Home KRYESORE Shumë udhëheqës, pak shtetarë!

Shumë udhëheqës, pak shtetarë!

Nga Afrim  Krasniqi

Një zyrtar i drejtorisë së burgjeve u raportua ti ketë shkruar kryeministrit mbi situatën e emërimeve politike në këtë sektor, dhe shqetësimin se partia aleate ka më shumë emërime sesa partia e tij. Shifrat e tij ishin të frikshme: nga 763 punonjës në administratën e burgjeve 300 i përkasin partisë së kryeministrit dhe 462 partisë së kryetarit të parlamentit. Vetëm për 1 person nuk ka ende informacion se kujt i përket. Sipas legjislacionit shqiptar, emërimet në administratën publike dhe nëpunësit publikë bëhen me konkurs, me dosje profesionale dhe me praktika teknike vlerësimi. Kjo shkresë ishte dëshmia më e re se midis ligjit dhe zbatimit të tij ekziston një hendek jashtëzakonisht i madh dhe se retorika për sukseset në reformën e re në administratën publike është mashtruese, pa sens dhe fyese për intelektin tonë shoqëror, shtetëror e qytetar.

Administrata e burgjeve, sipas ligjit shqiptar, nuk ka asnjë post politik. Ajo përbëhet nga funksione tërësisht teknike dhe profesionale, nga menaxherët sektorialë deri tek gardianët, kartoteka apo psikologu, mjeku dhe punonjësit mirëmbajtës të teknologjisë. A është e mundur që këto funksione të ushtrohen tërësisht nga militantë të një ose dy partive politike? A është e mundur që këto funksione të ushtrohen nga ndonjë prej qindra e mijëra qytetarëve që nuk kanë teserë partiake? Pyetjet janë retorike, përgjigja dihet. Në një shoqëri të hapur dhe demokratike reagimi publik, politik dhe institucional ndaj përmbajtjes së letrës dhe informacionit që ajo përcjell do kishte qenë e menjëhershme dhe e shumëfishtë: hetim të plotë praktikës së emërimeve, shkarkim të zyrtarit që zyrtarisht e sheh emërimin partiak si model emërtese, rivlerësim për të gjithë personelin, komision hetimor parlamentar për praktikat e emërimeve në nivelet e tjera, hetim nga Prokuroria për abuzimet në procesin e shkarkimeve dhe emërimeve, debat dhe vendimmarrje në mbledhjen e qeverisë për praktikat abuzuese të njëjta, si dhe debat politik dhe rezolutë parlamentare në lidhje me gjendjen në administratën publike.

Në fakt, nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Dhe natyrisht nuk do të ndodhë asgjë. Përkundrazi. Një ditë më pas Ministrja e Inovacionit dhe Administratës dha një shfaqje teatrale mbi suksesin e reformave në këtë sektor, duke ia lejuar vetes cinizmin deri në atë pikë sa të na paraqesë si një vend model për reformën në administratën publike. Brenda javës dy partitë kryesore të koalicionit u mblodhën (në vilën e ish kryeministrit Mehmet Shehu dhe jo në kryeministri, në secilën e partive respektive apo në Kuvend) dhe përcaktuan masa urgjente për një koordinim më të mirë të emërimeve partiake në strukturat ekzekutive, pra shkelje më të thellë të ligjit për të rregulluar raportet e përfaqësimit të dy partive në administratë, dhe jo për të zbatuar ligjin, – për një administratë të meritës dhe jashtë kritereve politike. Gjatë gjithë javës disa ministra udhëtuan në mbledhjet partiake në rrethe dhe media raportoi debatet dhe pakënaqësitë e bazës partiake për emërimet në administratë, natyrisht, duke kërkuar më shumë punësime për militantët e koalicionit dhe veçanërisht më shumë për militantët e partisë së tyre. I njëjti refren u përsërit edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë më të madhe në qeveri. Akuza se janë bërë shumë emërime personale dhe jo përmes linjave partiake, – të dyja në fakt, praktika abuzime dhe në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, opozita parlamentare nuk reagoi as në parlament, as në media, as në facebook. Ajo nuk shqetësohet se militantët kanë mbushur administratën, por interesohet se po hiqen militantët e saj dhe heshtje tregon se ajo do të ndjekë të njëjtën praktikë nëse do të ketë rotacion politik në të ardhmen.

Në të gjithë zhvillim nuk pamë dhe as dëgjuam asnjë zë publik, institucional dhe as politik që të merret me thelbin e problemit: gjendjen antikushtetuese dhe antiligjore të emërimeve dhe shkarkimeve periodike në administratën publike. Prokuroria nuk ndërmori asnjë hetim, njësitë e anti-korrupsionit nuk patën asnjë reagim, njësitë e konkurseve dhe zyrat e burimeve njerëzore heshtën si përherë, media e shoqëria civile nuk reagoi dhe kështu, pjesa publike e politike në heshtje pranoi atë që po ndodh prej vitesh: deformimin e demokracisë dhe thelbit të shtetit, nga shtet me norma e parime kushtetuese në shtet partiak paralel që konsensualisht dhe periodikisht injoron gjënë më të rëndësishme në demokraci: konkurrencën, sistemin e vlerave, sistemin e meritës, integritetin dhe përgjegjshmërinë.

Fenomeni nuk është vetëm pazar partiak: pushteti e administrata ndahen në përqindje sipas raporteve midis partive në koalicion, por edhe me kosto tjetër të shumëfishtë për vendin e shoqërinë. Ja për shembull: vetëm gjatë 9 muajve të vitit 2014 shteti shqiptar pagoi 3.3 miliardë lekë kosto për pushimet e padrejta nga puna, gjatë vitit 2015 po vijojmë të paguajmë një shifër thuajse të njëjtë. Një zyrtar i lartë i qeverisë raporti pak muaj më parë se kostoja totale e pushimeve për të gjithë sektorët publikë (pagesat për kompensim dhe humbje gjyqi) arrijnë në 23 milion euro në vit, – kosto që është njëherësh rreth 200 herë më e lartë sesa fondi zyrtar për kualifikimin e administratës publike. Nëse kosto normale për ndërtimin e një shkolle 9 vjeçare kushton rreth 0.75 milion euro, atëherë me këtë shifër do duhej të kishim më shumë se 30-33 shkolla të reja.

Në raport progresi e BE për Shqipërinë (2014) citohej se gjatë 2013-2014 “380 nëpunës civilë të institucioneve qendrore janë larguar…. ka rreth 5 200 largime dhe dorëheqje nga institucionet e varësisë dhe agjencitë…1758 ankimime në gjykata…2/3 të fituara nga nëpunësit”. Shifra të njëjta pritet të publikohen edhe në raportin e ri 2015 pavarësisht se nuk kemi pasur rotacion politik. Miliona euro të humbura çdo vit, administratë që për të njëjtin vend pune paguan njëherësh dy persona, atë që ikën dhe atë që vjen, si dhe miliona euro të investuara në formë grandesh dhe programesh nga BE për kualifikimin e atyre që dëbohen sapo ndryshon ministri apo qeveria. Ne harxhojmë çdo vit miliona euro të tjerë për konkurse, trajnim dhe kualifikim me buxhetin shtetëror të nëpunësve, shumica e të cilave mund të pushohen nga puna sapo partia në koalicion ndryshon drejtorin. Për një vend të vogël, të varfër dhe me kapacitete të kufizuara njerëzore kosto është shumë më madhe sesa shifrat që jepen, – me produkt final faktin se ende pas 25 vitesh nuk kemi administratë efektive, të qëndrueshme dhe profesionale. Shteti vijon të shihet si punëdhënësi më i madh, dhe pushteti vijon të jetë burimi kryesor i votave për partitë politike.

Me këtë bilanc kritik dhe gjendje amorfe të kulturës politike dhe të ndjenjës së reagimit qytetar ndaj devijimeve nga demokracia Shqipëria po mbyll 25 vjet tranzicion me premtimin se një ditë do të ketë arritur të bëjë atë që çdo shtet ka nevojë të ketë, – një administratë shtetërore e publike, ndarjen e shtetit nga partia/partitë në qeveri dhe dhënien fund të praktikës abuzive, sipas të cilës shteti, pushteti dhe buxheti publik përdoren për të shpërblyer turmën militante të partive politike. Sot ne kemi shumë parti, kemi ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë, me siguri do të kemi të tillë me shumicë edhe në të ardhmen, por ne ende nuk kemi shtetin horizontal, – strukturën jetike dhe të qëndrueshme të tij, – nëpunësit e shtetit, memorien e shtetit, shërbëtorët e shtetit, administratën shtetërore e publike. Dita kur ky raport të ndryshojë, dita kur të kemi më pak udhëheqës dhe më shumë shtetarë, sado e largët qoftë, me siguri do jetë edhe dita e parë e fundit të tranzicionit dhe shansit për shtet modern, për zhvillim, për demokraci funksionale dhe për integrim.

I plote gjendet ne adresen http://www.ikub.al/…/

Share: