Home KRYESORE Ky është populli im!

Ky është populli im!

Nga Luan Kurti

Morning boys! Sot qenka kohë me diell. E meritonim këtë dhuratë të Zotit pas fitores në Erevan. Që t’u teren edhe ca rrobat atyre të zonave të përmbytura dhe t’u fusin shtëpive (kasolle) ndonjë dorë bajga!…

Sa të mbërrijnë zyrtarët lokalë për të bërë verifikimn e dëmve dhe të hartojnë listat kanë kohë të bëjnë edhe ca kanotazh. Nuk di se kush mund të fitojë nga derbi myzeqar, Lushnja apo Fieri?..Unë si Lushnjar do bëj tifo për ekipin e zemrës: O sa mirë me qenë Lushnjar O,hej, o sa mirë me qenë lu… lu, hapshu…

S’më doli se jam i ftohur dhe më mbyti teshtima. S’më thatë shëndet, por s’prish punë se e di që e keni në majë të gjuhës të thoni plaç! Plaçi e bëfshi bof, xhelozët e dreqit! Lushnja është qyteti më i moçëm shqiptar!

Po ja fus kot?… Ku dini histori ju…, popull pa histori!.. E patë dje sheshin Nënë Tereza, dingas, s’kishe ku hidhje kokrrën e mollës! Popull qejfi byrazer, ky është populli im! Prandaj jam krenar, që jam shqiptar, nga trojet lushnjare! Si kurrë ndonjëherë kemi festuar, sa pataksëm botën!

I ka zënë tartakuti kur mendojnë se mund të fitojmë edhe Europianin! Dronët shqiptarë do pushtojnë botën, si autoktonë!… Ballisti (Morina) u vizitua dje nga personalitete të larta politike. Pritet lirimi më pas dekorimi me “Urdhrin e Shqiponjës”, me motivacionin: “Për veprimtari të lartë patriotike”.

Po për armët, kam të them ndonjë fjalë? Po Isa Boletini nuk shkonte i armatosur në Evropë? Arma është pjesë e shpirtit të shqiptarit, i cili që kur lind mendon të vetëmbrohet nga armiqtë, që janë ziliqar, pse ai lindi!

Ja, kështu, në pllakën në hyrje të stadiumit të ri në Tiranë ku do shënohen “çunat” e kombëtares, do gdhendet me gërma të arta edhe emri i Ballistit! Pa trepikëshin e tij me dron, nuk do ishim në Francë! Më vjen të plas që nuk isha unë në vend të tij. Ky është fat! Fat Ballistësh!

Nuk thonë kot, qesh mirë kush qesh i fundit! Për pak harrova… më i ekzaltuari për lirimin e Fullanit dje ishte Berisha. Mori fund hakmarrja e Ramës, – tha. Për paratë asnjë fjalë. Rëndësi ka që Fullani është rob për s’mbari,…. dhe qëllimet i ka pasur të mira! Nuk futet tjetri në burg për kaq shumëpak gjë! ..

Po Albini, e patë si e kalli Kosovën! Tymuese në sallë të parlamentit dhe zjarrin jashtë! Hë ta lumsha moj Vetëfundosje! Këtij i them burrrë unë. Propozoj t’ia gdhendim emrin tek pllaka e çunave të kombëtares, bashkë me ballistin! Burra të tillë njëherë në 500 vjet lindin!..

Eh, u zgjata ca si tepër, ë? Ma bëni kabull, por kam qenë kaq i lumtur …., nga kombëtarja. Tani po dalë njëherë nga sheshi Nënë Tereza se mos ka ndonjë grupim tjetër Kuqezi që do festojë sot, se dje ka pasur pushim zyrtar!… Bon Zhu!

Share: