Home Gjeo-Ekonomia Tabaku takon biznesin e vogël: Luftë për mbijetesë!

Tabaku takon biznesin e vogël: Luftë për mbijetesë!

Partia Demokratike e cilëson përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së jo vetëm një barrë më shumë për këtë kategori, por njëherazi edhe rrezik për falimentimin e tyre. Nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku u takua me disa prej këtyre bizneseve, të cilët iu ankuan për barrën e rëndë fiskale që do të rëndojë mbi ta pas datës 1 Prill.

Tabaku thotë se krahas TVSH-së biznesi i vogël preket edhe nga taksa e pronës dhe tarifa e rrugës së Kombit.

“Bizneset në këtë treg preken në mënyrë masive nga të treja. Po të shikoni, pothuajse gjysma e bizneseve kanë mbyllur qepenat. Ka rënie të konsumit. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë, rritja e taksës së tatimfitimit deri në 15%, tatimin mbi dividentin që e kanë shtuar këtë vit për bizneset që konsiderohen si më të mëdha. Në fund të ditës, në xhepin e biznesit mbetet 15% e të gjithë xhiros së biznesit, që është vetëm për të mbuluar shpenzimet për mbijetesë. Kjo është shprehja që të gjitha bizneset kanë thënë; jemi në kushtet e mbijetesës”.

Rritja e taksave dhe vendosja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së është kundërshtuar nga Fondi Monetar ndërkombëtar,Dhoma Amerikane e Tregtisë si dhe Shoqata e Biznesit të Vogël, i cili ka paralajmëruar edhe mbajtjen e disa protestave kundër vendimit të qeverisë. /tv Klan

Share: