Home KRYESORE Europa reagon ku i vjen mortja në derën e saj

Europa reagon ku i vjen mortja në derën e saj

Nga Mentor Kikia

“Sikur ti kushtonit kaq shumë vëmendje masakrës së Rugovës, ky kriminel serb sot do të ishte dënuar. Ndjej dhimbje për qytetarët francezë, por jo për flamurin francez…Ky flamur që i furnizoi serbët për të masakruar vendasit e mi….”. E shkëputa këtë status dhe foto nga faqja e një personi që nuk e njoh, Arlind P.Gashi quhet.

Më duket një reflektim i arsyeshëm. Eshtë e vërtetë që ka një reagim masiv botëror kundër terrorit në Paris. Duke lënë mënjanë qytetarët e thjeshtë që kanë zëvendësuar foton e tyre me flamurin francez në rrjetet sociale, shtetet janë bërë bashkë, sa nga solidariteti njerëzor aq edhe nga frika se të gjithë janë të ekspozuar njësoj para këtij armiku të padukshëm e të pamëshirshëm, sic është terrorizmi.
17 vjet më parë, shteti terrorist serb,(jo terroristë të dalë duarsh, por vetë shteti) masakronte, po ashtu sic terroristët e ISIS tani, njerëz të pafashjshëm nëpër shtëpi, bodrume e hangarë, ku i grumbullonin si pengje.

U deshën shumë viktima që Europa të pranojë se në Kosovë po bëheshin masakra. Franca ishte aleatja më e madhe e Serbisë pas Rusisë dhe ajo e disa vende të tjera nuk e ndryshuan qëndrimin edhe kur bota u drodh para imazheve të masakrave.

Edhe sot, Europa e trajton Serbinë me delikatesë, sikur ka frikë mos i mbetet hatri. Serbia merr benefite politike dhe ekonomike meqë po pranon të bisedojë më Kosovën, a thua ishte Kosova që e vrau dhe masakroi. Franca i nisi vrink avionet drejt Sirisë, por kur SHBA nisi bombardimet në Kosovë, burrokratët në sallonet e Parisit vazhdonin të lobonin pro Serbisë.

Mirënjohje Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Klinton që nuk i dëgjuan intelektualët parisienë.

Një francez i pafajshëm, një britanik, një amerikan, apo edhe një arab, vlen po aq sa edhe një kosovar i pafajshëm. Nëse në Siri nuk ka kush ti kërkojë ndejsë familjeve franceze, në Serbi ka kush tu kërkojë ndejsë familjeve kosovare dhe Europa duhet ta imponojë këtë. Megjithatë ne sot të gjithë jemi dhe duhet të jemi me Francën, për të luftuar një të keqe që kërcënon jo vetëm Francën, jo vetëm jetën e njerëzve të pambrojtur e të pafajshëm, por tërë qytetërimin global.

Share: