Home KRYESORE Nobeli si “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient….

Nobeli si “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient….

Nga Rezart Palluqi

Po e rras lugën direkt e në çorbë, dhe po konkludoj: Obsesioni i shqiptarëve për ta fituar Çmimin Nobël, i izolon ata më shumë. Janë të paktë ata popuj, ku diskutohet aq shumë për ta fituar atë se sa në Shqipëri. Për të flet edhe çobani, marangozi, lopçari; prej tij, përpiqen të thithin pak dritëz krenarie të gjithë ngaqë në profesion ose në jetë janë të dështuar. Në tetor, ka shumë njerëz që ndezin qirinj dhe i falen Zotit që një shqiptar ta fitojë atë. Më pas, duan të rrahin gjoksin dhe thonë: Hë, e patë? Edhe ne dimë të bëjmë art të madh. Duket, se mbasi ta kemi shtjerë atë në dorë, morali dhe shpirti ynë i infektuar, do të shpëtojë. Një iluzion mjaft i cekët ky. Nobeli e shpëton një komb, vetëm në rast se ai komb e sjell në jetë vizionin nobelisto-human në jetën praktike. Nënë Tereza e fitoi Nobelin, por ne nuk e kultivuam humanizmin e saj në jetë…

Përpara se të tentoj të shpjegoj përse obsesioni i Nobelit na izolon, po shpjegoj sipas botëkuptimit tim, Nobelin përballë botës që atë e rrethon.

Çmimin Nobël e meriton ai artist i cilitdo fushe qoftë, që sakrifikon për popujt që kanë rënë në rrjetat e diktatorëve, merr në mbrojtje vlerat e rrezikuara universale, si dashuria, liria e mendimit, ndërton ura miqësie midis dy popujve të armiqësuar nga politikat ekspansioniste, ose i rifreskon njerëzimit kujtesën, duke tretur në kallupin artistik papushim dramat ose luftërat që janë zhvilluar në të kaluarën, me qëllim që ato të mos ripërsëriten në të ardhmen. Shkurt, Nobelin për mua le ta fitojë ai artist që artin e konsideron si një “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient.

Nobelin për fat të keq, e kanë komercializuar shtëpitë botuese, që në fakt janë subjekte private që kanë si qëllim kryesor fitimin duke tregtuar letërsi. Janë shumë të paktë ata botues që janë idealistë. Pjesa më e madhe e tyre, janë oportunistë. Ata lobojnë në lloj-lloj mënyrash, që shkrimtarët që kanë botuar ta fitojnë atë. Ata e bëjnë këtë, edhe kur shkrimtari nuk e meriton Nobelin. Në rast se ai nuk e gllabëron Nobelin, ata hakmerren duke shpifur lloj-lloj teorish konspirative. Kësisoj, një botues i etur vetëm për para dhe famë, e dëmton imazhin e Nobelit. Nobelin e kanë politizuar edhe qeveritë e dështuara. Ato, e shohin atë si një produkt kombëtar dhe komercial, makineri marketingu në tregjet ndërkombëtare. Pra, këtu, ata e ngjizin artin e madh humanist-nobelist me shpirtin tregtar. Ndërkohë që qeveritë duhet të bëjnë punën e tyre, duke ndërtuar shtete të konsoliduara, dhe jo ta përdorin Nobelin, si një pasqyrë krenarie. Krenarë, mund të jenë vetëm ato qeveri që e respektojnë qytetarin dhe vënë humanen mbi komercialen ose vlerat dritëshkurtëra.

Në Perëndim, mbas Luftës së Dytë Botërore, po dominon gjithnjë e më shumë letërsia e pambuktë, që bazohet mbi stilin, madhështinë ose lojën e fjalëve. Përkrah kësaj letërsie dominon edhe letërsia policore, e cila spekulon barbarisht me ankthin që na shkakton vrasja e dhunshme. Kjo ndodh kur një kontinent nuk e njeh luftën për një shekull. Atëherë, arti, ose letërsia humb thelbin e saj madhor, dhe shndërrohet një art ku eksperimentohet me gjuhën, trajtohen tema të cekëta, dhe stili shihet si Mbreti i saj!!

Botuesve, nuk u bëhet vonë, nëse X shkrimtar, historinë e vendit të tij, e kthen përmbys, shkrimtari gënjen, ose i këndon diktatorit, apo loz me fjalët si macja me miun Ai, të boton, nëse proza ka një stil të veçantë dhe është e lexueshme. Nuk e vë pra, ujin në zjarr, nëse proza në fjalë, nuk i shërben lirisë së popullit të tij, apo nuk shndërrohet në ilaç të plagëve të tij. Të përkthehesh në 50 gjuhë, nuk është sukses i vërtetë. Sukses i vërtetë, është të përkthehesh në 50 gjuhë dhe njëkohësisht, të jeshë përballur me dinjitet dhe guxim të madh ndaj plagëve të vendit dhe shekullit tënd.

Por, ne shqiptarët nuk kemi arritur ende në këtë stad, ngaqë nuk kemi larë hesapet me të kaluarën. Në Europën perëndimore, kjo u bë mjaft mirë. Edhe sot, po dënohen bashkëpunëtorët nazistë, edhe pse po i trokasin moshës njëshekullore. Prandaj edhe letërsia është shndërruar në një lodër të fjalëve groteske, dhe stilistikës së shumëllojshme. Aty, nuk thuhet asgjë e re. Nuk hapet asnjë dritare e re. Nuk rrezikohet me zjarrin, as dilet në duel me errësirën dhe pjellat e saj. Rëndësi ka, atë që është stërthënë mijra herë, ta shprehësh ndryshe. Kjo ndodhi gjatë 40 viteve të fundit në letërsinë e vendeve skandinave, prandaj edhe kohët e fundit, po shtohen zërat që letërsia të zgjohet, të braktisë manastirin e saj stilistik dhe këndin e lojërave të fjalëve pompoze, dhe të thotë fjalën e saj të artë, përballet me populizmin luftnxitës që po lind e forcohet kohët e fundit ndaj fobisë së bashkëjetesës shumëkulturore….

Vazhdon ne ditët ne vijim!

Share: