Home KRYESORE Top Channel ne udhekryq ligjor dhe politik!?

Top Channel ne udhekryq ligjor dhe politik!?

Ajo që përflitej ndodhi. Kriza në Top Channel tashmë është bërë publike dhe fati i televizionit më të madh në vend është realisht në rrezik. Në betejë janë futur as më pak as më shumë sesa pronarët e tij. Dhe konflikti ka përfunduar në gjykatë. Nga njëra anë janë Albert Sino dhe Aurel Baçi, dy nga miqtë e pronarit të ndjerë Dritan Hoxha. Në anën tjetër ndodhet gjithë familja e tij: Itan Hoxha, Lorela Hoxha, Redia Hoxha, Sara Hoxha dhe Vjollca Hoxha. Këta të fundit i kanë paditur të parët sepse duan kthimin mbrapsht të aksioneve që u ka dhënë dikur burri dhe babai i tyre.

Sipas burimeve të Lapsi.al, znj Hoxha ka marrë si përfaqësues ligjor avokatin e njohur Maks Haxhia (që ka depozituar padinë në 18 janar) i cili mendohet se do ta përqëndrojë mbrojtjen e tij në kthimin e aksioneve të Top medias pranë familjes, sepse i ndjeri Dritan Hoxha i ka falur ato pa miratimin e bashkëshortes.

Palët janë pozicionuar në një betejë të ashpër dhe konflikti i fundit mendohet se ka lindur pas shkarkimit të ish drejtorit të përgjithshëm Enkel Joti.

Edhe aksionerët e tjerë më në fund u dorëzuan përpara kërkesës këmbëngulëse të znj Hoxha, për shkarkimin e ish drejtorit. Kjo ndodhi ashtu siç shkroi Lapsi.al në mes të dhjetorit të kaluar. Por ata nuk ishin dakord që ky “lëshim”, të shoqërohej edhe me marrjen e komandës nga Vjollca Hoxha, dhe me rregjistrimin e saj si administratore në QKR.

Pasi kjo ndodhi dhe lajmi u bë publik në ditët e para të janarit, në Top Channel nuk ka më qetësi. Të gjitha emërimet, shkarkimet, lëvizjet e emisioneve kanë për qëllim, marrjen e frenave të televizionit nga palat kundërshtare. Sepse të gjithë e dinë më së miri se kush do të shkojë në gjykatë me fuqinë mediatike në duar, ai do ta fitojë edhe betejën ligjore. Nga mënyra se si funksionon sistemi ynë i drejtësisë, nuk ka rrugë tjetër.

Po pse lindi tani kjo çështje ndërkohë që i ndjeri Dritan Hoxha i kish falur që në qershor 2007 60% të aksioneve? Pse Vjollca Hoxha kërkon çrregjistrimin e aksioneve, heqjen e së drejtës së votës, heqjen e mundësisë për të marrë fitimet për dy partnerët e saj Albert Sinon dhe Aurel Bacin?

Edhe më parë Lapsi e ka shpjeguar këtë konflikt. Ai është një tentativë për tu përfillur nga pushteti që u bë edhe më e fortë që kur Edi Rama rrefuzoi ti jepte zj Hoxha parkimet e qytetit të Tiranës që i kishte premtuar Lulzim Basha.

Që nga ajo ditë trashigimtarja e Top Channelit dhe kryeministri nuk kanë më paqe. Pikërisht për këtë ajo filloi të flirtojë edhe me Ilir Metën i cili ka sot, me stafin e ri shumë më tepër influencë në Top Channel. Kjo lëvizje iu bë e detyruar pas fjalëve të përhapura se televizioni tjetër rival, Klan, po komplotonte për llogari të Edi Ramës, kundër Ilir Metës.

Por pavarësisht nga këto kalkulime politike, përplasja mes pronarëve mund të rrezultojë fatale për TV më të madh në vend. Kjo është padyshim kriza më e madhe që kjo media ka pasur që prej themelimit të saj dhe mund ta çojë atë drejt një beteje të brendëshme pa fund. (Lapsi.al)

Share: