Home KRYESORE Karantinë të gjithë personazheve të sistemit 25 vjeçar postkomunist?

Karantinë të gjithë personazheve të sistemit 25 vjeçar postkomunist?

Nga Levizja “ShipOn”

Eksperienca negative post komuniste dhe ajo pozitive e vendeve evropiane, na mëson se pa një “proçes dezinfektimi” ndaj të gjithë aktorëve përgjegjës të kësaj situate, shkëputja nga e kaluara dhe ndërtimi i së ardhmes është iluzion.

Efektet e sotme të këtij sistemi korruptiv dhe radioaktiv synojnë të prekin të gjitha organet dhe të bllokojnë prodhimin e së vërtetës. Në këtë situatë, me të drejtë tek qytetarët dhe opinioni publik, është krijuar dyshimi legjitim i komprometimit të gjithë atyre që janë përfshirë në lojërat e sistemit. Nga ana tjetër arkitektët dhe përfituesit e këtij sistemi nuk mund të fshihen tek kjo perde tymi që vetë krijuan për të ruajtur privilegjet përjetësisht.

Nga ky kurth mund të dalim vetëm nëse krijohet një “karantin딝 për të gjithë ata që kanë mbuluar poste të larta publike që të mos përshihen përkohësisht (4 vjet) në sistemin e ri deri sa makina e drejtësisë të vihet në punë për të zbardhur aktivitetin dhe pasuritë e tyre. Mekanizma të tillë ngritur mbi dyshimin legjitim pranohen edhe sot nga rendi juridik sepse nuk përbëjnë kufizim absolut të së drejtës. Nga ana tjetër përfshirja në administratën shtetërore, më shumë sesa e drejtë është një shërbim në dobi të interesit publik dhe kjo mundësi duhet tu jepet vazhdimisht gjithë qytetarëve sipas meritave dhe aftësive.

Njerëzit dhe energjitë më pozitive janë lënë jashtë këtij sistemi banal, prandaj forca e vërtetë është në pritje dhe e gatshme për ndërtimin e një shteti modern me ekonomi dhe shoqëri të zhvilluar.

Futja e njerëzve të rinj në sistem, përbën një garanci fillestare dhe jo absolute sepse nuk siguron mos përfshirjen e tyre në afera korruptive në të ardhmen për të devijuar përsëri shtetin nga shinat e interesave kombëtarë.

Për një “produkt” të shëndetshëm duhet të jenë të shëndetshme jo vetëm fara por dhe ara. Ne nuk besojmë tek supernjeriu, jemi të ndërgjegjshëm se çdo formë pushteti pa kontroll të korrupton, prandaj jemi me popullin kur thotë: “vetëm frika ruan vreshtin”.

Rikonceptimi i institucioneve duhet të jetë i tillë që të pengojë akumulimin e çdo forme pushteti si dhe të sigurojë kontrollin dhe ndëshkueshmërinë efektive të zyrtarëve shtetërorë!

Share: