Home KRYESORE JO LUFTËS, ME LUFTË!

JO LUFTËS, ME LUFTË!

Nga EVA KUSHOVA

Pas sulmeve në Paris, bota është më e përçarë se kurrë. Ka zëra që shkojnë në ekstrem për një luftë të tretë botërore, e cila sipas disa parashikimeve mund të jetë një luftë fetare. Aq fort po punojnë propagandat në këtë drejtim, saqë në gjithë botën sot, shume myslimanë ndihen kokulur, të diskriminuar e fajtorë.

Në Perëndim, debati po zhvendoset enkas kundër Islamit. Nga ana tjetër, janë shtuar zërat që thonë se përse për sulmet në Paris, apo në një vend tjetër perëndimor, njerëzit shqetësohen më shumë se për vrasjet e panumërta në Siri, Irak, Afganistan etj. Ka grupime që po nxisin shtetet perëndimore t’i përgjigjen me gjuhë të ashpër asaj që ndodhi në Paris, për t’u ndeshur dhëmbë më dhëmbë me ISIS.

Franca ka nisur të bombardojë bazat e ISIS në Siri, edhe pse sulmuesit ishin rezidentë në Francë. Rusia, nga ana tjetër, dhe pse nuk është sulmuar, ka nisur betejën e saj pa kuptim ndaj “xhihadistëve” në Siri. Shtete të tjera po shqyrtojnë gjithashtu nisjen e sulmeve dhe bombardimeve ajrore. Nuk mund ta dijë askush nëse prej bombardimeve të tyre po vriten terroristë apo edhe njerëz të pafajshëm.

Pyetjet që ngrihen në këtë moment krize për paqen botërore është: A zgjidhet lufta me luftë? A zgjidhet terrori me terror? Sa kohë do vazhdojë kështu? Sa kohë në emër të një lufte ose kauze, si zgjidhje duhet menduar kundërlufta? Përgjigjja është se për sa kohë në mendësitë e kancelarive perëndimore, lindore, arabe, afrikane e kudoqofshin, si alternativë do të mendojnë kundërluftë, kjo botë nuk do të gjejë kurrë paqe.

Shumë luftëra janë zhvilluar dekadat e fundit përfshirë edhe ato në Afganistan e Irak. Pasojat e tyre kanë qenë tragjike, dhe vetëm pasi kanë përfunduar, ata që i nisën këto luftëra, kanë “pranuar” se ishin të gabuara. Efekti që prodhuan këto luftëra ishte forcimi i ekstremistëve dhe terroristëve e, nga ana tjetër, pirgje me viktima, një pjesë e mirë e të cilëve, njerëz të pafajshëm. Bilance viktimash e dëmesh të pallogaritshme.

“Por të gjithë jemi njerëz”, thotë Dalai Lama, lideri shpirtëror i Tibetit, nobelist për Paqen, në një prononcim të tij, pas sulmeve në Paris. Deklarata e tij është pacifiste, por as që mund ta kuptojnë mendjet e nxehta nga Perëndimi në Lindje që kanë në dorë butonin e fillimit të luftërave. “E vetmja gjë që duhet të bëjmë, ”“ thotë ai,- është të nxisim vlerat humanitare, harmoninë kudo në komunitetet që ne jetojmë, t’i afrojmë, t’i integrojmë ata që janë ”˜dritëshkurtër’. Nëse e nisim këtë ta bëjmë tani, atëherë mund të shpresojmë që ky shekull të jetë më i ndryshëm nga tjetri. Dhe për ketë, ”“ përfundon Dalai Lama -nuk duhet pritur për ndihmë nga Zoti apo nga qeveritë. Të gjithë jemi njerëz, jemi njësoj”.

Ka një përplasje sot mes civilizimit dhe jocivilizimit, mes atyre që e kuptojnë shtrenjtësinë e jetës dhe janë tolerantë dhe atyre që para gjithçkaje, edhe para jetës së tyre, vënë ideale të errëta, të maskuara pas besimit fetar. Por e keqja më e madhe është se këtë mungesë civilizimi, shtetet e forta e shfrytëzojnë në favor të tyre për të dominuar botën, për të marrë sa më shumë rezerva nafte, ari, gazi etj. Dhe këtë e tregon përfshirja e fuqive të mëdha në Siri, ku askush nuk kupton kundër kujt lufton dhe përse lufton, ndërsa vetë vendasit, sirianët, kanë marrë arratinë dhe janë shpërndarë tashmë nëpër Europë.

Nëse fuqitë e mëdha në takimet e tyre ”˜burokratike’ do të diskutonin si të nxirrnin nga varfëria vendet që ushqejnë terrorizmin, të investojnë në edukim, kulturë, t’i bëjnë ato si “Hong Kongu”, atëherë ndoshta kjo botë sot do të ishte më ndryshe. Por ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre deri më sot: një sulmi terrorist i përgjigjen me bombardimin e një shteti të tërë. Pasojat janë vetëm vdekje, dhimbje, terror dhe një botë gjithnjë edhe më e pasigurt. Nëse heqin dorë nga ambiciet e tyre për të sunduar botën, ndoshta mund të zgjedhin si opsion paqen dhe zhvillimin. Gjithçka varet nga “të fortët”.

Share: