Home I pakategorizuar JO MIRATIMIT TE TARIFAVE TE PARKIMIT!

JO MIRATIMIT TE TARIFAVE TE PARKIMIT!

Nga Albina Ferko Nanaj, Keshilltare e PDIU ne Keshillin Bashkiak Tirane

Në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak të Tiranës do të votohet për disa projekt-vendime, ndër të tjera do të kërkohet miratimi për krijimin e institucionit “Tirana Parking” në varësi të Bashkisë së Tiranës që do të administrojë shërbimin e parkimit publik me pagesë. Personalisht e përshëndes këtë nismë të bashkisë së Tiranës që synon të vendosë kontroll mbi territorin dhe të ofrojë një shërbim dinjitoz për qytetarin. Ky mekanizëm do të shërbejë për lehtësimin e trafikut, për uljen e ndotjes dhe do të nxisë përdorimin e transportit publik. Sidoqoftë, ky hap do të shoqërohet edhe me një kosto financiare për çdo familje që zotëron së paku një makinë. Kostot e parashtruara për miratim në një projekt-vendim të dytë, sipas përllogaritjeve janë tejet të kripura duke marrë parasysh standardin e jetesës së qytetarëve dhe faktin që ky shërbim publik nuk kërkon investime që të justifikojnë të tilla kosto.

Për një qytetar që punon në Zonën A, ku intensiteti i lëvizjes është i lartë, për 8 orë do të paguajë një faturë mujore prej 12.300 L nëse është i abonuar. Kjo nëse arrin të gjejë një vend në një shesh parkimi, në të kundërt kostoja mujore për të do të jetë 16.500 L për një vend parkimi në rrugë. Këto janë rastet kur qytetari është i abonuar, në të kundërt kostot janë edhe më të kripura përkatësisht në rrugë 100 L/ora dhe në sheshe në varësi të kohës së qëndrimit, mesatarisht 70 L/ora.

Ndërsa një individ që punon në zonën B, ku kategorizohen zonat me intensitet mesatar kostoja ditore është 350 L për 8 orë, ndërsa fatura mujore është 7700 L. Këto kosto mujore janë shpenzime shtesë që rëndojnë xhepat e prindërve që vrapojnë për të marrë fëmijët nga shkolla apo kopshti dhe të gjithë atyre qytetarëve që janë të detyruar të përdorin makinën për arsye të ndryshme.

Personalisht do të ftoja të gjithë kolegët këshilltarë të mbështesin krijimin e “Tirana Parking”, por të mos miratojnë tarifat e propozuara në projekt-vendimin e prezantuar dhe të kërkojnë uljen e tarifave me 30-40% ose së paku uljen e kostos progresive kohore në mënyrë që kostoja ditore të jetë më e përballueshme nga qytetarët.

Duhet pasur parasysh se shteti vendos çmime që shërbejnë si referencë për privatin, sigurisht si çmime dysheme, pra në një moment të dytë kur nevojat për vende parkimi të mos mbulohen dot nga hapësirat publike, privati do të ofrojë të njëjtin shërbim me çmim më të lart. Padyshim që kjo gjë nuk është në favor të xhepave të qytetarëve dhe të ekonomisë së qytetit në tërësi.

Gjithashtu në projekt-vendim parashikohen përqindje të caktuara të vendeve të lira të parkimit që nuk dihet si do të mbrohen nga abuzuesit dhe fakti që rezidentët nuk duhet të paguajnë për hapësirat e parkimit pranë vendbanimit të tyre, por nuk parashikohet një mekanizëm i qartë si do të garantohen këto vende parkimi. Për këtë do të sugjeroja krijimin e infrastrukturës përkatëse që garanton vetëm aksesin e rezidentëve, në mënyrë që vendet e tyre të mos zihen nga të tjerë. Vetëm kështu mund t’i ofrohet qytetarit shërbimi që meriton.

Share: