Home KRYESORE Nobeli për “Letërsi”, humbi Kadare apo Shqipëria?!

Nobeli për “Letërsi”, humbi Kadare apo Shqipëria?!

Nga Arbër Hitaj

Ismail Kadare nuk u shpall as këtë vit si “princi” i letërsisë botërore. Në datën 8 tetor, Akademia suedeze e Çmimeve Nobel vendosi që fituese të ishte shkrimtarja (gazetarja) Svetlana Aleksijeviç nga Bjellorusia, e cila u bë gruaja e 14-të në historinë 114-vjeçare të ndarjes së çmimeve. Pas kërkimeve të shumta të bëra për mënyrën si funksionon Akademia e Nobelit, për të kuptuar se si funksionon ky organizëm, pyetja e parë që kërkon përgjigje është: si e zgjedh Akademia shkrimtarin më të mirë të botës?

Pas nominimeve që vijnë nga shoqatat letrare, shkrimtarë të njohur, ish-fitues, presidentë organizatash etj, brenda datës 1 shkurt të çdo viti, propozojnë gjithë nominimet, dhe më pas fillon procedura e seleksionimit të më “të mirëve”. Këtë vit ishin mbi 200 kandidatë. Në muajin prill duhet të përzgjidhen fillimisht 20 autorë, dhe në fund të muajit maj, pra vetëm pas 1 muaji, 5 autorët që shkojnë në fazën finale. Këtu fillon edhe pjesa kontroverse që ka shkaktuar polemika të forta ndër vite. Sepse fituesi shpallet nga “ekspert딝 të letërsisë të përzgjedhur nga disa shtete, që japin vlerësimet e tyre, ku bazohet juria. Kritikat e forta vijnë sepse një pjesë e këtyre “ekspertëve”, edhe pse kanë anonimatin, shpesh rezultojnë pjesë e disa shtëpive botuese me të drejtat e botimit të veprave fituese. Madje në jo pak raste, roli i disave ishte i redaktorit të librave të konkurrentit që rezultoi fitues!

Besoj skema është e qartë, jo gjithmonë fiton më i miri. Madje, sipas mediave amerikane, asnjëherë! Po të ndalesh tek autorët fitues të 2 viteve të fundit: Në 2014, fitues u shpall shkrimtari francez Patrick Modiano, 69 vjeç. Në këtë rast, deklarata e sekretarit të përhershëm të Nobelit, Peter Englund bëri jo pak jehonë, sipas të cilit, Modiano është një shkrimtar pak i njohur jashtë Francës, por në Francë shumë i lexuar! Si mund të kalojë një autor nga niveli lokal, pavarësisht vendit, në piedestalin global me një kapërcim të atillë! Modiano trajton në librat e tij prej 150-200 faqesh humbjen e kujtesës, identitetin apo kohën.

Këtë vit fituese u shpall shkrimtarja bjelloruse, Svetlana Alexievich, falë stilit të veçantë të quajtur romano-evidencë, ose romanë kolektivë, ku personazhet nëpërmjet intervistave rrëfejnë jetët e tyre dhe peripecitë e kaluara. 68-vjeçarja në librat e saj ka intervistuar me mijëra personazhe, fëmijë, gra, burra, të moshuar etj., ku padyshim libri më kryesor është “Zëra nga Çernobili”, ku flasin personazhe që përjetuan shpërthimin e 26 prillit 1986 në Ukrainë, pjesë e Bashkimit Sovjetik. Tjetër libër i saj është rrëfimi i tmerreve të Luftës së 2-të Botërore nga gratë që morën pjesë. Apo fëmijët që përjetuan e rritur në Afganistanin e pushtuar nga ushtria sovjetike. Një sy i hollë kupton se në dy rastet nuk është respektuar kriteri i krijimtarisë letrare, apo njohja dhe vlerësimi i autorëve në nivel ndërkombëtar. Por kriteri i fortë gjeopolitik ka dominuar, duke e lidhur padyshim me ethet e një lufte të ftohtë të re. Për kujtesë, nuk ka qenë e largët koha që trendi i Akademisë ishin shkrimtarët disidentë kundër regjimeve totalitare në Europën Lindore e Qendrore. Pas kësaj ekspozeje të mënyrës si funksionon Akademia e Nobelit, dua të rikthehem te teza që Nobeli është kthyer në një organizëm politik, ndoshta prej kohësh. Në krahasimet mes 2 shkrimtarëve fitues dy vitet e fundit me autorin shqiptar, avantazhet e Kadaresë janë të dukshme. Krijimtaria e tij mbetet ndër më të larmishmet dhe të plotat në çdo aspekt.

Pavarësisht kësaj, “mëkatet” e Akademisë Suedeze janë të njohura, si mosdhënia e çmimit Mark Twain, Emil Zolas, apo Leon Tolstoy. Nuk pajtohem me mediat amerikane, të cilat bëjnë thirrje që Akademia e Nobelit të mos merret seriozisht! Por duke e kthyer në kontekstin tonë, e deri në ndërgjegjësimin e këtyre organizmave, s’më mbetet tjetër, veçse të them humbi Shqipëria e jo Ismail Kadare.

Share: