Home KRYESORE Na ka marrë lumi…!

Na ka marrë lumi…!

Nga Artan Fuga

Nuk ka uje në dimër se ka rënë shi, nuk ka ujë në verë se nuk ka rënë shi. Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë dhe rrugët u bënë det. Veturat motoskafe a gomone, dyqanet liqene, Qenan K. kishte dalë për peshk duke e hedh rrjetën nga kati i shtatë mbi kokën e kalit të Skënderbeut.
Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë, fryu pak erë dhe mijra fije elektriku i mori flladi i vjeshtës. Nuk kishim as qiri ta vinim te semaforët. Nuk merret vesh se ku është e kuqja dhe ku është jeshilja. E verdha është në surratet tona.
Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë dhe thonë se filtrat e ujësjellësit nuk duan të punojnë. Shyqyr që janë filtrat automatikë thuaj se po të ishin nëpunës do të na kishin dhënë ujë me baltë dhe do të na thoshin se është një baltë e veçantë që bënë mirë si të gatuhen grosh me pilaf.
Del dikush në televizor dhe na shpjegon se filtrat nuk punojnë se erdhi uji me baltë nga shiu… Hajde shpjegim hajde! Dhe nuk kemi ujë se po të kishim ujë do të kishim baltë. Pra më mirë pa ujë se të pimë baltë. Pra, duhet të jemi të lumtur.
O pika ne na ka marrë lumi.
Askushi nuk thotë si të bëjmë që uji mos vijë me baltë dhe kur bie një vesë shi. Imagjinoni sikur të bjeri një muaj shi…
Bjer o shi
ne nga ty nuk kemi frikë aspak
për çudi… etj.
Pse nuk na lajmëroni kur bie shi o trima që ta mbledhim me govata e uturakë dhe ta pimë direkt pa kaluar nga bolevilla.
O na ka marrë lumi që na rëntë pika… pika lumi në kokë!
Doli xhaja dhe thoshte se ujësjellësi i paska marrë masat dhe do na furnizojë ne gjysmën e Tiranës me autobote.
Ore e di ai se për mashtrim publik mund ta dënojnë me arrest shtëpie duke e lënë të vdesë për ujë. Gjysmën e Tiranës do të furnizojë ai me ujë…
O mashtrues ordiner!
Të paktën bashkia të heqë ligjin për bërjen e shurrës që t’i bëjmë shurrën ujit.
Mbase e mbushim bolevillën me urinë mo!
Ja tha se së shpejti do të kemi ujë sa të ikin baltrat. I bie që po ra shi të mos kemi ujë, edhe po të mos bjerë shi përsëri nuk kemi ujë.
Na ka marrë lumi se kemi hyrë në një kontradiktë të pazgjidhshme.
Për nja dy ditë vjen uji – tha ai robi në intervistë. O Zot po ne deri atëhere kemi ngordh për ujë. Pas dy ditësh kur të na vijë uji do të na gjejë kadavra.
O na mori lumi.
O gazetar, o maskara, nuk ke turp mo që i zgjat mikrofonin një nëpunësi që këput brockulla dhe nuk shkon të investigosh, nuk i heq dhëmbë e dhëmballë nëpunësit dhe shefit të vet duke i kërkuar llogari përse gjysma e Tiranës nuk ka ujë.
Pranon justifikime se nuk ka ujë për të pirë se ka shumë ujë shiu!!!
Hahahahaha!
Si tha mo, bregu i Lumit nuk është adresë e bashkisë! Po atje jetojnë njerëz o njeri! Cfarë do t’i bësh ata, po votat e tyre i donit mo?
O na ka marrë lumi!
Po Myslym Shyrin e keni në hartën e bashkisë mo!
O lumi, o lumi!
Ujëëë se vdiqa !

Share: