Home I pakategorizuar Protoshkenca dhe pseudoshkenca shqiptare

Protoshkenca dhe pseudoshkenca shqiptare

Kundër diletantizmit, fiktivitetit e favoritizmit në arsimin e lartë dhe në shkencë

Nga Fatos Tarifa*

Nuk kisha marrë pjesë asnjëherë në një “konferencë ndërkombëtare” të organizuar nga ndonjë prej universiteteve publike shqiptare në rrethe. Për herë të parë mora pjesë në një “konferenc딝 të tillë fundjavën që shkoi. Veprimtaria, e cilësuar si “International Conference”, u zhvillua në Shkodër. Organizatorë të saj ishin Universiteti “Luigj Gurakuqi” i këtij qyteti dhe Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) në Kosovë. Vendosa të merrja pjesë në atë konference për dy arsye: për të prezantuar disa ide se si mund të ndihmojë kërkimi në shkencat sociale në informimin dhe hartimin e politikave sociale në vendin tonë dhe, nuk e fsheh, për të parë mënyrën dhe nivelin e përgatitjes së një konference ndërkombëtare të organizuar nga një institucion shqiptar i arsimit të lartë (këtë herë në bashkëpunim edhe me një institucion të ngjashëm në Kosovë).

Qysh nga momenti kur vura re se programi i konferencës përmbante disa qindra kumtesa (saktësisht 567 të tilla), të përgatitura nga një numër dy-tri herë më i madh autorësh e bashkautorësh (kryesisht pedagogë që kërkojnë marrjen e gradës “Doktor” në shkenca ose titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, si dhe studentë në kërkim të gradës doktorale), kuptova se konferenca në fjalë mund të ishte çdo gjë, veç jo një konferencë shkencore dhe, aq më pak, një konferencë ndërkombëtare.

Pse jo një konferencë shkencore?

Sepse shkenca është një sipërmarrje e vështirë dhe e mundimshme, që kërkon njohjen dhe zotërimin e mirë të teorive shkencore dhe përdorimin e një aparati konceptual e të metodave me anë të së cilave synohet t’u jepen përgjigje (jo thjesht të përshkruhen) çështjeve të vështira, të reja ose të panjohura në botën natyrore dhe atë shoqërore në të cilin jetojmë. Kërkimi shkencor, siç dihet fare mirë nga kushdo që e ka bërë atë pjesë të ethosit e të veprimtarisë së vet profesionale, kërkon kohë, përgatitje, kualifikim, mundim dhe është i kushtueshëm. Ai realizohet përmes shtrimit të hipotezave kërkimore, njohjes e përdorimit të metodave bashkëkohore të hulumtimit, vëzhgimeve, testimeve, matjeve, eksperimenteve dhe argumentimit të informuar e të udhëhequr nga një bazë teorike dhe domosdo një mendimi racional kritik, që nuk merr asgjë për të vërtetë absolute.

Nëse shihen vetëm titujt (jo përmbajtja) e 567 kumtesave që do të duhej të mbaheshin në atë konferencë (them do të duhej të mbaheshin sepse rreth 70-80 për qind e kumtesave të programuara nuk u mbajtën), kupton fare qartë se, në masën dërrmuese të tyre, këto kumtesa nuk përfaqësojnë aspak punime shkencore dhe nuk do të konsideroheshin të tilla askund, në asnjë institucion serioz të arsimit të lartë dhe në asnjë veprimtari të vërtetë të karakterit shkencor. Disa prej titujve të kumtesave, përshtatur në shqip nga autori i këtyre radhëve prej një anglishteje shumë të varfër e plot gabime në programin e publikuar të asaj konference, vijojnë më poshtë: “Një vështrim i përgjithshëm mbi Fjalorin e Gjuhës Shqipe të z. [Mehmet] Elezi”, “Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit”, “Gjuha shqipe: historia dhe perspektiva e saj”, “Muzika si profesion apo si edukim për të gjith딝, “Mësimdhënia dhe teoria e mësimdhënies”, “Prindërit, fëmijët dhe shkollimi i tyre”, “Politikat europiane për cilësi në arsimin e lart딝, “Të jesh a të mos jesh dixhital nuk shtrohet më si çështje”, “Përdorimi i teknologjisë në sistemin arsimor”, “Parashikimi i kursit të shkëmbit mes dollarit dhe lekut”, “Shqipëria drejt tipit të kapitalizmit të saj post-tranzicion”, “Ndjeshmëria e konsumatorit shqiptar ndaj ushqimeve organike” dhe, po nga i njëjti autor, “Vlerësimi i preferencave të konsumatorëve për kos: rasti i Shqipëris딝, “Memorizimi i fjalëve në gjuhën angleze”, “Saktësia dhe gabimet në literaturën ushtarake anglisht”, “Virgjili në ”˜Komedinë Hyjnore’ të Dantes”, “Portreti i grave shqiptare në romanet e para të Ndoc Nikajt”, “Europa dhe rrënjët e saj mesjetare”, “Roli i NATO-s në ruajtjen e paqes”, “Inteligjenca: faktori gjenetik apo ai mjedisor”, “Martesat mes njerëzve të të njëjtit seks: prindërit gay dhe fëmijët e tyre”, “Morali publik dhe ai privat”, “Mbrojtja e minoriteteve, vlerë themelore e së drejtës ndërkombëtare”, “E drejta kushtetuese, e drejtë themelore në prag të globalizimit”, “Çfarë e bën Holokaustin një genocid tipikisht tipik” dhe, po nga i njëjti autor, “A ishte Holokausti kaq i ndryshëm nga forma të tjera historike të genocidit”, “Transporti ndërkombëtar i mallrave në Republikën e Shqipëris딝, “Integrimi Europian, një histori suksesi”, “E drejta për informacion” dhe, po nga i njëjti autor, “E drejta për gjykim të paanshëm”, “Kafshët shoqëruese dhe shëndeti i fëmijëve në Shqipëri” etj.

I kërkoj ndjesë lexuesit për listën e gjatë të titujve të kumtesave të sipërpërmendura, por e siguroj se kjo listë mund të kishte qenë shumë herë më e gjatë, nëse do të kisha qenë më skrupuloz në shqyrtimin e saj. Titujt e mësipërm flasin më shumë se çdo koment që mund të bëja unë. Tema pafundësisht të përgjithshme, të formuluara në mënyrë aspak akademike, madje, shpesh herë, absurde, për çështje shumë herë irrelevante, të njohura e të stërnjohura në atë masë, sa janë bërë pjesë e asaj që e quajmë dije e zakonshme, ose “conventional wisdom”, tema që trajtojnë çështje për të cilat nuk raportohen gjetje empirike të reja dhe as bëhet përpjekje për të përgjithësuar teorikisht të dhëna ekzistuese. Asnjë nga këto tipare, të konstatuara lehtësisht në mënyrën se si janë formuluar titujt e pjesës më të madhe të kumtesave, nuk janë tipare të një veprimtarie shkencore të mirëfilltë.

Më tej më tërhoqi vëmendjen fakti paradoksal (por kaq tipik në jetën “akademike” shqiptare të viteve të fundit), se shumë kumtesa kishin për autor të njëjtin person, madje më shumë se dy-tri herë. “Studiueset” E.D., E.B. dhe L.M. duhej të mbanin çdonjëra tri kumtesa, prej të cilave dy në të njëjtin panel. “Studiues” të tjerë si, E.M. dhe E.Zh. duhej të mbanin secili 5 kumtesa dhe, po kështu, 5 kumtesa duhej të mbante edhe Prof. E.H. nga Kosova, prej të cilave 3 në të njëjtin panel. Mund të vazhdoja me raste të tjera të ngjashme, por mjafton të përmend rastin më flagrant që munda të konstatoj, atë të z. J.B. në Universitetin e Shkodrës, emri i të cilit figuronte në programin e konferencës, si bashkautor, në 10 kumtesa, 5 prej të cilave duhej të mbaheshin në dy panele.

Pse jo një konferencë ndërkombëtare?

Është bërë e modës në Shqipëri që çdo tubim, në të cilin marrin pjesë dy-tre shtetas të huaj, të quhet “konferencë ndërkombëtare”. Është e vërtetë se komiteti organizator dhe ai shkencor i asaj konference kishin në përbërjen e tyre tek-tuk edhe ndonjë emër nga SHBA, Austria, Italia (madje edhe ndonjë nga Letonia e Japonia), por kush nga ne nuk e di se emrat që përfshihen në “komitete” të tilla janë thjesht dhe vetëm emra të njohurish, që nuk luajnë asnjë rol në organizimin e aktiviteteve të tilla dhe nuk i “ndërkombëtarizojn딝 ato. Konferencë ndërkombëtare nuk të bëjnë as sponsorizuesit e huaj, të cilët, në këtë konferencë ishin të shumtë. Donatorët e huaj nisen nga qëllimi i mirë për të ndihmuar zhvillimin e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në një vend në zhvillim, si Shqipëria, por paratë e tyre nuk garantojnë nivelin akademik dhe atë ndërkombëtar të një konference të tillë.

Ato çka e bëjnë një konferencë shkencore të organizuar në Shqipëri edhe ndërkombëtare janë pjesëmarrja e gjerë e cilësore e studiuesve të huaj, gjuha angleze e përdorur në të, si lingua franca e shkencës dhe e kulturës në kohën e sotme, tematika shkencore, interesi dhe vlerat e së cilës dalin përtej kufijve të ngushtë të një vendi, natyra novatore e trajtimit të çështjeve në nivele bashkëkohore etj. Në të gjithë këta elementë, konferenca e javës së shkuar jo vetëm nuk ishte një konferencë ndërkombëtare, por nuk mund të quhet, madje, as edhe një konferencë kombëtare, për shkak se në të nuk merrnin pjesë figurat më të njohura të shkencës shqiptare dhe nuk u prezantuan arritjet më të mira në nivel kombëtar në ato fusha kërkimi që u bënë pjesë e programit të saj. Nëse shihet programi i kësaj konference, pjesëmarrësit e huaj ishin kryesisht nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, madje edhe këta numëroheshin me gishtat e të dy duarve. Një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në konferencë i kumtuan punimet e tyre në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë tjetër me shumë mundim iu drejtuan auditorit në anglisht. Përgjithësisht, tematikat e kumtesave të mbajtura ishin thuajse tërësisht lokale, ose kombëtare, ndërsa, të paktën për ato kumtesa që dëgjova, niveli i tyre, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishte më i dobët edhe se niveli i një eseje kërkimore të një studenti të mirë në nivelin “Bachelor”.

Por, nëse jo një konferencë shkencore dhe jo ndërkombëtare, atëherë ç’farë?

Një “konferenc딝 sa për të marrë një “Certificate of Participation”, për ta futur në dosje deri në plotësimin e “dokumentacionit” që kërkon ligji për të marrë gradën “Doktor i shkencave”, ose titujt “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”. Thjesht kaq. Rezultat i një sistemi të korruptuar të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor që gjeneron vetveten. Z. J.B. që përmenda më sipër, ka gradën “doktor”, por me 10 kumtesat e tij në këtë konferencë, prej të cilave druaj nëse ka lexuar ndonjë, ky individ “i plotëson” kriteret ligjore për të marrë titullin “Profesor i asociuar”. Just like that! Dhjetë “simite” të nxjerra nga furra për një ditë mjaftojnë për t’u bërë “profesor”. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shumë të tjerë që, në programin e një konference të vetme, “regjistrojn딝 3, 4, 5 ose më shumë “kumtesa”, shpeshherë duke bërë “bashkautor” bashkëshortin, vajzën ose fqinjin e tyre.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ditën e konferencës m’u dha rasti të vizitoja dy salla në një prej ndërtesave të Universitetit të Shkodrës, ku ishin planifikuar të mbaheshin sesionet tematikë në fushën e shkencave sociale dhe atë të arsimit të lartë. Në panelin ku do të flisja ishin regjistruar 18 diskutantë por, veç meje, i pranishëm ishte vetëm një prej tyre. Në një situatë të tillë, kur nga 18 diskutantë mungonin 16, drejtuesi i panelit me naivitet na ftoi të “bisedonim mes nesh”, duke u shprehur, se, sidoqoftë, në korridor na priste një “certifikatë pjesëmarrjeje”!!! Pas dështimit të këtij paneli, iu bashkova një paneli ku diskutohej mbi problemet e arsimit të lartë. Paneli ishte planifikuar të zgjaste dy orë dhe në të do të duhet të prezantoheshin 23 kumtesa!!! Pesë minuta për çdo kumtesë. Pa pyetje, pa debat. Por, edhe këtu, vetëm 7 kumtesa u mbajtën (sepse vetëm 7 pjesëmarrës ishin në sallë) dhe, prej tyre dy u mbajtën nga i njëjti person. I njëjti avaz i prodhimit të “simiteve” për konsum ditor!

Në një konferencë “ndërkombëtare” si kjo, pjesëmarrja e atyre regjistrohen të diskutojnë nuk ka aspak rëndësi. Ti mund të ndodhesh fizikisht në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, madje edhe në Honolulu dhe, përsëri, virtualisht, mund të jesh “pjesëmarrës” në një konferencë që mbahet në Shkodër, sa kohë që ke u ke paguar organizatorëve të saj një “fee” pjesëmarrjeje disa dhjetëra Euro. Dhe nëse regjistrohesh për më shumë se një kumtesë, paguan më shumë, edhe pse të bëhet “discount”. “Fee”-të e konferencave të tilla janë padyshim një e ardhur e mirë për këdo që organizon konferenca të tilla.

Por ato janë, gjithashtu, të pranueshme, madje një zgjidhje oportune për këdo që ka “nevoj딝 të blejë një certifikatë, me të cilën u dëshmon autoriteteve të institucionit të vet “pjesëmarrjen” në një “konferencë ndërkombëtare” dhe “prezantimin” në të të një kumtese, madje të një serie kumtesash, nëse të nevojiten më shumë se një certifikatë.

Ç’duhet bërë?

Rastet e përmendura më sipër janë vetëm disa, një pjesë fare e vogël, lehtësisht të identifikueshme nga një vështrim i përciptë i programit të publikuar të kësaj konference. Nëse gjykojmë e vlerësojmë standardet dhe nivelin e shkencës shqiptare, konferenca si kjo, që fatkeqësisht përbëjnë tipiken e tubimeve të tilla, janë një tregues domethënës. Arsimi i lartë dhe shkenca shqiptare kanë kohë që vuajnë nga një koktejl sëmundjesh të rënda e kronike, si diletantizmi, plagjiarizmi, fiktiviteti, klientelizmi e favoritizmi, çfarë e kanë lënë dekada pas modernizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor. E vetmja mënyrë për të filluar kurimin e këtyre sëmundjeve është respektimi i standardeve dhe i kërkesave rigoroze për veprimtari të vërtetë bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë e të shkencës dhe për marrjen e gradave e të titujve akademikë. Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë krijon vetëm premisat për kurimin e sëmundjeve të tilla. Përmirësimi i vazhdueshëm dhe implementimi rigoroz i këtij ligji janë mënyra për të dalë nga gjendja e protoshkencës dhe e pseudoshkencës në terrenin e vërtetë të kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik në vendin tonë.

*Prof. dr. Fatos Tarifa, sociolog.

Share: