Home KRYESORE Panairi i (Kotësive) Librit!

Panairi i (Kotësive) Librit!

Nga Luan Kurti

Panairi i Librit duhet të ishte një ngjarje e madhe kombëtare, por në fakt kjo rezulton çdo vit një zhgënjim në rritje. Njerëzit e konsiderojnë më tepër shëtitje dhe pak janë blerësit. Janë të varfër? Kafenetë janë plot gjithsesi, nuk mungojnë në Party dhe duhanin e tërheqin oxhak. Ka rënie të lexuesve dhe mund të rrjeshtojmë një mijë arsye. Por edhe ata që janë të interesuar e kanë mision të pamundur. Për librat e huaj përkthimet janë skandaloze. Lipset një bakall për përkthyes që të rritet norma e fitimit të botuesit. Sa për letërsinë shqipe zor të gjesh ndonjë gjë për të qenë në garrumin e botimeve që ia kalojnë tezgave të gabit. Aq sa është krijuar mendimi se pas viteve 90-të të flasësh për letërsi cilësore është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Botuesit ankohen se shteti po i takson, se kanë shumë shpenzime, se, se, se, sesesese…Por si qëndron e vërteta? Botuesit janë kasapë! Operojnë me lekë në dorë. Ti (shkrimtari-poeti) çon librin tënd dhe që të botosh derdh xhixhet! Pas botimit hidhe torbën me libra në shpinë dhe vrit veten po deshe! Dhe dihet se kush ka lekë. Pinjollët e parallinjve siç kanë hobi të bëjnë ndonjë disk këngësh tallava, priren të botojnë edhe libra hera- herës. Dhe shtojnë plehra apo baltë në shportë. Hajde ma gjej pastaj xhevahirin të kam rixha! S’ka as kritikë dhe asgjësendi. E drejta e autorit është e drejta e botuesit! Këta bëjnë qoka për politikan-shkrimtarët. Japin edhe çmime! Sepse kanë nevojë për tendera dhe reklama ministrish! Pra me një fjalë në mënyrën sesi po veprojnë botuesit të ndihmuar nga indiferenca e shtetit janë kthyer në pushkatarë sistematik të kulturës kombëtare! Më të zinj se një hajdut ordiner dhe se vetë politikanët e korruptuar. E lenë kombin pa pika referimi, pa konkurencë në tregun global. Kufizojuani dorën Libërvrasësve!

Share: