Home KRYESORE Sokol Balla: Javën tjetër nis hakmarrja e ‘Rilindjes’; këta janë ministrat e...

Sokol Balla: Javën tjetër nis hakmarrja e ‘Rilindjes’; këta janë ministrat e rinj

Gazetari Sokol Balla, njëkohësisht drejtues i emisionit ‘Top Story’, shprehet se javën e ardhshme, me publikimin e emrave të ministrave të rinj, do të nisë hakmarrja e Edi Ramës dhe ‘Rilindjes’. Në opinionin e publikuar në “Albanian Free Press”, Balla thekson se kriteri kryesor që do të ndikojë në përzgjedhjen e ministrave të rinj do të jetë besnikëria ndaj ‘Rilindjes’, një toponim politik që ka bashkuar kundërshtarët e Ramës në talljet dhe kritikat ndaj qeverisë.

“Sepse ky mandat i dytë qeverisës i të majtës nuk është i PS. Ky është mandati i Ramës, ose më saktë i Rilindjes. Kritikët ironikë e sarkastikë, të dukshëm e të padukshëm, brenda apo jashtë PS, brenda apo jashtë koalicionit, brenda apo jashtë vendit, bashkoheshin në talljet dhe kritikat e tyre në një toponim politik: Rilindja. Javës tjetër, me zyrtarizimin e qeverisë së re, zyrtarizohet dhe hakmarrja e Edi Ramës dhe e Rilindjes… Sepse ky do të jetë kriteri politik i fshehtë, por vendimtar i pjesëmarrjes në kabinetin e ri qeveritar të autorit të “Rilindjes”. As performanca elektorale, as ajo politike. Ndërsa të tjerët… si tek “Lulëkuqet mbi mure”: “Ngrohuni në diell!”,- shkruan Balla.

Gazetari jep edhe parashikimin e tij se si do të duket qeveria e re, ku sipas tij, përveç Fatmir Xhafajt dhe Gramoz Ruçit që janë konfirmuar tashmë në krye të ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit, Lindita Nikolla është deputetja që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara nga Rama për të qenë pjesë e kabinetit të dytë. Në të njëjtat pozita favorizuese, Balla sheh gjithashtu Damian Gjiknurin, por nuk mendon njësoj për Saimir Tahirin apo Ilir Beqajn.

Ministrat e rinj sipas Sokol Ballës:

Gramoz Ruçi: Kryetar Kuvendi.

Fatmir Xhafaj: Ministër i Brendshëm.

Lindita Nikolla: Ministre e Arsimit dhe Kulturës; ose Ministre e Jashtme.

Ditmir Bushati: Ministër i Jashtëm; ose Ministër i Integrimit.

Mimi Kodheli: Ministre e Jashtme; ose jashtë qeverisë.

Arben Ahmetaj: Ministër i Financave.

Damian Gjiknuri: Ministër i Transporteve.

Eglantina Gjermeni: Ministre e Bujqësisë dhe Mjedisit.

Milva Ekonomi: Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit.

Taulant Balla: Kryetar i Grupit Parlamentar; ose Ministër i Mbrojtjes.

Pandeli Majko: Kryetar i Komisionit të Ligjeve; ose Ministër i Mbrojtjes.

Blendi Klosi: Organizimi i PS.

Ilir Beqaj: Kryetar i Komisionit të Ligjeve; ose Ministër i Bujqësisë dhe Mjedisit.

Saimir Tahiri: Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Sokol Balla sheh pjesë të qeverisë edhe Ogerta Manastirliun dhe Olta Xhaçkën, të cilat përfliten prej kohësh për postet e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Share: