Home KRYESORE Tregimi Kërxhaliu i Pushkinit dhe kontaktet ruso-shqiptare në Besarabi.

Tregimi Kërxhaliu i Pushkinit dhe kontaktet ruso-shqiptare në Besarabi.

Nga Dorian Koci

Njohja  dhe  rizbulimi i shqiptarëve dhe kulturës së tyre në fillim të shekullit të XIX, është një proces që erdhi gradualisht duke ndërthurrur në vetvete shumë faktorë. Së pari, territoret shqiptare në luftërat Napoloniane u gjendën në mes të interesave të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat interesin e tyre politiko-ushtarak e përkthyen shumë shpejt dhe në interes kulturor.

Egzistenca e Pashallëkëve shqiptare gjysëm autonome në jug dhe në veri të të vendit dhe përfshirja e tyre në lojën diplomatike në rajon i ktheu shumë shpejt ato në vende të vizitueshme dhe të admirueshme ku nuk shikohej vetëm interesi gjeostrategjik por filloi të studjohej dhe kultura, gjuha dhe traditat zakonore që mbarte popullsia e tyre. Pas vitit 1809 , vit që shënon  vizitën e Bajronit dhe mikut të vet Hobhouse në Prevezë, Janinë dhe Tepelenë, territoret shqiptare nisën të jenë pjesë e turit të madh kulturor anglez që zhvillonin të rinjtë aristokratë anglezë që prej shekullit të XVI .

Një numër i madh udhëtarësh, diplomatësh, tregtarësh pasuan vizitën e famshme të lordëve anglezë  për t’u njohur me Ali Pashën e famshëm që ishte memorizuar si personazh letrar tek poema romantike “Shtegtimet e Child Haroldi”-it, por në të njëjtën kohë u njohën gjatë udhëtimeve të tyre dhe me shqiptarët dhe kulturën e tyre. E bukura, piktoreskja dhe sublimja nën efektin e Romantizmit , rrymës më të  re letrare që kish filluar të përshkronte letrat evropiane si një rrymë mendimi dhe shpërthimesh lirike po aq dhe revolucionare filloi të lërë gjurmët e veta në këtë rizbulim kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga elita evropiane e kohës. Mirëpo ky proces nuk do të ecte paralelisht si në perëndim, po ashtu dhe në lindje. Nëse gjatë kësaj kohe shikojmë një seri veprash të botuara të autorëve anglezë dhe francezë të cilat krijojnë dhe prezantojnë në Europë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjejmë shumë më pak fragmente të pranisë së tyre në letërsinë dhe literaturën e  udhëtimit ruse.

Në këtë drejtim nuk është se ka influencuar largësia gjeografike si mund të mendohet në pamje të parë,  pasi të paktën që nga vitet e luftës Ruso-Turke 1768-1774 dhe ekspeditës së Orlovit në More në 1770-1771, prania ruse në Mesdhe sa vjen dhe rritet. Përveçse luftës tjetër Ruso-Otomane 1787-1792 dhe dërgimit ë vazhdueshëm të agjentëve për të rekretuar popullsinë luftarake të Epirit, prania ruse do kulmojë me themelimin e Republikës së Shtatë Ishujve Jonianë në 1800-1807, tashmë si aleatë me Perandorinë Otomane. Për shtatë vjet rusët do të qeverisin të vetëm nga Korfuzi, Republikën e Shtatë ishujve por do të kenë dhe kontakt të ngushtë me popullsinë e bregut shqiptar, si dhe me suliotët pasi nën asistencën e tyre do të krijohet Regjimenti Shqiptar që do shërbente për mbrojtjen e ishujve dhe për të mbajtur larg synimet ekspansioniste të Ali Pashë Tepelenës. Nga e gjithë kjo periudhë qeverisje në fakt kemi vetëm raporte diplomatike, shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për gjendjen politike dhe administrative të Pashallëkut të Janinës, por mungojnë vepra kulturore si shënimet e udhëtimit të William Martin Leake, Dr Henri Holland, Francois Pouqeuville etj. Çuditërisht, prania dhe imazhi i shqiptarëve në letërsinë e kultivuar ruse do të vinte jo nga administrata e shtatë ishujve, por nga prania e shqiptarëve si pjesë e Regjimentit të shenjtë të krijuar nga Aleksandër Ipsilanti në prag të shpërthimit të Revolucionit Grek në provincat Danubiane.

Shkrimtari i madh romantik Pushkin,  i ndodhur në internim në Besarabi, në Kishinev (sot Kishinau ”“ kryeqyteti i Republikës së Moldavisë), do të jetë dëshmitar i shpërthimit të kryengritjes së Aleksandër Ipsilantit dhe të luftimeve me forcat otomane. Mes forcave të “Filiki Eteris딝, merrnin pjesë shumë shqiptarë, përshkrimi piktoresk i të cilëve do të jetë i pranishëm në tregimin “Kërxhaliu”, botuar për herë të parë në 1836. Tregimi është një jehonë jo vetëm i kujtimeve të drejtë për së drejta të Pushkinit ndaj shpërthimit të revolucionit grek por edhe një ilustrim i motive romantike të karektereve të fortë dhe piktoreskë nga Ballkani. Kërxhaliu dhe luftëtarët shqiptarë të përshkruar në tregim të kujtojnë personazhet e Bajronit në “Turkish Tales”. Ky përshkrim i shqiptarëve fiton dhe një rëndësi historike pasi është jo vetëm një komfirmim i pjesëmarrjes së tyre në fillimet e luftimeve të  Revolucionit Grek, por në tregim kemi dhe një numër të saktë të 600 vetave.

Pikëtakimet e Pushkinit me Bajronin janë shumë të njohura për studiusit e letërsisë, sidomos në formën e romanit në vargje “Eugen Oneigini”, ku ndihet influenca e heroit tipik bajronian. Gjithësesi duhet pranuar se Romantizmi si rrymë letrare me adhurimin e vet ndaj së bukurës sublime, heronjve të veçantë krenarë, humor prishur, cinikë, rebelë, të trishtuar, përbuzës, hakmarrës të  paepur, por prapë së prapë të aftë për të ndjerë një dhembshuri të thellë e të fortë, bën të mundur që autorët të ngjajnë mes tyre dhe jo domosdoshmërisht të influencoheshin nga njëri-tjetri. “Turkish Tales” të Bajronit dhe “Kerxhaliu” i Pushkinit kanë të përbashkët sfondin kulturor ku mbizotëron kostumi tradicional i shqiptarëve dhe veshja e tyre fustanella, ndaj nëse në fillimet e shekullit të XIX mund të flasim për një tipar karekteristik të shqiptarëve nga Adriatiku deri në Besarabi e Det të Zi , padyshim do të reshtonin të parën dhe si më përfaqësuese fustanellën. Me të vërtetë fillimi i shekullit të XIX ishte koha e revolucioneve dhe e fustanellës.

Kërxhaliu

Përktheu nga rusishtja:Stela Koçi

Share: