Home KRYESORE “E dua… mamin, babin…por më shumë dua lëngun…!!!”

“E dua… mamin, babin…por më shumë dua lëngun…!!!”

Nga Pastor Akil Pano

Më shumë se trishtuese dhe e padenjë të hyjë në familjet tona!!!

“E dua… mamin, babin…por më shumë dua lëngun…!!!”

Është më shumë se trishtuese ajo që po ndodh përmes ekranit në çdo familje në vendin tonë. Kompania e cila tregton lëngjet e frutave për të rritur fitimet e saj, pa e kuptuar dhe shpresoj në mënyrë të paqëllimtë godet pa rreshtur themelin mbi të cilin qëndron e ngritur familja; dashurinë dhe përkushtimin për pjesëtarët e saj!

Fëmijët të cilët sot dëgjojnë që më shumë se familjen mund të duan lëngun që i sjell fitime një kompanie, më e pakta… gjatë jetës së tyre do ta kenë të natyrshme që dashurinë ta lidhin me objektet dhe jo njerëzit; emocionin e momentit dhe jo përkushtimin që zgjat; interesat personale dhe jo parimet e pandryshueshme.

Mirëseerdhët në botën virtuale të reklamave dhe përfitimeve, e cila brutalisht dhunon botën reale, familjen të cilën me shumë mund, të gjithë ne po ndërtojmë. Ja ku kemi sërish përballë, kultin e njeriut i cili ka veten në qëndër të universit. Ai, përfitimet dhe asgjë tjetër… Dhe një pykë tjetër e cila shqyen dhunshëm nyjen e fundit që mban të lidhur trungun e plagosur të familjes. Nëse ju ndodh që në shtëpi të keni ndezur televizorin ndërsa fëmijët i keni pranë, bëjeni të paefektshëm zërin e kësaj reklame në jetën e tyre. Thjesht, ndërroni kanalin ose fikni televizorin. Vogëlushët kanë nevojë të dëgjojnë zërin tuaj që i mëson se ekzistojnë disa gjëra në jetë që janë të pakëmbyeshme me para. Ato janë pak, por vlera e tyre është e pakrahasueshme me asgjë tjetër;

Prindërit, familja, integriteti dhe vlera e shpirtit!

Zot ndihmona!

Share: