Home KRYESORE E dini ?! Kisha harruar të shkruaja!

E dini ?! Kisha harruar të shkruaja!

Nga Marsela Xhafa

E dini ?! Kisha harruar të shkruaja! Thuhet se të shkruarit është si puna e mësimit të gjuhës së huaj. Nëse nuk e përdor , nëse nuk e flet ajo fillon e harrohet. E njëjta gjë më ndodhte e mua. Kisha harruar të shkruaja. Kisha harruar ndoshta gjënë që para pak kohësh dija ta bëja më mirë.

Jeta ndonjëherë sillet aq kokëfortë e e pabindur me ne dykëmbëshat saqë shumë gjëra që ti kujton se di ti bësh mirë , e i bën mirë dalëngadalë fillon e i harron. I mendoja të gjitha këto para se të vendosesha në tavolinë e të merja stilolapsin e fletën. Në idenë time ishte krijuar ideja se kur nuk e shfaq një pjesë të brendshme tënden ajo dalëngadalë vjen e zbehet …E këtu e kisha fjalën për të shkruarit. Mirëpo harroja se pasioni që më kishte ndjekur në këta njëzet e tre e kusur vjet ishte më i madh edhe se mendimet e mia. Ishte më i madh se idetë që më formësoheshin herë pas here në kokën e lodhur.

Jam një ndër mijëra të rinj që përditë shkelin Tiranën në kërkim të një shkolle,pune, ëndrre, në kërkim të vetes. Në kërkim të diçkaje që nuk gjendet, aq sa kam filluar të mendoj se nuk është fare këtu afër meje. Dhe duke qenë se kjo “diçka-ja “ as qe nuk kish ndërmend të na vije vendosim ne ta gjejmë atë nëpër kafe. Aty është vendi ku gëlojnë mendimet e të rinjve, aty mund të gjesh çdo gjë :mendimet e brendshme, premtimet e thyera, ëndrrat e papërmbushura, ndjenjat e rizgjuara, ndjesitë boshë të “parazitizmit”etj etj etj. Por, jo vetëm kaq. Kafenetë jo pa shkak janë shtuar kaq shumë kohët e fundit e për më tepër janë kaq shumë të populluara. Ato janë bërë “shpëtimi” i  të rinjve!

Vetëm ideja e të mos-bërit asgjë është shkatërruese! Të zhbën si njeri, të përpin çdo nerv a qelizë nervore të ruajtjes së gjakftohtësisë derisa të shndërron në një “kafshë” njerëzore , në mendjen e së cilës vërtiten veç mendime negative. Kafja është sebepi për të dalë nga shtëpia, për të ndryshuar ambient , për të thithur ajër.

Mijëra të rinj e gjejnë veten në kafene, herë vetëm, e herë mes miqsh duke kuvenduar mbi jetën e vështirësitë e saj. Është shumë i madh numri i të rinjve sikundër dhe unë që diplomohen duke i përfunduar të dyja ciklet e studimeve me rezultate të shkëlqyera e përfundojnë duke punuar shitës apo Call Center! Është kaq vrasëse ideja që ke shpenzuar kaq shumë vite për tu përkushtuar shkollës e më andej duhet të punosh shitëse…, dhe këtë nëse e bën dot sepse dhe shitëse duhet eksperiencë.

Sipas një studimi të universitetit te Columbias të rinjtë e sotëm pas mbarimit të diplomimit përjetojnë një gjendje të rënduar psikologjike e mendore aq të madhe sa e përjetonte një i sëmurë mendor në vitet ’50. Situata është tragjike. Lind pyetja “Nëse që në këtë moshë po përjetojmë kaq shumë stres , cfarë do të ndodh me mua, me ne, me brezin tonë disa vite më pas kur të përballemi akoma më shumë e më fuqishëm me jetën? Si do ta përballojmë dhe a do ta përballojmë?

Shënim i redaksisë: Sigurisht qe do te bëheni me te pjekur dhe te forte për te përballuar jetën! Reagimi dhe te mos dorëzuarit ndaj veshtiresive është celsi i suksesit ne jete!

Share: