Home KRYESORE Vajza e 50 vjeçarit të vrarë në Ksamil jep detajet e ekzekutimit...

Vajza e 50 vjeçarit të vrarë në Ksamil jep detajet e ekzekutimit të babait

Nga Lapsi.al

Zinxhiri i hakmarrjes për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016 në fshatin Shëndëlli të Sarandës, duket se nuk ka të sosur. Viktimë e radhës ka mbetur 50-vjeçari Vangjel Çiko, i njohur ndryshe me emrin “Gelo”. Ai u qëllua për vdekje mbrëmjen e së shtunës, teksa po parkonte mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” në oborrin e banesës së tij. Burime pranë uniformave blu bënë me dije se viktimës i ishte zënë pritë, ndërsa ekzekutimi ndodhi në sy të vajzës së 50-vjeçarit.

Kështu, atentatori, që sipas dëshmisë së vajzës së viktimës ishte fshehur pas një peme ulliri, qëlloi me 6 plumba kallashnikovi mbi 50- vjeçarin, njëri prej të cilëve e preku atë midis buzës së sipërme dhe hundës. Vajza e viktimës, e cila ka parë skenën e krimit nga porta e banesës, në gjendje të rënduar psikologjike tregoi për oficerët e policisë se autori i ngjarjes u largua me këmbë drejt një automjeti që e priste aty pranë.

Por, mjeti nuk u ndez dhe për këtë ai u detyrua të largohej me vrap përmes një rrugice. Ndërkohë që personi që ishte duke pritur atentatorin për ta larguar nga vendi i ngjarjes arriti të ndezë mjetin vetëm pak çaste më tej dhe u largua me shpejtësi prej andej. Sapo dëgjoi të shtënat, në oborrin e banesës doli edhe bashkëshortja e Vangjel Çikos, e cila sapo mësoi për lajmin e kobshëm pësoi një tronditje të rëndë. “Më kanë vrarë Gelon”, bërtiste ajo me të madhe, ndërsa përpiqej të lëvizte trupin e të shoqit nga makina.

E njoftuar për ngjarjen, policia mbërriti menjëherë, por pa mundur t’i kapë autorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Për të bërë të mundur këtë, uniformat blu të Sarandës si dhe FBSH ngritën postblloqe të shumta në akset kryesore të Sarandës dhe Ksamilit, por sërish nuk mundën të binin në gjurmën e agresorëve. Sakaq, viktima është një emër i njohur për policinë. Vangjel Çiko është dënuar në vitin 2007 me 7 vjet burg, pasi në shkurt të 2006-ës bashkë me një shokun e tij janë kapur në Konispol me 51 kg marijuanë.

Në atë kohë, policia mundi të arrestonte vetëm shokun e Çikos, ndërsa ky i fundit u kap në muajin maj të po atij viti. Kurse djali i tij, Dhimitër Çiko, rezulton i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi në qershor 2014, është kapur në ujërat e Ksamilit, i veshur si palombar, në tentativë për të trafikuar me not drejt Kor fuzit 4 kg marijuanë që i kishte lidhur në këmbë.

PISTA E HETIMIT

Për policinë, pista kryesore në të cilën është duke u hetuar krimi që i mori jetën 50-vjeçarit, është ajo e hakmarrjes. Vangjel Çiko, është babai i 21-vjeçarit Dhimitër Çiko. Ky i fundit, së bashku me 19-vjeçarin Amarildo Lame dhe 21- vjeçarin Albiano Xhezairi, akuzohen se më 24 shtator 2016, vranë 47-vjeçarin Aleksandër Bardhi, ngjarje e ndodhur në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Bardhi është vëllai i ish-kryeplakut të Shëndëllisë dhe ish-administrator i Kaçinarit në Mirditë, Petrit Bardhit. Por, disa ditë më vonë policia vuri në pranga vetëm Çikon dhe Lamen, ndërkohë që Xhezairi vijonte të ishte në kërkim. Ndërkaq, burime të sigurta pranë policisë pohuan dje, se ai tashmë ndodhet i arrestuar në Athinë.

Mësohet se Albiano Xhezairi është kapur nga policia greke në muajin maj të këtij viti si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi dhe kishte rolin e personit që merrte drogën në kufirin gre ko-shqiptar. Por, pas vrasjes së Aleksandër Bardhit, asgjë nuk përfundoi me aq. Në 30 tetor 2016, babai i Albiano Xhezairit, Agroni, gjeti një sasi lëndë plasëse të llojit tritol të lidhur me celular në automjetin e tij. Bomba nuk arriti të plasë dhe më pas u çaktivizua nga forcat RENEA. Por paralajmërimi nuk do të mbetej me aq për të, pasi më 11 dhjetor 2016, 53- vjeçari Agron Xhezairi u vra në një pritë teksa po hynte në banesën e tij. Ai u qëllua me kallashnikov nga një distancë e afërt dhe mbeti i vdekur në vend, ngjarje kjo e cila ende nuk është zbardhur nga policia. Sakaq, burimet e lartpërmendura pohuan se kanë dyshime të forta se zinxhiri i vrasjeve ka lidhje me njëra-tjetrën, duke krijuar kështu një sagë të fortë “gjakmarrjeje”.

Vendi ku ndodhi ngjarja

Për këtë ngjarje, policia ka shoqëruan në Komisariatin e Sarandës disa persona. Mësohet se në mesin e tyre janë edhe persona si të dyshuar për ngjarjen. Po ashtu, policia dyshon që autorët e krimit të rëndë të jenë edhe vrasës me pagesë, gjë e cila do ta vështirësonte më tej hetimin.

Si u vra Aleksander Bardhi në makinë kur tre të rinjtë po nxirrnin bimët e kanabisit

Aleksandër Bardhi u vra më datë 24.09.2016 në fshatin Shëndëlli. Pas krimit, policia mori informacion se natën e ngjarjes, në vendin ku ndodhi krimi kanë qenë shtetasit Dhimitër Çiko, Amarildo Lame dhe Albiano Xhezairi. Çiko e Lame u shoqëruan në komisariat, dhe në sajë të hetimeve rezultoi se kishin gisht në vrasjen e Bardhit. Dhimitër Çiko, në prani të babait të tij Vangjel Çiko dhe të avokatit të tij, ka shpjeguar se ditën e ngjarjes është takuar me Albiano Xhezairin dhe Amarildo Lamen në vendin e quajtur “Pallavraq” në Ksamil dhe kanë biseduar se do të shkonim në Shëndëlli për të vjedhur disa bimë hashashi, pasi janë përdorues të tij. Pasi ndanë detyrat, ai vajti dhe mori një varkë dhe shkoi të merrte dy shokët e tij me varkë.

Kur erdhën Amarildo dhe Albiano, kishin me vete dy armë kallashnikov. Pasi mbërritën në Shëndëlli, ku kishin informacion se ishte mbjellë drogë, kanë parë një motor “Papaq” afër një are dhe nga frika filluan të qëllonin në ajër me automatik, pasi kujtuan se kishte njeri. Njërin automatik e mbante ai, ndërsa tjetrin e kishte Albiano Xhezairi. Pasi u futën në parcelën me hashash, të tre filluan të prisnin bimën. Kur po i nxirrnin ato, kanë parë dritat e një makine që po vinte në drejtimin e tyre. Ai ka filluar të largohet bashkë me armën në dorë dhe duke ikur i ka thënë Albianos që, ‘hajde të ikim se po vjen një makinë’. Kur ka kthyer kokën nga frika, ka parë se makina u afrua me shumë shpejtësi dhe në këtë moment ka dëgjuar të shtë- na me armë.

Por pasi nuk ka dëgjuar që Xhezairi të kthente përgjigje, ka vazhduar të largohet me vrap për në drejtim të varkës. Kur ka mbërritur atje, ka parë Amarildo Lamen, i cili kishte mbërritur përpara tij. Pastaj pas pak ka ardhur edhe Albiano, që mbante në dorë një automatik. Pasi kanë hipur në varkë, kanë shkuar në Ksamil dhe armët i ka marrë Albiano Xhezairi. Ndërsa, Amarildo Lame ka deklaruar se janë takuar bashkë me dy shokët e tij në Ksamil dhe pasi janë takuar, kanë shkuar në Butrint, ku kanë marrë motorin e varkës së Dhimitrit dhe pastaj kanë shkuar me varkë për në breg të liqenit të Butrintit. Më pas kanë shkuar në drejtim të fushave të fshatit Shëndëlli.

Ndërsa, për sa i përket momentit kur panë dritat e makinës teksa po nxirrnin bimët e kanabisit, ai ka treguar se është larguar në drejtim të vendit ku ishte varka, dhe drejt tij është nisur dhe Dhimitri, ndërsa Albiano në një distancë rreth 20 metra, u ul në gjunjë dhe filloi të gjuante me automatik në drejtim të makinës me breshëri, derisa i mbaroi të gjithë fishekët. Pasi Albiano Xhezairi ka ardhur te varka, ka dëgjuar t’i thotë Dhimitrit: “Më duket se e vrava shoferin, se kur qëllova, makina nuk po lëvizte më dhe ai po bërtiste”. Armët i mori përsëri Albiano dhe i çoi te shtëpia e tij në Ksamil./lapsi.al

Share: