Home KRYESORE Tangoja europiane e Shqipërisë. Nga Ilir Kalemaj

Tangoja europiane e Shqipërisë. Nga Ilir Kalemaj

Bashkimi Europian ka një interes të vazhdueshëm ta përshpejtojë procesin e integrimit deri në momentin e anëtarësimeve të reja, e konfirmuar para disa kohësh edhe nga Procesi i Berlinit. Në këtë moment do të ketë një vendimmarrje bazuar në meritën e vendeve kandidate, por nuk përjashtohen edhe faktorët gjeopolitikë. Ardhja e kryekomisionerit Juncker në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik, në njëfarë mënyre përsëriti refrenin e vjetër të “bërjes së detyrave të shtëpisë” përpara hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Parimi i Regattës, ku secili vend do të vlerësohet sipas meritës është një parim i përsëritur qysh nga Samiti i Selanikut në 2003 që çeli rrugën e perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo farë tango ku ne ballkanasit e mirë bëjmë sikur i bëjmë detyrat me përpikëri, ata (Brukseli) bëjnë sikur na besojnë dhe në fund ripërsëritet avazi i vjetër i kushteve të stërpërsëritura, ku kryeson reforma e nisur dhe ende e pa bitisur e drejtësisë dhe “thembra e Akilit” e korrupsionit, janë dhe një ushtrim i mirë logjike apo metafizike se kur do i hapim dhe, akoma më e rëndësishme, kur do i përfundojmë negociatat për anëtarësimin e plotë.

Vendet europiane mund të kenë rezerva specifike, por bashkohen tek reforma e gjyqësorit dhe mirëfunksionimi i shtetit të së drejtës. Thënë kjo, vende specifike mund të kenë kërkesa specifike, por jo bllokuese, në këtë rast mund të kemi çelje negociatash me kushte, pa plotësimin e të cilave çelja nuk bëhet efektive, por në rastin e plotësimit të tyre nuk kërkohet një vendim i ri i Këshillit Europian. Për shembull, Greqia mund të aplikojë veton, ndonëse nuk ka dhënë sinjale të tilla direkte dhe kjo nuk cenon vetëm procesin e integrimin, por ushqen dhe nacionalizmin në përgjithësi. Zgjidhja e çështjes së detit, një problem i mprehtë dhe aktual, nuk është dhe nuk duhet të jetë një emergjence për të përfituar mbështetjen e Greqisë, por një zgjidhje ligjore dhe profesionale që do t’i rezistojë kohës dhe nuk do të ushqejë nacionalizmin apo qëndrime bllokuese.

Rasti i Kroacisë është tregues i mirë i çfarë mund të ndodhë me hapjen e negociatave nëse rekomandimi i Komisionit është pozitiv tani në pranverë. Kroacia i hapi në 2005 negociatat me kusht për bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë. Nga prilli deri në tetor u vëzhgua më imtësi procesi i bashkëpunimit nga ana e Kroacisë deri sa Këshilli e pranoi arsyetimin e Komisionit për bashkëpunim të plotë dhe pa kushte të Kroacisë si dhe rishikimin tërësor të legjislacionit të vendit që u gjykua të ishte në përputhje me acqui communitaire. Ndërkohë problemet e Kroacisë me Slloveninë për Gjirin e Piranit dhe të drejtat e peshkimit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite me Kroacinë që refuzon një arbitrim ndërkombëtar.

Ndërsa Kroacia e mori statusin kandidat në 2004 dhe u bë pjesë e BE-së në 2013, Maqedonia që e mori veç një vit më pas statusin kandidat, pra në 2005, ende sot që flasim nuk ka hapur negociatat dhe ka mundësi mos t’i hapë as gjatë këtij viti ndonëse ka bërë progres të qenësishëm muajt e fundit. Kjo kryesisht për shkak të vetos greke për çështjen e emrit, por dhe probleme të tjera të brendshme ku rritja e autoritarizmit dhe nacionalizmit retro nga ana e ish-kryeministrit Gruevski nuk ndihmuan aspak në këtë drejtim. Krejt ndryshe situata me Malin e Zi që brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër si shtet i mëvetshëm ka arritur progres të qenësishëm që nga marrja e statusit kandidat në 2010, hapjen e negociatave në 2012 dhe hapjen e 30 kapitujve të negociatave duke përfunduar suksesshëm tre prej tyre. Serbia, me dy vjet vonesë në secilin prej këtyre hapave të Malit të Zi, është në radhë për të qenë e dyta nga vendet që priten të anëtarësohen deri në 2022-2023 sipas projeksioneve të fundit të zyrtarëve të BE-së dhe analistëve politikë, ndonëse në rastin serb vlen të rikujtojmë dhe kushtëzimin me njohjen e Kosovës në një moment të dytë.

Momenti i ardhjes së kryekomisionerit Juncker dhe dhënia e sinjaleve të forta që dera e BE—së qëndron hapur për sa kohë nuk zgjedhim të rrimë si barbarët në Romën e lashtë ante portas, duhet të shërbejë në rrugën e integrimit si një reflektim kombëtar për prioritetet dhe sfidat e vendit. Është detyrë e mazhorancës që të shtrijë dorën e bashkëpunimit të sinqertë institucional me aktorët dhe faktorët opozitarë për të krijuar kushtet për një dialog kombëtar përtej retorikës politike të ditës në lidhje me çështjet e integrimit. Opozita, gjithashtu, duhet ta shohë si një mundësi kapitalizimi politik bashkëpunimin për një proces integrues më pak konfliktual dhe të orientuar drejt debatit teknik për realizimin e atyre kushteve dhe kritereve që çelja e negociatave dhe mandej negocimi i suksesshëm i tyre të mos hasë në mure bllokuese. Nëse integrimi vërtetë do të kërkohet si mundësi e përmirësimit të jetës së shqiptarëve, llogaritë duhet të jenë të ftohta dhe të shmanget përdorimi si instrument politik për ta shitur si produkt elektoral në favor të njërës apo tjetrës palë.

Share: