Home KRYESORE Prifti i mençur dhe dy vajzat e reja…‏

Prifti i mençur dhe dy vajzat e reja…‏

Sprove letrare nga Artur Nura

Dom Jubani është njeri i mrekullueshëm; i qetë, i arsyeshëm dhe simbolizon mjaft mirë tipin e babaxhanit! Ndonëse është Prift, nuk është veladoni që të bën ti hapesh dhe rrish afër atij njeriu. Besoj se është mënyra si të dëgjon me vëmendje dhe nuk ndërhyn kurrë pa mbaruar ti. Pastaj, të flet qetë dhe me një mënyrë shumë të arsyeshme duke të kujtuar se thotë vetëm mendimin e tij, por të argumentuar pse jo edhe në filozofinë e tij kristiane!

Unë personalisht nuk jam praktikant i Fesë, por kur më bie rasti ta shoh tek predikon në Kishë lexoj lehtë që është i tëri i përqendruar tek fjala dhe besimi në të e pushtetin e saj. Ndërsa flet duket se e bën me besim të plotë dhe i bindur që thotë të vërtetën e Besimit që prezanton, por në relativitetin njerëzor personal.

Gjatë meshave Dom Jubani nëpërmjet trupit të tij dinamik dhe shprehjes së syve të tij të qetë të cilët lëvizin sa tek njeri dhe tek tjetri besimtar, duket sikur bëhet një urë shpirtërore midis Zotit në qiell dhe atyre që i janë pranë në Kishë, këtu në tokë.

Besimtarët përgjithësisht e ndjekin të përqendruar deri në hipnotizim! Nën kubenë e Kishës ndihet një forcë magjepse e pakapshme për atë që nuk beson, por fuqiplotë për besimtarin i cili në fjalët e sinqerta dhe të sigurta predikuese gjen atë që dëshiron nga thellësia e vetes.
Ajo që ndodh aty është e vështirë të shpjegohet, por në momente të tilla ndihet forca e së përtejmes e cila ndonëse e paprekshme, në portretet e besimtarëve konvertohet në pamje qetësie deri hyjnore! Zëri i tij bariton i ngjan një melodia magjike të Johan Sebastian Bahut e cila ka forcë të përshkruaj të gjithë qenien në mënyrë krejt lehtësuese.

Dom Jubani në ditët e festave fetare ku në pritjet e Kishës nuk mungojnë autoritet më të larta të Shtetit të cilët shkojnë më shumë për të komunikuar me elektoratin nëpërmjet ekraneve të pranishëm, përgjithësisht është i munguar! Në rastet kur i duhet të jetë domosdoshmërish, rri i heshtur ose fjalë pak! Thua nuk është i njëjti njeri-prift që në mesha predikon në mënyrën më dinamike të mundshme sikur zgjatet nga njerëzorja tek hyjnorja në mënyrën më të veçantë të mundshme dhe bindëse!

Udhëtimi…

Miqësia që kishim krijuar më kishte magjepsur dhe kurrë nuk ja prishja kërkesave të tij. Isha i sigurt që nëse bënte një kërkesë, ajo ishte e drejtë! Një ditë, Dom Jubani më kërkoi ta shoqëroja në një mision të tij në veri lindje të vendit dhe më paralajmëroi se, herë pas here, do të na duhej të ecnim në këmbë për të arritur deri në Kishat e fshatrave përkatëse!

Kisha pranuar këtë kërkesë edhe pse e dija se do të më duhej të bëhesha pjesë rritesh fetare. Kjo gjë pavarësisht se më krijonte një ngërç të brendshëm, më jepte një kërshëri për të mësuar më shumë nga kjo eksperiencë që sigurisht është shumë e thellë dhe domethënëse!

Por në fakt, me atë udhëtim mësova se është njeriu ai që të jep diçka të veçantë dhe të paharrueshme dhe jo vendi në të cilin je, apo në këtë rast Institucioni që ai përfaqëson. Kishim shkuar në vendlindjen e tim ati, por sigurisht që po shkonim në fshatra që vetë ai nuk kish shkuar kurrë!

Në mëngjes pasi dolëm nga hoteli i qendrës së qytetit dhe pimë kafen e mëngjesit u nisëm për tek makina që kish parkuar përballë nesh. Pasi një copë rruge mbi katër rrotat, zbritëm nga makina në fund rrugës automobilistike dhe lamë shoferin të rrinte aty! U nisëm në këmbë për në “Qafë Gështenjë”, kështu quhej fshati ku na duhej të arrinim dhe ku kishte një komunitet të vogël Katolik.

Zona është tejet e varfër dhe shumë mikpritëse në të njëjtën kohë! Kudo ku kalonim pranë shtëpive të varfra dëgjohej shprehja shumë bujare: Bujrëm! Është ndoshta e padrejtë, por varfëria çuditërisht e bën njeriun më të mirë dhe më altruist dhe pasuria më të ftohtë dhe më egoist!

Siç thotë vetë Dom Jubani njeriu ndaj vetes si individ është tejet i thellë dhe për të mësuar kuptimin e vërtetë të kësaj thellësie i nevojitet deri momenti i fundit i jetës. Kjo thellësi pa diskutim që bëhet tejet më e panjohur nëse i referohesh njeriut si qenie sociale dhe shpirtërore!

Dom Jubani, ftesave të tilla të përzemërta ‘’bujrumi-ste” ose mirëseardhje u përgjigjej me dorë në zemër dhe i uronte: “Zoti ja u Shpërbleftë”, por nuk para qëndronte. Urimin e bënte me të gjithë zemër dhe besonte që Zoti ia shpërblen në një moment të caktuar çdonjërit.

Dukej që njerëzit e zonës e njihnin dhe e përshëndesnin me përzemërsi! Por, siç më tregoi më vonë, ai nuk qëndronte tek asnjëra prej atyre familjeve sepse ishte i sigurt që një pjesë e mirë e tyre, atë që ofronin me zemër për mikun, do të shkonin ta merrnin me listë tek dyqani i fshatit!

Varfëria aty lexohej qartazi dhe ishte dramatike. Kisha, sigurisht, kishte sjellë ndihma në atë zonë edhe pse ata i përkisnin një besimi tjetër fetar, por kjo nuk zgjidhte asgjë për ta dhe varfërinë vazhdonte të mbretëronte ende atje. Duhej bërë shumë më shumë se kaq dhe dukej qartë që kjo situatë e mundonte mikun tim, që herë pas here bëhej iniciator për sjelljen e ndihmave në këtë zonë!

Trokitjet në dyer të caktuara…

Kishim ecur në këmbë shumë. Sigurisht ai, edhe për shkak të moshës, duhej të ndihej më i lodhur se unë. Në një shenjë vendi më tregoi me gisht, duke buzëqeshur një vilë shumë të bukur pak përpara nesh! Ndaloi dhe trokiti te porta e madhe e kangjellave! Nga brenda shtëpisë u dëgjua një zë i vrazhdë femre!
– Kush asht n’derë?!
– Jemi udhëtarë! Kemi nevojë për një gotë ujë, nëse mundeni! – u përgjigj Dom Jubani! Në hyrje të derës, pranë ndërtesës, u shfaq një vajzë me një tualet të rënduar në fytyrë. Buzët e ngjyrosura me të kuq i shndrinin deri larg. Po ashtu dhe sytë! Këmisha që kishte në trup i ishte ngjizur pas gjoksit! Fundi i ngushtë i tregonte format e ngjeshura nga mesi e poshtë dhe sigurisht për një shije provinciale, ajo mund të quhej “sexy”!
– Epo mirë… ja ta sjell… se kanë edhe punë njerëzit…! – tha ajo pa fshehur përtesën dhe u zhduk pas perdeve të dritares!
– Faleminderit zonjushë! Zoti ja u shpërbleftë! – foli Dom Jubani ndërkohë që ajo mbylli dritaren!

Ajo erdhi pas pak vetëm me një gotë uji në dorë dhe me bezdi zbriti shkallët e shtëpisë dhe hapi portën e madhe të kangjellave! Zgjati dorën me gotën e ujit drejt Dom Jubanit dhe nuk lëshoj asnjë zë, asnjë fjalë! Shfaqi vetëm përtesë! Në momentin që pa nga unë (isha mjaft më i ri se Dom Jubani, aq më tepër laik) u pendua, me sa duket, për sjelljen e saj. E ndërsa më shihte ngriti dorën e majtë dhe rregulloi balluket e flokëve të dendur në ngjyrë gështenje!
– Urdhëroni brenda dhe pini dhe një kafe! – tha duke më përpirë me sy nga këmbët deri në sy!
– Faleminderit zonjushë! Jemi për rrugë! – iu përgjigja, jo pa fshehur antipatinë që më krijoi!
– Shumë faleminderit zonjushë! – i tha Dom Jubani duke i shprehur dashamirësi! Ajo mori gotën pa e parë aspak atë, ndërkohë që thuajse po më lutej që të pranonim ftesën.
– Marsh një burrë të mirë zonjushë dhe përsëri ju falem nderit!

Në atë çast ajo kthehu kokën nga Dom Jubani me një buzëqeshje të plotë falënderimi! Vetëm pas vetëm disa sekondash u kthye nga unë!
– Do vini brenda të pini një kafe? – përsëriti me zë lutës ftesën, duke kthyer shikimin edhe nga Domi!
– Jo! Faleminderit! Ditën e mirë! – ju përgjigja prerazi dhe i vura dorën në shpatull Dom Jubanit për t’i treguar vullnetin tim! Ai i buzëqeshur pranoi dhe u nisëm për rrugë! Unë nuk e ktheva aspak kokën pas, ndërsa ai po! Ja bëri me dorë duke i buzëqeshur! Më vonë më tregoi se ajo ishte tek porta e vilës deri në momentin që ne nuk mund të na shihnim më!

Ndonëse ishte vend i origjinës sime, Dom Jubani e njihte më mirë se unë atë zonë. Ai më tregoi se vajzat e asaj moshe këtu nuk para punonin, dhe as studionin. Familja mjaftohej t’u siguronte atyre një martesë të ujdisur mirë.

Një alternativë e tillë pa dyshim përkonte dhe me kërkesat e tyre të moshës! “Sigurisht lidhjet e fshehta në të tilla zona janë pothuajse të pamundura” – mendova, por pa ja përmendur atij!

Pas rreth një ore rrugë tjetër në këmbë, përballë nesh u shfaq një vilë tjetër e mirëmbajtur dhe sapo e lyer me të bardhë! Menjëherë vura re dëshirën e tij për të ritrokitur! Pa thënë asnjë fjalë, rruga jonë mori drejtim për nga vila! Në fakt, edhe unë po kisha etje dhe deri atë çast asnjë dyqan fshati nuk na kishte dalë përpara! U pamë sy më sy dhe u kuptuam duke buzëqeshur!
– Uroj të mos na dalë ndonjë tip i ngjashëm me të, Dom Jubani!
– Edhe mundet! Në këto zona në këtë orë, vetëm vajzat e pamartuara qëndrojnë në shtëpi!
– Por, nuk besoj që të gjitha janë si ajo! – iu përgjigja ndërsa tashmë ishim tek porta e vilës! Ai shtypi butonin e citofonit! Nga brenda u dëgjua një zë i ëmbël vajze! U pamë sy më sy dhe buzëqeshëm!
– Urdhëroni? Kush është?
– Jemi udhëtarë dhe nëse nuk ju shqetësojmë, po ju kërkojmë një gotë ujë!
– Aspak! Ja erdha vetëm për një moment! – Nga dera e vilës doli një vajzë bionde e buzëqeshur! Ajo ishte veshur me pantallona xhinsi dhe një këmishë ngjyrë të kuqe! Në duar kishte një tabaka me dy gota me lëng! Në distancë lëngu dukej të ishte portokalli! Hapi portën e kangjellave dhe zgjati gotat fillimisht drejt Dom Jubanit!
– Urdhëroni At! Megjithëse jam vetëm… por mund të vini edhe të pushoni në shtëpi! Me siguri jeni të lodhur nga rruga.
– Shumë faleminderit zonjushë! Jeni shumë e sjellshme! – ju përgjigj Dom Jubani. Më tej, ajo drejtoi tabakanë nga unë dhe pasi më hodhi një vështrim të sjellshëm dhe të shpejtë uli sytë!
– Urdhëroni! – tha vetëm këtë fjalë!
– Shumë faleminderit zonjushë! Jeni vërtetë shumë e sjellshme! – i thashë duke e vështruar me simpati, pse jo edhe për linjat e saj elegante dhe tiparet shumë të ëmbla! Nuk ishte aspak e lyer në fytyrë dhe kishte sy bojë qielli. Pasi pimë lëngun e portokallit u nisëm për tu larguar duke e falënderuar edhe një herë zonjushën e sjellshme! Dom Jubani nxitoi i pari, ndoshta i sigurt, që në atë moment mund të lindte ndonjë flirt të cilin, ai nuk e dëshironte midis nesh! Unë si zakonisht e pranova këtë kërkesë të pashprehur me fjalë dhe i vajta pas!
– Marsh një burrë të keq… – tha Dom Jubani nën zë, ndërsa ishim larguar vetëm tre metra distancë nga ajo! I habitur nuk i besova veshëve, por nuk munda ta pyes atë çast, meqë ishim shumë afër asaj zonjushe të sjellshme! Paskëtaj ecëm gjatë pa folur dhe të menduar që të dy! Në atë moment isha i sigurt që Dom Jubani nuk kishte marrë apostafat ujë me vete! Në një udhëtim të tillë edhe dikush që nuk e njihte zonën do të kujtohej për të marrë me vete atë që i nevojitet më shumë, jo për dikë që e kish shëtitur dhe e njihte atë zonë!

Urimet…

– Të lutem Dom Jubani, mund të më shpjegosh qëndrimet dhe urimet tua të ndryshme ndaj dy vajzave?!
– Nuk janë aspak të ndryshme! Ashtu duken, nëse nuk thellohesh!
– Nuk të kuptoj! Vajzën e parë, e cila ishte krejt e pasjellshme, dhe pse jo, deri e palarë, e uruat me kënaqësi! Ndërsa, vajzën e këtushme, cila meritonte urimet më të mira, i përcollët gati një mallkim!
– Mallkim!? Ti mendon se një njeri si unë mund të mallkoi dikë?! Për më tepër një njeri aq të mirë!? – Në sy i lexohej vërtetë habia! Por, sigurisht që duke më parë në mënyrë qortuese, ai vuri re edhe habinë time!
– Bir…, jeta është shumë e thellë dhe ndonëse njeriu brenda vetës përjeton pushtete të mrekullueshme hyjnore që nuk i njeh deri në fund, ai mbetet i papërsosur dhe jeta luan me të në mënyrën më të ç’kujdesur! Unë si njeri i Zotit në tokë, për aq sa mundem të jem, duhet t’i uroj atij, njeriut më të mirën e mundshme duke pasur parasysh edhe tjetrin që do bashkëjetojë me të! Pse jo familjen dhe komunitetin ku bashkëjetojnë të gjithë. Më të mirën sipas meje dhe filozofisë Kristiane! Edhe unë vdekatar si të gjithë jam! – tha dhe vazhdoi: – Të besohet bir që një moment dobësie krejt njerëzore ka influencuar që unë të shkoj drejt jetës kishtare?
– Nuk di ç’të them! Sigurisht që duhet të besoj dhe po jam i vëmendshëm të dëgjoj!
– Sa herë që mësoja për fatin e keq të dikujt…, për një sëmundje e pashërueshme, për një aksident fatal, apo gjëra të ngjashme për të njohurit e mi, më kapte një kënaqësi e brendshme e pakuptueshme e cila reflektohej në një buzëqeshje të fshehtë! Kjo ndjenjë më dukej shumë cinike dhe më shqetësonte, por nuk arrija ta shpjegoja dhe mundohesha ta fshihja sa më thellë brenda vetes! Ajo ndjenjë më dukej shumë e keqe, çnjerëzore, por mbetej e imja, e pashpjegueshme! Më është dashur shumë reflektim për ta kuptuar atë që ndodhte me mua dhe që më bënte të përjetoja të keqen e dikujt tjetër në atë mënyrë! Ne jemi qenie të lindura egoiste! Për tu bërë sado pak altruist, duhet shumë mund e punë dhe kur e arrin një gjë të tillë, ndihesh vërtetë mirë sepse arrin të kontrollosh të paktën veten, pa përsosmërinë tënde!

Ajo ndjenjë nuk ishte gjë tjetër veçse reagimi i subkoshiencës time e cila përçonte në mënyrë të pandërgjegjshme tek unë gëzimin e fshehur për shkak të faktit se ai fatalitet nuk kishte të bënte me mua direkt! Pa dyshim që si brenda ndërgjegjes time, ashtu edhe pjesës së subkoshiencës time nuk mungonte keqardhja për fatkeqin, por kjo shkrihej me gëzimin njerëzor individual që unë vetë ndjeja, meqë nuk isha pjese e tyre! Më është dashur gjithë kjo shkollë dhe përvojë teologjike për ta mundur deri diku atë ndjenjë, e cila, jam i sigurt, është e lindur me vetë njeriun! E Falënderoj Zotin në qiell që më ka ndihmuar për ta arritur këtë mundësi autokontrolli!
Unë ndërsa po ecnim, dhe herë pas here, sipas rëndësisë së fjalës, ai kthente kokën nga unë dhe më shihte në sy, u kthjellova duke kujtuar se një ndjenjë të tillë e kisha provuar edhe unë, por nuk e kisha shpjeguar dot dhe e kisha lënë të harruar diku në kujtesën e thellë!

Sigurisht unë nuk jam prift dhe për më tepër nuk jam Dom Jubani, – mendova me vete dhe e pyeta:
– Po përse ato vajzat i urove aq ndryshe?!
– Sepse nuk i pashë me sy individual, por me sytë e dikujt që i do më të mirën të dyjave, por me largpamësi! Nëse të parës fati do i ofrojë një njeri siç ishte vetë ajo, sigurisht e ardhmja e asaj familje do ishte për të ardhur keq…! Ndërsa një person i mire mund të influencojë ndaj saj dhe ta bëjë të reflektojë, ta bëjë më të mirë seç është! Në një rast të tillë probabiliteti do ishte i madh. Unë ja dëshirova me gjithë zemër dhe u luta për të. Unë besoj se Zoti na dëgjon dhe na ndihmon, ndaj lutem! Nuk lutem kurrë për të çliruar thjeshtë ndërgjegjen time! Kurse për të dytën që ishte aq e ëmbël dhe fisnike, jam i bindur që edhe një njeri jo fort të mirë, apo si ajo e para, por në këtë rast burrë, do e zbuste! Për të nuk ju luta Zotit! Besoj se Ai e ka parë atë dhe ajo nuk kish nevoje për lutjen time!
Duke qenë prezent në të dyja rastet, pa qenë fort i qartë deri në fund për çfarë më shpjegoi Dom Jubani, rashë dakord! Sigurisht u bëra më i qartë me të tërën dhe veten kur u kthyem në shtëpi dhe fillova ta shkruaja këtë histori duke u munduar ta shoh nga të gjitha pikëpamjet e mundshme arrita ta kuptoj edhe më mirë Dom Jubanin dhe filozofinë e tij, jo vetëm Kristiane.

Në fakt, para se të nisja të shkruaja këtë histori kuptimplote, dikush më njoftoi se një e njohura jonë ishte shtruar urgjent në spital dhe mjekëve u i ishte dashur ti bënin biopsinë! Pas këtij lajmi të keq unë përjetova qartazi ndjesinë për te cilën më kishte shpjeguar me kujdes Dom Jubani!

Share: