ato janë objekte adhurimi. Nuset në kishë, qoftë edhe të veshura me aq elegancë, futen vetëm në çastin kur ato do të lidhin kurorë me djalin që u ka fituar zemrën, dhe në asnjë rast tjetër, dhe mund të fotografohen vetëm gjatë kësaj ceremonie, dhe në asnjë rast tjetër. Këtë sqarim dua ta bëj pa asnjë hezitim, pasi nuk e ka për gjë, zyra e shtypit të KOASH-it, të ngrejë argumente raciste dhe diskriminuese të tipit “një njeri me origjine myslimane” merret me punët tona. Zotërinj të nderuar, të gjithë njerëzit, e të gjitha origjinave, do të merren me punët tuaja, për sa kohë që ato punë, shkelin dhe përzihen me punët e shtetit dhe shoqërisë ku ne jetojmë.

Po për çfarë pune po flas? Më lejoni t’jua shpjegoj. Sërish po deklarohem qartë dhe prerë që shteti duhet t’ia kthejë pronat kishës dhe çdo komuniteti fetar, dhe aty ku këto prona përbëjnë një interes madhor si pasojë e kthimit të tyre në pasuri kombëtare shpirtërore, shteti të bashkëpunojë me kishën, për ruajtjen dhe përdorimin e tyre. Por kurrësesi tani, jo në këtë kohë, pasi problemi qëndron gjetke, ai është shumë më i madh se kaq, shumë më i errët sesa duket.

Po marr si shembull dy objekte të një rëndësie të veçantë fetare dhe kulturore, Manastiret e Ardenicës dhe të Zvërnecit. Këto janë dy prona që i ka patur shteti nën ruajtje dhe kujdestari dhe ia ka kthyer kishës ortodokse, me kërkesën dhe këmbënguljen e saj, dhe shumë mire bëri. Kisha dëshiron që të marrë dhe të tjerat, por le të shohim se çfarë ka bërë ajo me këto objekte që tashmë ka në pronësi. Ka bërë masakër, po, po, masakër, braktisje, lënie pas dore, deri në pikën ku këto dy objekte janë në prag shkatërrimi total, duke i bërë kombit një dëm kolosal në historinë e tij.

Sigurisht në kalendarët e saj dhe në të dhënat që kisha boton, këto dy manastire i janë nënshtruar restaurimeve, dhe burimet e mia më thonë, që po, janë restauruar, por nga një firmë e pa specializuar, edhe pse e licensuar, për këto ndërhyrje delikate, pasi pronari i kësaj firme kishte tërhequr me filohelenizmin e tij, simpatinë e kryepeshkopit dhe peshkopit të Gjirokastrës, të cilët betohen akoma në bindjet the besnikërinë e tij për kauzën e megalloidesë. Madje kjo firmë, ka zbatuar edhe projektin për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Këlcyrë, duke shkatërruar vlerat historike të manastirit të ngritur nga vendasit, dhe duke e kaluar atë pronë de facto, në një territor të përdorur nga shteti grek për interesat e tij. Dhe paradoksi është që tek varrezat greke ka punuar shumë mirë dhe me cilësi të habitshme, ndërsa manastireve shqiptare u ka shkaktuar dëme të pallogaritshme, dhe po të lihen gjërat siç janë, fundi i tyre do jetë tragjik.

Shikoni si lidhen gjërat, prona, manastire, varreza, restaurime, shkatërrime. Dy janë arsyet e kësaj tragjedie që po tenton të vrasë trashëgiminë tonë kulturore, ose kjo kompani nuk di ta bëjë punën, dhe në vend që të ndërtojë, shkatërron, ose kësaj kompanie i është dhënë urdhër, që nën mbulesën e restaurimit, të përdorë çdo formë teknike për shkatërrimin e objekteve ku ndërhyn, me qëllim që t’i zhdukë nga faqja e dheut, ashtu siç dikujt i injektohet një helm me veprim të ngadaltë, që t’i vijë vdekja “natyrale” më vonë. Nuk dua t’ju tingëllojë si konspiracionist, por po bëj analizën time, dhe po jua lë lexuesve të dalin në konkluzione dhe shtetit të marrë masa urgjente.

Nëse është e para, pra nëse firma ka ndërhyrë e pa specializuar, shteti duhet të kërkojë përgjegjësit dhe t’i penalizojë ata me ashpërsinë e ligjit. Nëse është e dyta, këtë urdhër kësaj kompanie dhe pronarit të saj, besnik të kauzës, ia ka dhënë direkt Anastas Janullatosi dhe për këtë duhet të hetohet edhe ai si porositësi dhe sponsori i këtyre restaurimeve vdekjeprurëse për këto dy manastire. Sido që të jetë, në këtë gjendje të mjerueshme që gjenden këto dy objekte, shteti duhet të kërkojë përgjegjës, pasi ai ka për detyrë ta ruajë trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare, por edhe t’i kërkojë llogari KOASH se çfarë bëri për t’i mbrojtur këto prona?

Një arsye më tepër që më shtyn të mendoj që Janullatosi ka porositur shkatërrimin e këtyre dy objekteve, është edhe fakti që ato lidhen historikisht me shqiptarizmin. Ardenica është vendi ku vuri kurorë Skënderbeu dhe Zvërneci është vendi ku prehen eshtrat e Marigo Posios, qëndistares së flamurit të pavarësisë. Dhe ndaj Anastas Janullatosi ka shumë arsye për t’i urryer me gjithë shpirt këto dy vende të shenjta të shqiptarisë.

Sërish, ai nuk ka lejuar kurrë, të përdoreshin bileta për turistët siç bën kisha greke në kësi rastesh, pasi këto manastire do të fuqizoheshin shumë ekonomikisht dhe do të pavarësoheshin prej tij. Kështu, që do të fillonin t’i rregullonin vetë difektet e tyre, pra të shëroheshin nga virusi vdekjeprurës që u ka futur kompania famëkeqe restauruese. Por këtë gjë kryepeshkop Anastasi, sa të jetë në fron, s’ka për ta lejuar kurrë, ndaj i mban peng ekonomikisht. Dhe një fushatë të gjerë donacionesh nga i gjithë kombi shqiptar, ai s’ka për ta bekuar kurrë, se do të tregojë që burimi i vetëm i të ardhurave në KOASH, është ai dhe askush tjetër, ky është sekreti i pushtetit të tij.

Ndaj, me ç‘të drejtë, kisha kërkon pronat dhe objektet e saj që janë akoma nën ruajtje shtetërore, që t’i katandisë ato si Ardenicën dhe Zvërncecin, që t’i fusë helmin e “restaurimit” dhe më pas ne të shohim me sytë tanë se si ato shkojnë drejt degradimit fatal? Në këtë mënyrë, pas disa vjetësh, ne nuk do të na ngelet asnjë objekt në këmbë që të dëshmojë historinë tonë, fenë tonë dhe kulturën tonë kombëtare, pasi ato do të jenë shkatërruar plotësisht dhe në mënyrë të pariparueshme.

Sot në Zvërnec, ura e shkatërruar dhe që kisha refuzon ta riparojë e ka bërë manastirin të pa vizitueshëm, kisha brenda ishullit po thërrmohet dita-ditës, ndërsa Ardenica rrezikon të shembet dhe të zërë brenda murgjit shqiptarë që banojnë brenda saj. Kush nuk i beson këtij denoncimi, le të mos lexojë përgënjeshtrimin zyrtar të kishës, që nuk do vonojë të dalë, por t’u besojë syve të tij dhe të shkojë te verifikojë këto që po them. Specialistët e trashëgimisë kulturore dhe strukturat shtetërore duhet të ngrihen në këmbë,o sot o kurrë, se ndryshe do të jetë shumë vonë.

Shteti duhet të marrë masa urgjente dhe të hapë hetime që të gjejë përgjegjësit e këtij atentati të rëndë që i bëhet kulturës sonë kombëtare, përfshirë kompaninë restauruese, sponsorët, dhe deri tek autoritetet kishtare që kërkojnë edhe pronat e tjera, pasi të jesh pronar nuk do të thotë që ti mund të bësh ç‘të duash me këto prona, që u përkasin jo vetëm ortodoksëve, por të gjithë shqiptarëve.

Dhe sigurisht, shteti duhet që pronat që i kanë mbetur akoma në ruajtje, t’i respektojë dhe t’i mbajë fort, dhe në asnjë mënyrë të mos bëjë gafën t’ia japë KOASH, të paktën për aq kohë sa në fron është Anastas Janullatosi, pasi ai këto prona, o do t’i rishkatërrojë ose do t’i kthejë në varreza ushtarësh grek, pasi ka çerek shekulli që tregon, se për këtë punë ka ardhur. Pronat kthejini vetëm kur KOASH-i t’u jetë rikthyer ortodoksëve shqiptarë, se ata janë gardianët dhe pronarët e vërtetë.

ortodokse1Ndoshta dikush në organet qeverisëse dhe vendimmarrëse do të ndërgjegjësohet se çfarë po ndodh, dhe si po shkatërrohen në mënyrë të pariparueshme, objektet e kultit ortodokse, që janë përveçse pronë e KOASH, edhe trashëgimi kulturore, ndaj dhe pronë e të gjithë kombit shqiptar.

Kohët kërkojnë veprim shtetëror urgjent!

Shenim: Jo domosdoshmerisht opinioni i autorit perkon me opinionin e redaksise te Perqasje.com

Share: